RrGK prezanton raportin “Ku janë paratë për të drejtat e grave”

Më 9 qershor Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) prezantoi online para përfaqësuesve të Bashkimit Evropian (BE) në Bruksel raportin “Ku janë paratë për të drejtat e grave”. 

Ky raport paraqet tendencat e financimit të organizatave për të drejtat e grave në shtetet e Ballkanit Perëndimor (BP), që nga viti 2014 deri në pjesën e parë të 2019. 

Hulumtimi është kryer në vitin 2019 në gjashtë vende të Ballkanit Perëndimor, nga tetë organizata të grave, të udhëhequra nga RrGK, të mbështetura nga Kvinna till Kvinna. Ai përfshin intervista me 71 financues dhe 241 OSHCG të ndryshme. 

Organizatat për të drejtat e grave janë në vijë të parë për të adresuar pabarazitë gjinore që ekzistojnë në BP. Ato krijojnë ndryshimet, për më tepër ato janë avokueset, ofrueset e shërbimeve, studiueset dhe ekspertet që kanë kontribuar jashtëzakonisht shumë në shoqëri, politikë, ligje, ekonomi dhe në nivelin individual në shtetet e tyre e më gjerë. Këto organizata mbesin të gatshme për të vazhduar adresimin e pabarazive gjinore në Ballkanin Perëndimor dhe më gjerë. Për këtë gjë, ato kanë nevojë për fonde. Ky raport shqyrton fondet e disponueshme për punën e tyre. 

Folëse në këtë ngjarje ishin: Petra Tötternam Andorff, Sekretare e Përgjithshme, Fondacioni Kvinna till Kvinna; Lisa Bjuggstam, Këshilltare Ministrore, Zëvendëse e Departamentit për Punë të Jashtme dhe Politika të Sigurisë, Përfaqësuese e Përhershme e Suedisë në BE; Katarina Barley, Nënkryetare e Parlamentit Evropian; Nicole Farnsworth, Drejtore e Programit dhe Udhëheqëse e Hulumtimit në RrGK; Massimo Mina, Drejtues i Ekipit, Kornizës financiare shumëvjeçare, Komisioni Evropian, Drejtoria e Përgjithshme për Politika të Zgjerimit dhe Fqinjësisë; dhe Liselotte Isaksson, Shefe e Sektorit për Shoqëri Civile dhe Integrim Shoqëror të Ballkanit Perëndimor, Komisioni Evropian, Drejtoria e Përgjithshme për Politika të Zgjerimit dhe Fqinjësisë. 

Në fjalën hyrëse, Petra Tötternam Andorff, Sekretare e Përgjithshme, Fondacioni Kvinna till Kvinna, tha se është thelbësore që të gjithë, kolektivisht të reflektojnë nëse po bëhet mjaftueshëm për t’iu përgjigjur nevojave të organizatave për të drejtat e grave.  

“Unë mendoj se është e drejtë të them se më së paku çfarë mund të bëjë bashkësia ndërkombëtare është të sigurojë që organizatat e shoqërisë civile të grave kanë fondet e duhura për të bërë punën e rëndësishme që ato e bëjnë”. 

Angazhime për avancimin e barazisë gjinore janë bërë nga Bashkimi Evropian dhe Plani i Veprimit Gjinor në Agjendën e Grave, Paqes dhe Sigurisë. Disa financues gjithashtu kanë ndërmarrë angazhime për avancimin e barazisë gjinore në punën e tyre dhe përmes strategjive dhe politikave të tyre. 

“Ne besojmë se Bashkimi Evropian në veçanti është i pozicionuar mirë që të avancojë barazinë gjinore në Ballkanin Perëndimor. Qeveritë në vendet tona janë zotuar për Agjendën e Politikave të Bashkimit Evropian, që përfshin edhe avancimin e barazisë gjinore”, tha Nicole Farnsworth përderisa prezantoi gjetjet e raportit. 

Më tej, Massimo Mina, Drejtues i Ekipit, Kornizës financiare shumëvjeçare, Komisioni Evropian, Drejtoria e Përgjithshme për Politika të Zgjerimit dhe Fqinjësisë, e konsideroi shumë mbresëlënëse të gjithë punën e bërë për këtë raport.  

Ky raport është shkruar nga RrGK në bashkëpunim të ngushtë me shtatë organizata për të drejtat e grave në rajon: Rrjeti i Fuqizimit të Gruas (Shqipëri), Qendra e Grave Autonome (Serbi), Qendra për të Drejtat e Gruas (Bosnje dhe Hercegovinë), Rrjeti Kombëtar kundër dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje (Maqedonia e Veriut), Të drejta për të gjithë (Bosnje dhe Hercegovinë), Shoqata e Grave Peščanik (Serbi) dhe Qendra për të drejtat e grave (Mali i Zi), mbështetur nga Fondacioni Kvinna till Kvinna. 

Lansimi zyrtar i këtij raporti pritet të ndodhë në muajin Shtator. Raportin mund ta gjeni këtu:https://womensnetwork.org/wp-content/uploads/2020/06/Funding-WCSOs_FINAL_2020-06-11.pdf