RrGK reagon ndaj gjuhës seksiste kundrejt ministres Albulena Haxhiu

Sot gjatë ditës, në portalin “Nacionale” gjatë një reportazhi, gazetarja si fokus të temës e kishte pamjen e jashtme, më specifikisht flokët e ministres Haxhiu në kohën kur ministrja doli nga konferenca, ku temë ishte Qendra për Punë Sociale.

Ne si Rrjet i Grave të Kosovës reagojmë ndaj këtij trajtimi dhe gjuhës seksiste që u përdor ndaj ministres Haxhiu. Poashtu, u bëjmë thirrje mediave në Kosovë që në vend se të merren me pamjen e jashtme të grave, të raportojnë mbi punën e rëndësishme të secilës grua të angazhuar në sferën publike.

Ministrja Haxhiu gjatë pyetjes së gazetares për flokët e saja, ia ktheu se është “Më mirë është që t’i njoftoni qytetarët e Republikës së Kosovës se çka po ndodh me Qendrat për Punë Sociale dhe cilat janë rekomandimet që dolën nga konferenca, sesa të merreni me flokët e mia, sepse kjo është punë e imja personale”.

Gratë vazhdojnë të jenë pjesë konstruktive e proceseve politike në Kosovë, andaj RrGK reagon ashpër kundër çdo tentative për zhvleftësimin e rolit të tyre politik përmes akteve të tilla.

Ne duhet të luftojmë gjuhën dhe mendësinë që ende vazhdon ta portretizojë gruan brenda një kornize të caktuar. Duhet t’i themi jo tendencave të cilat synojnë të tregojnë se si gratë duhet të duken, apo se si duhet të sillen për të qenë të pranueshme nga shoqëria, pasi që në të kundërtën kontributi i tyre vihet në dyshim.

Kjo mendësi edhe një herë dëshmon se sa shumë duhet të bëjmë në rrugëtimin dhe misionin tonë për të thyer pabarazitë dhe paragjykimet e tilla gjinore.