23 vjeçari José Carpintero-Molina, nga Almeria, Spanjë iu bashkua stafit të Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK) për të pasuruar njohuritë dhe përvojën e tij me organizata për të drejtat e grave. Ai ka qenë pjesë e stafit që nga fillimi i dhjetorit 2019 deri në fund të qershorit 2020, kurse edhe tani është duke vazhduar që të punojë nga distanca me RrGK-në.
Ai tregon se e dinte që RrGK është ndër organizatat kryesore për të drejtat e grave në regjion, madje edhe para se të vizitonte Kosovën.
“Stafi i RrGK-së që nga fillimi jo vetëm që më besuan, por edhe më mirëpritën në organizatë sikur të ishin familja ime. Edhe gjatë kohëve më të vështira, siç ishte pandemia COVID-19, unë gjithnjë kam ndjerë kujdesin dhe ndihmën e tyre”, thotë ai.
Carpintero-Molina, i diplomuar në Shkenca Politike në Universitetin e Granadës, e vlerëson tejet shumë shpirtin ekipor dhe mirëpritjen e ngrohtë nga stafi i RrGK-së.
“Falë tyre, ajo që për mua ishte përvojë e re, në fakt u bë një rrugë përplot me mësime dhe miqësi të reja. Përgjatë kësaj kohe, unë kam përjetuar një ndryshim të madh- si në jetën profesionale po ashtu edhe në atë personale”.
Duke qenë pjesë e nismës “Fuqizimi i të Rinjve për një të Ardhme të Qëndrueshme dhe Paqësore në Kosovë”, mbështetur nga UN Women, në cilësinë e asistentit hulumtues, ai ishte i përqendruar në çështjet për Gratë, Paqen, Sigurinë dhe Rininë dhe punoi nga afër me dy anëtare të stafit të RrGK-së, Majlinda Behrami, Koordinatore e Projektit dhe Besarta Brezenica, Hulumtuese.
Këtë bashkëpunim ai e përshkruan si përvojë të vlefshme e cila i ka shërbyer për të kuptuar më mirë si ka qenë aktivizimi për të drejtat e grave gjatë luftës në Kosovë.
“Puna me Majlindën dhe Besartën e ka bërë angazhimin në këtë nismë shumë më mbresëlënës dhe të këndshëm. Sado që në fillim nuk njiheshim, mendoj që jemi lidhur shumë mirë dhe kemi krijuar një ekip të mrekullueshëm. Pa dyshim, gjithçka ishte më e lehtë dhe më e rehatshme falë tyre”, thotë Molina, teksa shton që ka krijuar miqësi si me Behramin dhe Breznicën, po ashtu edhe me pjesën tjetër të stafit të RrGK-së.
Ky vlerësim është i dyanshëm. Behrami tregon se që nga fillimi Carpintero Molina karakterizohej me energji pozitive, etikë të lartë të punës si dhe ishte kureshtar të dijë më shumë për njerëzit që e rrethonin dhe punën po ashtu.
“Profesionalizmi i tij ka qenë ndihmesë e madhe për hulumtimin tonë. Nga diskutimet që kemi pasur, e kemi kuptuar që diskriminimet gjinore janë shumë të pranishme gjithandej, pavarësisht rrethanave të ndryshme. Andaj jam shumë e lumtur që djemtë si Jose janë të përfshirë në avokimin për barazi gjinore”, shprehet Behrami.
Carpintero -Molina sjell ndër mend se përgjatë rrugës ka pasur mundësi për të mësuar dhe për të kuptuar më tepër rreth punës dhe aktivizimit që RrGK bën, e po ashtu edhe për historinë e organizatës dhe aktivizimin afatgjatë të Drejtores Ekzekutive të RrGK-së, Igballe Rogova.
“Ajo [Rogova] ka qenë frymëzim që prej momentit të parë që kam lexuar për aktivizimin e saj.”
Pavarësisht rrethanave të rënda të shkaktuara nga përhapja e pandemisë COVID-19, Molina u largua i lumtur që pati këtë përvojë në Kosovë, duke shtuar se:
“Kam takuar njerëz të mrekullueshëm dhe profesional dhe e di se do të mund të vazhdojë të punojë me ta edhe nga distanca”.
Kjo përvojë e ka ndihmuar atë që të qartësojë se cilat janë gjërat më rëndësishme për të cilat duhet avokuar, e pa dyshim që barazia gjinore është një nga to.
“RrGK më ka bërë të kuptoj që unë duhet të punoj dhe të ngris zërin për atë që besoj, kudo që të shkoj. Këtë do të vazhdoj ta bëj edhe nga Spanja”.
Ai e përmbyll bisedën me krenari për bashkëpunimin me RrGK-në, duke qenë njëherit i bindur se kjo përvojë është e jashtëzakonshme dhe do të mbetet e tillë.