Me 11 korrik, në ora 10:00, organizuar nga Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK), aktivistë, përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile dhe familjar, në kohën kur ishte paraparë të mbahej seanca gjyqësore, u mblodhën para objektit të Gjykatës në Rahovec për të kërkuar drejtësi për Antigonën.
Edhe pse prezent në gjykatë ishin pala e dëmtuar dhe gjyqtarja e re e emëruar për rastin dhe mungonte prokurori dhe i pandehuri, fatkeqsisht, për shkak të grevës së punëtorëve administrativ seanca u shtye për datën 4 shtator.
E ndjera, Antigona Morina, kishte vdekur 6 vjet më parë për shkak të hemorragjisë së vazhdueshme, tri ditë pas martesës. Atëbotë, bashkëshorti i saj, Hilmi Zena, përpos që nuk i kishte ofruar ndihmë mjekësore duke e dërguar atë te shehu, ka përkeqësuar gjendjen duke vazhduar marrëdhëniet seksuale me të.
RrGK do të vazhdojë që përmes protestave të kërkojë reagim adekuat të drejtësisë në Kosovë lidhur me rastin e të ndjerës Antigona Morina.
RrGK, edhe përmes reagimit që ka dërguar me 19 mars, ka shkruar që vetëm me vendime të drejta organet e drejtësisë mund të ndikojnë në uljen e dhunës, respektivisht krimit. Ngritja e përgjegjësisë institucionale gjatë trajtimit të dhunës me bazë gjinore do të rrisë raportimin e këtyre rasteve, duke u siguruar të ketë drejtësi, mbrojtje dhe rehabilitim për rastet e dhunës me bazë gjinore.
Pasi që institucionet e drejtësisë nuk po ndërmerrnin masat e duhura, pas reagimeve të shumta, RrGK angazhoi avokaten Fehmije Gashi Bytyqi që të përfaqësonte familjen e Antigonës. Angazhimi i avokates Fehmije Gashi Bytyqi është mundësuar përmes Agjencisë Austriake për Zhvillim (ADA).