Amy Hillock prezanton në bibliotekën e GjND-së kopjen e re të 1325 Fakte & Fabula të RrGGK-së. Amy ka ndihmuar hulumtimin dhe shkrimin e librit gjatë punës praktike në RrGGK. Ajo i tërhoqi vëmendjen GjND-së mbi librin këtë vit gjatë punës praktike të saj atje.

1325 Fakte & Fabula Arrin në NATO, GjND, GP të KB

Në vitin 2011, RrGGK donte të bëntë revolucion në mënyren se si organizatat e grave monitorojnë, raportojnë dhe avokojnë mbi zbatimin e Rezolutës së Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (RKSKB) për Gratë, Paqen dhe Sigurinë. Pas dy raporteve monitoruese të pa-“konsultuara” mbi zbatimin e RKSKB 1325 në Kosovë, RrGGK vendosi të shkruante librin 1325 Fakte & Fabula, që përdor bashkë “faktet” dhe “fabulat” për të ilustruar zbatimin e Rezolutës në Kosovë në dekadën e fundit.

Siç shpjegon Drejtoresha Ekzekutive e RrGGK-së Igballe Rogova në hyrje të librit, “dua që ky publikim të shihet jo vetëm si raport, por më shumë si diçka që ju bën të qeshni dhe të thuani, ‘Si mund të ndodhë kjo?’”

Në mesin e promovuesve më të rinjë të 1325 Fakte & Fabula është edhe Përfaqësuesja Speciale e NATO-s për Gra, Paqe dhe Siguri, Mari Skåre. Gjatë një takimi në zyret e RrGGK-së më 17 Prill, ajo është shprehur që: “Shpresoj që do t’i realizoni ndryshimet që i keni arritur në ngritjen e pjesëmarrjes së grave në paqe dhe siguri përmes avokimit me 1325”. Ajo nxiti përfaqësuesit e tjerë të NATO-s që ishin prezentë, përfshirë edhe Forcat e NATO-s për Kosovë (KFOR) që ta lexojnë librin.

Më pas, më 25 Prill, një delegacion i RrGGK-së informoi Grupin Punues të OJQ-ve për Gratë, Paqen dhe Sigurinë në KB mbi avokimin e RrGGK-së në të kaluarën dhe të tashmen lidhur me zbatimin e RKSKB 1325 në Kosovë. Kjo përfshinte avokimin për drejtësi të RrGGK për personat që kanë vuajtur dhunë seksuale gjatë luftës. RrGGK siguroi kopje të 1325 Fakte & Fabula për anëtarët e Grupit Punues (GP). Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GjND) në Hagë, tash së voni,ka porositur një kopje të 1325 Fakte & Fabula për bibliotekën e tyre të përhershme.

Vitin e kaluar, libri arriti në duart e liderëve në mbarë botën, duke përfshirë edhe Sekretaren e Shtetit të SHBA-ve Hillary Clinton, Deputetët e Parlamentit Evropian dhe shumë aktivisteve tjera.

Botimi fillestar i librit ishte financuar nga Austrian Development Agency dhe më pas është vetë-financuar përmes shitjes jo-fitimprurëse të librit. Ju mund të shkarkoni një kopje elektronike falas, apo të porositni një kopje për 5€ plus dërgesa, duke shkruar në info@womensnetwork.org.