Sevasti Qiriazi – mësuesja e parë e gjuhës shqipe

“Unë jam shqiptare. Ky përbën faktin më të rëndësishëm të jetës sime, madje më të rëndësishëm se edhe familja, pasi të qenët e ndërgjegjshme për të më krijoi ndjesinë e gjallë të asaj që duhet të bëj, duke i dhënë kështu qëllim jetës sime.”

Janë këto fjalë të nismëtares së organizimit të arsimit shqip për vajzat, Sevasti Qiriazi Dako shkruar në librin e saj autobiografik “Jeta Ime”.

E jeta e Sevastisë, një gruaje të jashtëzakonshme, është tregim i historisë shqiptare. Është tregim i vullnetit, patriotizmit dhe vështirësive të mëdha që ka pasur rruga e krijimit të kombit nëpërmes gjuhës, gjegjësisht arsimit.

Lindur më 1871, Sevasti Qiriazi-Dako ishte drejtuesja dhe mësuesja e shkollës së parë shqiptare për vajza, pioniere e arsimit kombëtar, e shkollimit dhe e emancipimit të grave dhe vajzave shqiptare, luftëtarja, politikania dhe autorja e teksteve të ndryshme.

Vetë poeti dhe figura e shquar kombëtare Naim Frashëri, ishte ai që i dha mundësi Sevastisë të studionte në kolegjin “Robert College” në Stamboll e të luante një rol aktiv në arsimimin e grave. Qe e para grua shqiptare që studioi në këtë institucion amerikan, të cilin e kreu në qershor të vitit 1891.

“Motër, punë më të mirë e më të vyer nuk mund të bësh për Shqipërinë e mjerë, se sa kini vendosur të bëni bashkë me vëllanë, për emancipimin e grave të vendit tonë të shkretë. Detyrat e tua tani fillojnë dhe po të jesh besnike, këmbëngulëse dhe e vullnetshme do arrish të kryesh vepra të mëdha për kombin,” pat cituar Naim Frashërin vetë Sevasti Qiriazi në “Kujtime për Naim Beun.”

Me t’u kthyer në Shqipëri, Sevastia që dinte 7-8 gjuhë të huaja, mori pjesë në ngritjen e shkollës së vashave në Korçë më 1891. Kjo shkollë është edhe fillimi i një shkolle mbi bazën laike.

Ky ishte një hap i madh për kohën dhe ndoshta më moderni, meqë ndodhte në një kohë kur prej pesëqind vjetësh sundonin osmanët, të cilët e kishin mbajtur në terr popullin shqiptar dhe veçanërisht gruan. Hapja e një shkolle për vashat do të ishte një kthesë vendimtare drejt emancipimit.

Për motrat Qiriazi dhe shkollën e parë për vazja pat shkruar edhe dashamirësja e shquar e shqiptarëve, anglezja Edith Durham.

“Korça është e qytetëruar. Në Shkollën shqipe të vajzave m’u bë një pritje shumë e ngrohtë. Shkolla ishte aq ‘moderne’, sa m’u duk sikur befas isha kthyer prapë në Evropë,” shkruante ajo dy vjet pas hapjes së shkollës.

Sevastia, së bashku me motrën Parashqevinë, morën pjesë edhe në Kongresin e Elbasanit dhe të Manastirit, kushtuar kryesisht përgatitjes së teksteve shkollore.

Sevasti Qiriazi-Dako ka botuar një gramatikë për shkollat fillore dhe ka redaktuar një radhë tekstesh historie. Sevasti dhe Parashqevi apo Motrat Qiriazi, ishin mësueset dhe edukatoret e para të shkollës së vashave, por veprimtaria e tyre ishte shumë më tepër sesa vetëm arsimi.

“Sevastia ishte udhëheqësja shpirtërore, ndërsa Parashevqia ishte njeri energjik. Drejtonte Sevastia, ekzekutonte Parashqevia. Ato ishin shembull se si duhet të jetë një grua, një shqiptar sot, i gjithë potenciali i tyre i derdhur për vendin e tyre,” shprehet studiuesja e veprës së motrave Qiriazi, Teuta Toska.

“Ato kanë bërë gjëra është e vështirë që të bëhen edhe nga gratë sot. Ajo themeloi një parti politike në Amerikë, për t’i ardhur në ndihmë çështjes shqiptare në atë kohë. Motra Parashqevia ishte delegate në Konferencën e Paqes në Paris,” shprehet Toska.

Në vitin 1914, për shkak të armiqësive me forcat greke në Korçë, Sevastia, i shoqi dhe dy fëmijët e tyre u detyruan të largoheshin nga Shqipëria, dhe Shkolla e Vajzave u mbyll. Ata kaluan gati 12 muaj duke jetuar në Bukuresht dhe Sofje përpara se të emigronin në Shtetet e Bashkuara në 1915, ku ajo do të të ndihmonte bashkëshortin e saj në hapjen e shkollës së parë shqipe në Amerikë.

Sevastia ndihmoi motrën e saj në botimin e revistës dyjavore “Yll’ i Mëngjezit” (1917–1920), dhe ku ajo dhe burri i saj u përfshinë më shumë në shoqatën Vatra dhe çështjen kombëtare shqiptare.

Në fund të vitit 1921 Sevasti Qiriazi-Dako dhe fëmijët e saj u kthyen në Shqipëri, ku i shoqi ishte kthyer më parë, për të punuar me qeverinë shqiptare. Në kujtimet e saj, Sevastia i përshkroi kushtet në Shqipëri si “primitive” dhe pohoi se ishte e frymëzuar t’i kushtonte pjesën tjetër të jetës së saj për të ndihmuar në rindërtimin e kombit të saj.

Për shkak të pozitave të të shoqit si ministër dhe biografist i Mbretit Zog, emri i Dakos u hodh në errësirë gjatë regjimit komunist pas Luftës së Dytë Botërore.

Familja e saj u persekutua (duke përfshirë motrën e saj Parashqevinë) dhe dy djemtë u arrestuan dhe u burgosën. E lodhur nga mundimet e shumta dhe vdekja e djalit të saj, Sevastia vdiq në gusht të vitit 1949.

Shumë kohë më pas, në vitin 1962, me rastin e 50-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë regjimit komunist tregoi interes për veprimtarinë patriotike të familjes Qiriazi dhe katër pjesëtarë të familjes Qiriazi, Gjerasimi, Gjergji, Sevastia dhe Parashqevia, u dekoruan me “Urdhrin e Lirisë” dhe urdhrin për “Veprimtari patriotike”. Më vonë, Sevastisë dhe Parashqevisë iu dha titulli “Mësuese e Popullit”, titulli më i lartë për arsimin.