Sevdije Ahmeti-një zë i fuqishëm i mbrojtjes së të drejtave të grave

“Unë nuk do të jem modeste. Unë jam një feministe radikale. Nga hiçi ne bëmë një lëvizje të bazuar në nevojat e grave. E filluam me të drejtat e grave. U afruam në një kohë kur do të akuzoheshim nga politikanët. Ibrahim Rugova tha se nuk është koha për të luftuar për të drejtat e grave, është koha për të drejtat kombëtare. Ne i bëmë të dyja në të njëjtën kohë, ose nëntokë ose haptazi … dhe kjo ishte radikale.

“Nëse do të thoshe se ishe feministe në vitet 1990 automatikisht do të quheshe lezbike. Kemi pasur konflikte [mes grave], por kemi mbështetur njëra-tjetrën. Gratë nuk vendosën kurrë për luftë. Dhe gratë ishin gjithmonë aktive në paqen dhe zgjidhjen e konflikteve”.

Këto ishin fjalët e Sevdije Ahmetit njëra ndër aktivistet për të drejtat e grave në Kosovë, lëvizje që nisi në Kosovë në vitet e ’90-a krahas kërkesës për liri e pavarësi. Një grua që nuk lodhej kurrë, aktiviste e humaniste shumë-vjeçare e çështjes së grave dhe të drejtave të njeriut, ajo u bë zë i fuqishëm i mbrojtjes së të drejtave të grave, e në veçanti të grave të dhunuara gjatë luftës.

Sevdije Ahmeti pasi u shkarkua nga puna më 23 korrik 1989 nga Biblioteka Kombëtare e Kosovës , ajo filloi të punojë për Këshillin për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut duke përgatitur shumë raporte mbi shkeljet e të drejtave të grave për Amnesty International. Kjo përfshinte edhe dorëzimin e provave në Tribunalin Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë për dhunën seksuale dhe keqtrajtimin e kryer kundër grave të Bosnjës dhe të Kroacisë, kur ato u strehuan si refugjate në Kosovë.

Sevdije Ahmeti bashkë me Vjosa Dobrunën, themeluan Qendrën për Mbrojtjen e Grave dhe Fëmijëve, në vitin 1993 një organizatë që pos ndihmës për nënat dhe fëmijët, ndihmoi shumë edhe në dokumentimin e torturave që pushteti serb bënte ndaj shqiptarëve në përgjithësi, e grave dhe fëmijëve në veçanti.

Pas luftës, zonja Ahmeti ishte ndër të parat që inicioi çështjen e të mbijetuarve të dhunës seksuale në luftën e fundit në Kosovë.Melihate Juniku grua aktiviste, ka ndarë disa fjalë për zonjën Sevdije. Ajo tha se guximi i madh që e ka pasur ajo, duke shtuar këtu bagazhin e saj dhe informacionet që i ka pasur, e kanë kompletuar si një grua të vecantë.Edhe zonja Melihate ka ndarë ca grimca historie me ne për zonjën Sevdije.”

Më 16 mars 1998 u organizua një nga protestat më masovike të gruas në Kosovë, rreth njëzet mijë veta, duke iu bashkuar Marshit ‘Bukë për fëmijët dhe gratë e Drenicës”.

Një nga grate prirëse ishte edhe Sevdije Ahmeti si dhe vajza e gra nga gjithë Kosova. Qëllim ishte që qarqeve ndërkombëtare të vendosjes t’u bëhet me dije se Drenica është e rrezikuar, është i rrezikuar i tërë populli i Kosovës dhe se është nevojë urgjente një mbrojtje ndërkombëtare për Kosovën. Kjo protestë bëri jehonë të madhe dhe u përcoll nga plotë media vendore e ndërkombëtare’’, tha ajo.

Rezymeja mbresëlënëse për të drejtat të njeriut e Sevdije Ahmetit kapi vëmendjen e Colby College, që ndodhet në Waterville, Maine, SHBA. Instituti OAK për të Drejtat e Njeriut i Kolegjit e priti atë si ligjëruese (fellow) të tyre në vitin 2001.Si aktiviste e humaniste që ishte Sevdije Ahmeti ka bërë punë të palodhshme në RrGK duke kontribuar me mbështetje, solidaritet dhe njohuri që kanë frymëzuar punën tonë.

Ajo ka qenë edhe anëtare e bordit të RrGK. Si kujtim për aktivisten feministe dhe humaniste Sevdije Ahmeti, Rrjeti i Grave të Kosovës tash e pesë vjet ndanë cmimin vjetor për gratë aktiviste me emrin e saj. Sevdije Ahmeti ka lindur në vitin 1944 në Gjakovë dhe ndërroi jetë në vitin 2016 në Prishtinë.