Me 12 dhjetor, Shoqata e Mamive të Kosovës (SHMAKS) organizoi tryezën e rrumbullakët “Fuqizimi i rolit profesional të mamive në Kosovë” ku morën pjesë drejtorët e departamenteve të Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale nga komuna të ndryshme të Kosovës, pjesëtarë të Asamblesë Komunale të Prishtinës, përfaqësues të Institutit të Shëndetit Publik dhe të organizatave të shoqërisë civile. Tryeza kishte për qëllim të adresojë nismën e një projektligji për shërbimin profesional të mamive dhe rolin e tyre në shëndetin e popullatës
Gjatë tryezës, Magbule Elezi, Kryetare e SHMAKS-it, kërkoi përkrahje nga të pranishmit, që me përgjegjësinë dhe ndikimin e tyre institucional dhe shtetëror të vazhdojnë angazhimin e përbashkët në këtë drejtim.
“Përmes politikave shëndetësore, përkrahjes institucionale e ngritjes profesionale mund të përmirësojmë cilësinë e shërbimeve dhe të ngrisim mirëqenien e grave dhe qytetareve tona, si dhe të përmirësojmë jetën e tyre,” u shpreh zn. Elezi.
Ndërkaq, Besa Baftiu, Kryetare e Komisionit Parlamentar për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, ndër te tjera u shpreh se “Si komision, e kemi ngritur shqetësimin për mbylljen e materniteteve dhe po vazhdojmë bashkëpunimin me SHMAKS-in që të gjejmë një zgjidhje, që mamitë të kenë rolin e merituar.”
Më tutje, zëvendës Avokati i Popullit, Medi Geci, shtoi se “duhet të punohet edhe më tej në promovimin e rolit të mamive në raport me popullatën e gjerë, por edhe brenda institucionit, duke pasur parasysh që janë kuadro profesionale dhe si të tilla duhet të konsiderohen.”
Kjo tryezë u organizua në kuadër të iniciativës “Fuqizimi i rolit të shërbimit profesional të mamive” mbështetur nga Fondi i Grave të Kosovës (FGK) i Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK), financuar nga Agjencioni Austriak për Zhvillim (ADA).