Më 11 shkurt, organizata anëtare e Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK), Shqiponjat e Dardanës, me një tryezë ka përmbyllur nismën pesë-mujore “Avokime për përkrahjen e grave kandidate për asamble komunale dhe vetëdijesimin e grave dhe vajzave rurale për rolin e votës së tyre”, të mbështetur nga rundi i 15 i Fondit të Grave të Kosovës (FGK).
Diskutimin e hapi Havushe Bunjaku, Drejtore Ekzekutive e kësaj organizate, e cila fillimisht ka falënderuar RrGK-në për mbështetjen e kësaj nisme, duke shtuar se pa ndihmën logjistike dhe financiare të RrGK-së nuk do të ishte i mundur realizimi i kësaj nisme.
Tutje, ajo ka shkëputur përvojën e marrë nga terreni përgjatë kësaj periudhe.
“Gjatë këtyre muajve, kemi kërkuar nga gratë votuese që të votojnë gjithsesi një grua, kjo është diçka për të cilën kemi lobuar bashkë me RrGK-në. Duhet ta kujtojmë se këto gra pastaj kanë avokuar te familjet dhe shoqëria e tyre për arsyet dhe rëndësinë për të votuar më shumë gra.”, tha Bunjaku.
Po ashtu, ajo solli ndër mend se pas rezultateve të zgjedhjeve lokale të tetorit të vitit 2021, përfaqësueset e organizatës “Shqiponjat e Dardanës” kanë diskutuar edhe me asamblistet lidhur me atë se çka u pengon atyre dhe si mund ta ngrisin së bashku zërin për interesat e grave dhe vajzave.
Hasan Luma, Zyrtar për Barazi Gjinore në Komunën e Lipjanit, ka premtuar përkrahje nga institucionet komunale për avancimin e pozitës së grave në politikë dhe në vendimmarrjen e nivelit lokal.
“E kam parë ecjen dhe punën e të gjitha partive për zhvillim dhe avancimin e pozitës së grave. Megjithatë, roli i organizatave joqeveritare është shumë domethënës dhe i motivon gratë, sidomos ato të zonave rurale që të bëhen pjesë e politikbërjes. Partitë politike e kanë disi obligim dhe bëjmë edhe fushatë, kurse ju si organizata për të drejtat e grave keni një rol të veçantë për t’i shtyrë gratë që të jenë pjesë përmbajtësore e politikbërjes në komunë.”, tha ai.
Falënderuese ndaj RrGK-së u shpreh tutje edhe Gjyste Dabaj, Zyrtare e të Drejtave të Njeriut në Komunën e Lipjanit.
“Ne duhet t’i kërkojmë të drejtat tona, ne duhet të kërkojmë që ne me forcat dhe aftësitë tona, gratë janë të afta ne biznes e në politikë. RrGK ka dhënë kontribut shumë të madh për vetëdijesim dhe ngritje të kapaciteteve.
Ndër rekomandimet e dala nga kjo tryezë janë:
- Të punohet drejt zbatimit të Ligjit për Barazi Gjinore në nivel lokal;
- Të krijohen mekanizma nxitës për rritjen e pjesëmarrjes së grave në politikë në nivel lokal;
- Të krijohen këshilltar e fshatrave me në krye gra.
Përgjatë kësaj nisme, Shqiponjat e Dardanës ka mbajtur takime me gra dhe vajza të fshatrave të ndryshme të komunës së Lipjanit e të Graçanicës për të avokuar për përkrahjen e kandidateve në zgjedhjet lokale, si dhe për të ngritur vetëdijen e grave dhe vajzave nga zonat rurale për rolin e votës së tyre.
Kjo nismë u realizua falë mbështetjes së marrë nga Fondi i Grave të Kosovës, me financim të Zyrës së Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë.