Më 15 korrik, anëtaret e RRGGK u takuan me Ministrin e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Z. Selmanaj, për t’ia ngritur çështjen e mungesës së legjislacionit përkatës që adreson dhunën gjinore.
Anëtaret e RRGGK gjithashtu cekën se ligji mbi shërbimet sociale nuk zbatohet në tërësi, dhe se strehimoret nuk janë përfshirë në buxhetin e konsoliduar të Kosovës. Ato gjithashtu informuan ministrin se Departamenti i Drejtësisë i UNMIK-ut është i obliguar me ligj që të ndihmojë dhe përkrah rastet që arrijnë në strehimore, që rrjedhimisht do të thotë se Institucionet e Përkohshme të Vetëqeverisjes dhe UNMIK-u janë duke i shfrytëzuar shërbimet e strehimoreve pa i ndihmuar ata financiarisht.
Ministri Selmanaj tha se institucionet janë të gatshme për t’i ndihmuar ato, por çështja kërkon përkushtim nga të dyja palët. Ai propozoi dhe pranoi të aranzhojë një takim me grupin parlamentar për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, për t’ia adresuar këtë problem trupit më të lartë ligjvënës.