Studentja kosovare vlerëson përvojën e marrë nga praktika në RrGK

Ardita Avdija nga Gjakova ishte praktikante për Marrëdhënie me Publikun për katër muaj në Rrjetin e Grave të Kosovës (RrGK), përkatësisht në periudhën Shtator-Dhjetor 2017. Tani ajo është në prag të diplomimit në departamentn e Psikologjisë në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”.

Sot, thuajse një vit e gjysmë pasi Avdija përfundoi praktikën në RrGK, ajo është duke punuar në temën e diplomës lidhur me Rolet Gjinore dhe Stresin. Kjo erdhi si frymëzim nga përvoja që mori nga afër në RrGK. Interesimi dhe përkushtimi i rritur lidhur me çështjet që ndërlidhen me barazi gjinore është vetëm një nga gjërat që ajo përfitoi nga kjo praktikë.

“Praktika në RrGK më ka pajisur më mirë me aftësi profesionale për të shkruar dhe për të redaktuar. Ka qenë po ashtu një përvojë e mrekullueshme dhe e rëndësishme, sidomos për një studente. Sot ndjehem me fat që isha pjesë e një organizate siç është RrGK-ja”, shprehet Avdija, derisa ndan mësimet e marra nga përvoja në RrGK.

Përgjatë kohës së kaluar në RrGK ajo kryesisht ka shkruar artikuj mbi aktivitetet e RrGK-së si dhe të organizatave anëtare, punoi në marrëdhënie me publikun, gjithashtu ndihmoi në logjistikën organizative kur ishte e nevojshme, kjo në linjë me shpirtin ekipor që mbretëron në RrGK, ku çdo kush kontribuon.

“Një angazhim i tillë ka qenë shumë i nevojshëm për mua në mënyrë që të kuptoj sfidat me të cilat vajzat dhe gratë kosovare përballen çdo ditë, si në sferën private po ashtu edhe në atë publike”, ka theksuar ajo.

Avdija përmes kësaj përvoje ka zgjeruar të kuptuarit e saj lidhur me atë se si duket një lëvizje feministe, gjë e cila pa asnjë dyshim e ka shtyrë atë që të vazhdojë punën në këtë fushë.

Kjo praktikë është në mesin e disa të tjerave të mbështetura nga dega Corvallis – Altrusa. Altrusa u themelua në vitin 1962 si degë bamirëse e Altrusa International. Ajo financon zhvillimin dhe zbatimin e shërbimeve efektive komunitare dhe programeve për lidership në mbarë botën.

LEXO EDHE: Studentja kosovare ndan pasionin e saj për të adresuar pabarazitë, duke kryer praktikën në RrGK.