Të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës përfitojnë përkrahje më të madhe

54 persona nga Komuna e Gjakovës, Deçanit dhe Rahovecit kanë përfituar nga nisma “Përdorimi i qasjes së bazuar në komunitet dhe traumë për përmirësimin e qasjes së të mbijetuarave të dhunës seksuale gjatë luftës gjatë procesit të njohjes së statusit të tyre”. Kjo nismë u realizua nga dy organizata anëtare të Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK), Medica Kosova dhe Djepi i Buzëqeshjes, falë përkrahjes së marrë përmes raundit të 12-të të Fondit të Grave të Kosovës (FGK), mbështetur nga Agjencia Austriake për Zhvillim (ADA).

Gratë pjesëmarrëse në aktivitete, aktivistet e shoqërisë civile dhe përfaqësues institucional bashkërisht trajtuan temat siç janë: shkaktarët dhe pasojat e dhunës seksuale, trauma, ndikimi i traumave në aspektin emocional, psikologjik, dhe atë njohës, si dhe ndërtimi i besimit dhe konfidencialitetit.

Falë kësaj nisme afër 5 mujore, 19 gra kanë ndjekur seancat për trajtimin e traumave të  luftës, si dhe 8 të mbijetuara të dhunës seksuale janë ndihmuar në plotësimin e aplikacionit për njohjen e statusit të të mbijetuarës së dhunës seksuale gjatë luftës, kurse 11 të mbijetuara vazhduan sesionet këshilluese deri sa të arrijnë stabilitet emocional për t’u përballur me këtë proces.

Këto rezultate pozitive janë një shtysë e madhe drejt arritjes së drejtësisë, solidaritetit dhe trajtimit të dinjitetshëm të rreth 20 mijë grave të dhunuara seksualisht gjatë periudhës së luftës 1998-1999 në Kosovë.

Duke pasur parasysh se edhe dy dekada pas përfundimit të luftës, këto gra përballen me diskriminimin, stigmatizimin, kjo nismë u mirëprit nga tri kategori (të mbijetuarat e dhunës seksuale, organizatat e shoqërisë civile, si dhe institucionet) grupe këto të cilat kanë rol jetik për realizimin e të drejtave të grave të dhunuara seksualisht gjatë luftës. Rëndësi të veçantë kanë përshtypjet e të mbijetuarave të dhunës seksuale (Shih: Informata të tjera).

Duke qenë se në vitin 2017, Qeveria e Kosovës kishte autorizuar Medica Kosova dhe tri organizata të tjera të grave për të përfaqësuar të mbijetuarat në njohjen e statusit të tyre, mbështetja që kanë marrë të mbijetuarat e dhunës seksuale në plotësimin dhe dorëzimin e formularëve të aplikimit para Komisionit Qeveritar, ka qenë tejet profesionale dhe produktive.

Suksesi i kësaj nisme mund të përkthehet edhe në 11 të mbijetuara të dhunës seksuale gjatë luftës të cilat morën pjesë në gjithsej 39 seanca këshilluese psiko-sociale dhe 32 seanca juridike.

Për gjithë këto të arritura, kanë pasur rastin të dëgjojnë rreth 1,800 qytetarë nga tri rajonet e sipërpërmendura, përmes një programi në radion lokale të Gjakovës, ku Drejtorja Ekzekutive e Medica Kosova, Veprore Shehu bëri thirrje  që të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës të përkrahen nga familja dhe komuniteti. Kështu kjo nismë ka ndikuar edhe në ngritjen e vetëdijes qytetare lidhur me këtë çështje.

Përmes kësaj mbështetje të dhënë për dy organizatat anëtare, RrGK ka vazhduar përpjekjet e kahmotshme për njohje dhe respekt për të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë. Që prej vitesh RrGK ka përkrahur në disa mënyra të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës.

Informata të tjera:   

 “Sikur të mos ishte procesi këshillues për të kuptuar se si ta përballojmë procesin, unë nuk do të mund të isha në gjendje që të përshkruaja në formën e aplikimit secilin detaj të ngjarjes sime traumatike. Do të ndihesha edhe më keq se para se të aplikoja”.  -E mbijetuar e dhunës seksuale. 

 

 “Nuk kam menduar se do të mund të aplikoja për njohjen e këtij statusi pa e treguar gjithë historinë time para Komisionit. Unë madje mendoja se do të kishte kamera përreth për të xhiruar storien time”. -E mbijetuar e dhunës seksuale. 

 

   “Kam menduar se di shumë rreth ndikimeve të traumave nga dhuna seksuale, si dhe mbi mënyrat si mund t’i udhëzojmë të mbijetuarat për të marrë ndihmën e nevojshme. Ky trajnim më ka mësuar si të baraspeshoj dëshirën time për mbështetje me qasjen e duhur në mënyrë që të mos u bëj atyre  [të mbijetuarave] më shumë dëme”. -Përfaqësuesi i Zyrës për Barazi Gjinore, Gjakovë. 

Më 18 qershor 2019 përfaqësuese të RrGK-së kanë vizituar Komisionin Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Personave të Dhunuar gjatë Luftës Çlirimtare të Kosovës për të shprehur përkrahje për punën e tyre. 

Kurse, më 20 maj 2019 RrGK ka mbështetur marshin e organizuar në shenjë mbështetjeje dhe solidarizimi me të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë.  

KËTU mund të lexoni kumtesën për media që RrGK ka dërguar më 1 prill 2019, përmes së cilës ka bërë thirrje për njohje dhe respekt për të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.