Të rinjtë shqiptarë dhe serbë bashkohen në promovimin e barazisë gjinore 

Gjithsej 30 vajza, 15 nga komuniteti shqiptar dhe 15 nga ai serb tani janë njohëse të mira të të drejtave të njeriut, e në veçanti të të drejtave të grave. Kjo falë një varg trajnimesh që ato ndoqën për legjislacionin vendor dhe atë ndërkombëtar që trajton këto fusha.  

Gjithashtu, rreth 170 vajza dhe gra nga 10 fshtara të Komunës së Prishtinës janë ndërgjegjësuar për të drejtat e tyre, me theks për të drejtën për trashëgimi. 

Këto janë vetëm disa nga rezultatet që flasin për suksesin e nismës  “Çfarë sjell e nesërmja me mua” , të ndërmarrë nga dy organizata anëtare të Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK), “Dera e Hapur”dhe “Ruka Ruci”, si përfituese nga raundi i 12-të i Fondit të Grave të Kosovës (FGK). 

Aktiviteti përmbyllës i këtij projekti mblodhi vajzat nga shkollat e mesme të kryeqytetit, të cilat diskutuan me plot zell pëpraninë e stereotipeve gjinore në shoqëri, si dhe mënyrat më të mira për luftimin e tyre. 

Trajnerja Valentina Bejtullahu, në punëtorinë e mbajtur në muajin maj, bashkëbisedoi me nxënëset për dallimet ndërmjet gjinisë dhe seksit, rolet gjinore, pabarazitë ndaj vajzave dhe stereotipet gjinore, si dhe në pjesën e dytë për bulizmin dhe ndikimin e tij në shëndetin mental të të rinjve.    

“Për një vend të njejtë të punëgratë paguhen më pak se burrat, andaj edhe duket se burrat janë më të menqur. Mirëpo, kemi edhe burra edhe gra të menqura. Sipas legjislacionit gratë dhe burrat gëzojnë të drejta të barabarta, por jo edhe në praktikë”, u shpreh Bejtullahu.  

Stereotipet gjinore u shtjelluan përmes një aktiviteti ku nxënëset shprehën mendimet e tyre në pyetjet “Burrat apo gratë kujdesen më mirë për fëmijët?”, “A janë më emocional burrat apo gratë?”, si dhe “A janë më të suksesshëm gratë apo burrat?”.  

“Gratë janë më emocionale, mirëpo unë këtë e konsideroj si gjë shumë të mirë. Burrat duhet t’i shprehin emocionet ashtu si gratë”, u shpreh një nxënëse e Shkollës Fillore Meto Bajraktari”. 

 Nevenka Rikalo, Drejtore e “Ruka Ruci” ka treguar se të njejtat trajnime janë mbajtur edhe për të rinjtë serbë, kjo me qëllim që të dy etnitë të bashkohen në luftimin e sistemit patriarkal. 

“Gjatë takimeve nxënësit e kanë kuptuar qëllimin e kësaj nisme dhe e kanë vlerësuar si të rëndësishme. Edhe nxënësit shqiptarë kanë shkuar në ambientet e shkollave serbe dhe kjo është një e arritur sepse u mundëson nxënësve që të takohen dhe të bashkëpunojnë”, u shpreh Rikalo.    

Ndërsa, Belgjyzare Muharremi, Drejtore Ekzekutive, “Dera e Hapur” ka prezantuar temat të cilat u trajtuan. 

“Qëllim kemi informimin e të rinjve me dukuritë si; pabarazitë gjinore, stereotipet gjinore, ngacmimet seksuale dhe patriarkalizmin. Të dy shoqatat punojmë me gra dhe vajza si të komunitetit shqiptar po ashtu edhe të atij serb”, tha Muharremi.  

Shumë vite pune të këtyre dy organizatave të bashkuara me kontributin e dhënë përgjatë realizimit të kësaj nisme nga stafi i RrGK-së, kanë bërë që epilogu të jetë një grup aktiv i vajzave, të hapura ndaj bashkëpunimit dhe të përkushtuara për të përmirësuar pozitën e grave dhe vajzave në shoqërinë kosovare.