Teuta ka punuar shumë që nga fëmirija. Si grua e pavarur, e cila dëshironte të ndryshonte komunitetin e saj, ajo vendosi të fillonte karrierë në arsim. Tashmë janë bërë 30 vite që ajo punon si mësimdhënëse në Gjakovë.
Teuta vazhdoi të punonte edhe pasi u martua, ndryshe nga shumë gra të brezit të saj, të cilat zgjodhën ta linin punën. Në vitet ’90, kur bashkëshorti i saj u pushua nga puna, ajo u bë shtylla e familjes dhe vazhdoi ta përkrahte familjen e saj edhe për dy dekadat që do të vinin. Ajo paguante faturat dhe investonte në shtëpi, por kurrë nuk kishte marrë guximin t’i kërkonte bashkëshortit ta regjistronte shtëpinë si prone të përbashkët, nga frika se mos komuniteti apo familja do ta paragjykonte.
Një ditë, ajo rastisi me një takim të organizuar nga një grup grash në qytetin e saj për të rritur ndërgjegjësimin lidhur me të drejtat pronësore. Teuta vuri re se Femrat Aktive të Gjakovës (FAGj), organizatë anëtare e Rrjetit të Grave të Kosovës, i dha kurajon që i kishte munguar gjatë gjithë jetës. “Papritmas, ndjeva se duhej të ngrija zërin për atë që është e imja, dhe vendosa: ‘Nuk dua t’ia di se ç’mendojnë të tjerët për mua. Do të shkoj e do të flas me burrin për shtëpinë tonë”, tha Teuta.
Ata parashtruan një kërkesë për ta regjistruar pronën në emër të të dy bashkëshortëve, gjë që është tashmë në fazën përfundimtare. Teksa mendon për rastin e saj, Teuta thotë se ndihet e irrituar që askush nuk i kishte folur për të drejtat e saj. Ndoshta, nëse do t’i kishin folur, ajo do ta kishte nisur këtë proces më herët.
“Nuk do ta bëj kurrë të njëjtin gabim përsëri me dy djemtë e mi dhe gratë e tyre,” premton ajo. “Do t’u flas të gjithëve, do të sigurohem që ata të ushtrojnë të drejtat që ua garanton ligji, siç po bëj unë tani, pas 25 vitesh.”
Teuta është njëra prej 15 grave që FAGJ-ii ka ndihmuar, që prej janarit të 2017-ës, për të rifituar të drejtën e pasurisë dhe trashëgimisë. Gjithsej, 150 gra kanë marrë ndihmë ligjore lidhur me pronën nga Rrjeti i Grave të Kosovës, i cili i filloi përpjekjet e tij në maj të 2016-ës, me financim nga PPSE Swiss Contact.