Një nismë e organizatës anëtare të Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK), Humanus Vita, ka bërë që të nisë thyerja e tabuve lidhur me edukatën seksuale në disa shkolla në komunën e Drenasit.
Organizata ka përmbyllur me sukses nismën “Përfshirja e edukatës seksuale dhe sfidimi i stereotipeve drejt transformimit të normave gjinore përmes edukimit” falë grantit të dhënë nga Fondi i Grave të Kosovës i RrGK-së.
Përgjatë periudhës gusht-nëntor 2023, në nismë kanë qenë të përfshirë katër mësues të biologjisë nga shkollat fillore, katër drejtorë shkollash, Drejtoria Komunale e Arsimit në Drenas, së bashku me psikologët, edukatorët dhe koordinatorët e shkollave.
Përmes këtij projekti është synuar të kuptohet më shumë për tabutë rreth edukimit seksual. Gjithashtu është synuar të ngritet vetëdija e të rinjve për njohjen e trupit të tyre, orientimin seksual, uljen e rasteve të ngacmimeve seksuale dhe sulmeve seksuale, sëmundjeve seksualisht të transmetueshme si dhe shtatëzanive të padëshiruara.
Doruntina Gashi, koordinatore e projektit në Humanus Vita, tha se projekti ka për qëllim të ndriçojë rrugën drejt një shoqërie më të ndërgjegjshme dhe të barabartë, duke ngritur nivelin e dijes dhe vetëdijësimit për rëndësinë e edukatës seksuale.
Gashi më tej shtoi se edukimi seksual në vend nuk ekziston si lëndë e veçantë në kurrikulën bërthamë, por është e përfshirë në kuadër të lëndës së biologjisë.
Humanus Vita e realizoi këtë nismë si përfituese e raundit ë 18-të të Fondit të Grave të Kosovës, përmes nismës së RrGK-së “Avancimi i iniciativës për të drejtat e grave II”, financuar nga Agjencia Austriake për Zhvillim (ADA) dhe bashkëfinancuar nga Agjencia Suedeze për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ndërkombëtar (Sida).