Venera

Pak kosovarë mund të paguajnë për avokat kur kanë nevojë për këshillim apo asistencë ligjore. Prandaj, OJQ-ja Venera në Pejë ka marrë kërkesa nga qytetarët për ndihmë për çështje të ndryshme ligjore. Në të njëjtën kohë, avokatet e reja i janë bashkangjitur Venerës për shqetësimet e tyre: si të reja, ato përpiqen të sigurojnë punë në Pejë apo përvojë pune e cila do t’iu mundësonte të aplikonin për punë në vende të tjera. Duke kuptuar sfidat me të cilat përballen të rejat dhe qytetarët e lokalitetit, përfaqësuesve të OJQ-së Venera iu erdhi një ide novatore.

Venera vendosi të bëjë një projekt pilot, një nismë e vogël nëpërmjet së cilës avokatet e reja do të ofronin ndihmë ligjore falas për njerëzit të cilët nuk mund ta përballojnë atë ekonomikisht. Në të njëjtën kohë, ato do të plotësonin nevoja të rëndësishme në kuadrin e komunitetit të tyre.

Me mbështetjen e Fondit të Grave të Kosovës (2,666 €), Venera punësoi dy avokate të reja, të cilat, në gusht të vitit 2013, filluan t’iu ofrojnë qytetarëve shërbime ligjore falas.
“Dikur punoja si avokate në Kuvendin Komunal,” tha Shqipe Sheremeti, avokate në “Venera”. “Por kjo punë më përmbush shumë. Këtu jam më afër njerëzve dhe mund t’i ndihmoj ata.”

Nën drejtimin e kujdesshëm të avokates me përvojë Miradije Gashi, Drejtoreshë Ekzekutive, deri në nëntor organizata ka ndihmuar 17 persona të cilët përndryshe nuk do të kishin patur qasje në shërbime të tilla. Kjo ka përfshirë, mes të tjerash, ndihmën me autorizime zyrtare, këshillimin ligjor, dhe pagimin dhe/ose kundërshtimin e gjobave. Gjithsej, organizata iu ka ofruar klientëve të saj pa pagesë shërbime ligjore në vlerë prej 2,570 €.
“I kisha shkruar aq shumë kërkesa Kuvendit Komunal për problemin tim,” tha një prej klientëve të Venerës. “Por këtu me Miradijen, Shqipen dhe Syzanën është ndryshe. Ato janë shumë të sjellshme dhe mund të flasësh lirshëm. U gëzova shumë kur më ofruan ndihmë falas.”

Megjithëse mbështetja për Venerën nga Fondi i Grave të Kosovës përfundoi në 30 nëntor, nga puna e saj deri më sot mund të shihet se nevojat janë të mëdha. Ajo po vazhdon të punojë në baza vullnetare, duke përfshirë asistimin e klientëve në mbarimin e proceseve të cilat i kanë filluar. Ajo planifikon t’i paraqesë kërkesë Fondit të Grave të Kosovës, si dhe donatorëve të tjerë në të ardhmen, për të shtuar numrin e përfituesve gjatë viteve në vijim.