20 vite punë të RrGK-së për ta luftuar dhunën me bazë gjinore

Me datë 6 dhjetor, në Konferencën Rajonale “Të bashkuar kundër dhunës – mjaft!” të organizuar nga Zyra e Presidentes të Republikës së Kosovës dhe Ministria e Drejtësisë së Republikës së Kosovës, në panelin diskutues “Roli i shoqërisë civile në avokimin dhe politikëbërjen në fushën e dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje”, mori pjesë edhe Adelina Berisha, Menaxhere e Programit për Adresim të Dhunës me Bazë Gjinore në RrGK.

Në fjalimin e saj, znj. Berisha përmendi disa prej sukseseve të RrGK-s֝ë që nga paslufta,në drejtim të luftimit të dhunës me bazë gjinore. Më poshtë lexojeni fjalimin e saj në këtë Konferencë.

“Është kënaqësi sot ta ndaj këtë panel me gjithë këto motra aktiviste nga rajoni prej të cilave kemi pasur fatin të mësojmë shumë. Besoj që secila prej nesh jemi një arkiv i gjallë dhe kemi një histori të aktivizmit në vendet tona. Arkivi im fillon me dokumente nga viti 2007, kur edhe u bëra pjesë e Rrjetit të Grave të Kosovës dhe mendoj që për këto vite kam mjaft suksese me i nda, por koha nuk ka me mjaftu.

Duke qenë një organizatë me bazë me anëtarësi, me 144 organizata anëtare të cilat vijnë nga gjitha rajonet e Kosovës përfaqësojnë të gjitha etnitë në Kosovës, pa dallim të orientimit seksual, të besimit etj, ne kemi pasur fatin që gjithmonë realitetin dhe problemet e grave t’i marrim nga terreni. E kemi këtë bashkëdyzim të grassroot dhe të think tank, që na ka ndihmu me e kuptu se çka vjen nga terreni, por edhe si të ndikojmë në politika.

Organizatat e grave janë themeluar për shkak të nevojës, jo pse kanë pasur projekte apo buxhet, por pse gratë iu kanë trokitur këtyre grave në dyer dhe kanë kërkuar mbështetje. Ka filluar prej dhunës seksuale gjatë luftës dhe nga viti ‘99 kemi filluar të krijojmë mekanizma për adresim të dhunës ndaj grave, e ka vazhduar edhe në periudhën e pasluftës duke avancuar politika, por edhe duke e pozicionuar rëndësinë tonë (e grave) në krijimin e politikave dhe shtetbërjes dhe të arritjes së barazisë gjinore. Strehimoret, qendrat të cilat kanë ofruar shërbime për viktimat e dhunës seksuale janë të gjitha anëtare të Rrjetit dhe bashkë me Rrjetin fillimisht e kemi tejkaluar stigmën.

Kemi qenë të parat që këto problematika i kemi sjellë në sferë publike dhe i kemi bërë të ditura për qytetarët, por edhe politikbërësit të cilët në periudha të ndryshme as nuk kanë dashur as të na dëgjojnë, e as të na besojnë.

Mirëpo si Rrjet gjithmonë kemi dashur të avokojmë bazuar në fakte. Në vitin 2008 kemi bërë hulumtimin e parë si organizatë e parë që ka vlerësuar shtrirjen e dhunës në familje në Kosovë, në mënyrë që t’i njoftojmë institucionet tona që ky problem ekziston dhe që sa më shpejtë të marrim hapat që duhet për ta adresuar. Po flas për një periudhë kur Kosova ende nuk ishte shtet dhe funksiononte me rregullore të UNMIKU-t  dhe ky hulumtim ishte bazë për fillim të menjëhershëm të hartimit të Ligjit të parë për Mbrojtje nga Dhuna në Familje, i cili u miratua në vitin 2010 dhe ishte aktual deri në shtator të këtij viti, kur edhe u plotësua dhe u ndryshua. Pas këtij ligji menjëherë puna jonë ka ndikuar në hartimin e strategjisë dhe planit të parë të veprimit i cili ishte për periudhën 2011 -2015 i përcjellë edhe me dy strategji tjera përfshirë edhe këtë aktualen, e cila sot ka diku rreth 70 për qind të rekomandimeve të RrGK-së të integruara në të.

Ne jemi gjithmonë pjesë e gjitha grupeve punuese gjatë hartimit të çfarëdo ligji që ka të bëjë me barazi gjinore, përfshirë këtu edhe legjislacionin për adresimin e dhunës me baza gjinore.  

Në vitin 2012 bëmë një analizë (Me çfarë çmimi?!) për ta parë se sa i kushton shtetit për ta parandaluar dhunën. Është një hulumtim, i cili besoj se edhe sot është aktual dhe mund të përdoret edhe sot nga institucionet tona për ta parë se si do të ishte shumë më efikase të fokusohemi në parandalim dhe sa do t’i kushtojë trajtimi dhe rehabilitimi shtetit të Kosovës.

Kemi bërë hulumtimin e parë dhe kemi filluar fushatën e parë për ta sujellë në skenë publike ngacmimin seksual, pasi ne ishim në terren dhe vajzat tona po vuanin nga ngacmimi seksual, por për këtë problematikë nuk fliste askush.

Andaj filluam fushatën “Take Back the Night” në vitin 2014, pra 4-5 vite para se #metoo Movement ta merrte këtë përmasë globale, ne në Kosovë ishim të njoftuara me problemin e ngacmimit seksual dhe se sa gratë dhe vajzat vuanin nga kjo dukuri në Kosovë.

Kjo fushatë u përcjell me hulumtimin e parë Ngacmimi Seksual në Kosovë i cili u lansua në vitin 2016. Çdo nismë ne e bëmjë me strategji, pra duke hulumtuar dhe duke i njoftuar format e dhunës që janë prezente në shoqëri që sa më shpejtë të avkokojmë dhe ta integrojmë Konventën e Stambollit në Kushtetutën e Kosovës. Pra, kur të vjen kjo fazë të mos na thonë se këto probleme nuk ekzistojnë në shoqërinë tonë. Në mundohemi çdo gjë ta dëshmojmë me fakte me hulumtime me gra e burra qytetarë të Kosovës me mostra përfaqësuese me mbi 1300 qytetarë të anketuar.

Pas hulumtimit të ngacmimit seksual jemi fokusuar në adresim të legjislacionit dhe nëse ju kujtohet, diku në vitin 2018 ka filluar puna për ndryshimin për Kodin Penal. Donatorë të ndryshëm ishin kundër propozimeve tona për futjen e dhunës në familje, ngacmimit seksual, gjymtimit të organeve gjenitale femërore, përndjekjes e që gjitha këto kërkoheshin me Konventën e Stambollit e ne nuk e kishim ende Konventën e Stambollit pjesë të Kushtetutës së Kosovës. Ne i paraprimë këtij procesi  dhe me grupe punuese edhe pse kishte kundërshtime ne arritën t’i bindim dhe gjitha këto vepra tani figurojnë si vepra penale në Kodin Penal të Kosovës.

Ky hap u përcjell me strategji e cila u zgjerua me të gjitha format e dhunës edhe pse nuk e kishim Konventën e Stambollit në Kushtetutë, por ne veç ishim në proces që të votohet Konventa dhe prej vitit 2020 Konventa është pjesë e Kushtetutës së Kosovës dhe pa modesti mund të them që ky është një kontribut direkt i organizatave të grave dhe aktivisteve feministe.

Nga viti 2018 kemi tejkaluar sfidën e strehimoreve. Për vite me radhë strehimoret e kanë pasur sfidën e mbështetjes financiare nga shteti e shteti është i obliguar t’i mbështesë  ato për shkak se i blen shërbimet prej këtyre organizatave dhe nga viti 2018 kemi arritur ta kemi një linjë të veçantë në Buxhetin e Kosovës – Linja për Shërbimet Bazike për Strehimoret. Janë disa problematika me linjën sepse nuk po shkon direkt tek strehimoret, por edhe organizatat tjera përfitojnë nga kjo linjë, por kjo ka qenë një sukses, të cilin me krenari e themi dhe nga ajo kohë  buxheti është rritur vit pas viti dhe shpresojmë që ky buxhet të jetë konform nevojave të strehimoreve.

Tash së fundmi bashkë me Ministrinë e Drejtësisë, me mbështetjen e UN Women përmes fondeve të BE kemi hartuar Protokolin e parë në Kosovë për trajtimin e rasteve të Dhunën Seksuale, bashkë me juve Ariana kemi hartuar dy module të trajtimit të dhunës në familje dhe dhunës seksuale e trafikimin, e që janë të  obligueshme për punëtorët socialë. Të hënën e patëm çertifikimin e trajnerëve të parë e që do ta shpërndajnë dijen tek punëtorët tjerë socialë që punojnë me viktimat e dhunës me bazë gjinore.

Gjithmonë dërgojmë rekomandime tek hartimet e buxheteve varësisht prej nevojave dhe këtë herë kemi pasur fokus që Komuna të rrisë numrin e punëtorëve socialë dhe presim, që të marr linja e cila jetë në praktikë dhe numri i punëtorëve socialë të rritet nëpër qendra në mënyrë që sa më shumë punëtorë të jenë në dispozicion të viktimave. Kemi kërkuar edhe rritje numrit të mbrojtësve të viktimave për rastet e dhunës me bazë gjinore. Jemi duke i monitoruar rastet e dhunës me bazë gjinore si dhe të ofrojmë mbështetje ligjore për viktimat. Ne nuk kemi qenë organizatë që ofrojmë shërbime, por nevoja na ka bërë pasi që e kemi parë se gratë po mbesin dyerve të institucioneve duke kërkuar mbështetje dhe kemi vendosur ta angazhojmë një avokat i cili po iu ndihmon grave në këshillim, referim dhe përfaqësim në gjykata.

Po e shohim që kur ne jemi prezent në këto raste, më mirë po trajtohen rastet, e neve na vjen keq për këtë sepse institucionet tona do të duhej t’i trajtojnë dinjitetshëm rastet ashtu si e meritojnë dhe ashtu si e kërkon ligji. Por, prezenca jonë po e rrit efikasitetin.

Adresimi i dhunës nuk bëhet vetëm nga një kënd, ne kemi një qasje multisektoriale në adresim të dhunës dhe jemi pjesë e grupeve punuese në hartimin e kurrikulave të arsimit në mënyrë që të ndikojmë edhe ndryshimin e normave sociale e që janë ato të cilat na pengojnë ta luftojmë dhunën. Fatkeqësisht qytetarët që e tolerojnë dhunën janë punonjës të institucioneve. Po dërgojmë rekomandime edhe në Ligjin e Punës, sepse të gjitha janë të ndërlidhura.

Jemi duke i bërë gjitha këto që ta adresojmë dhunën dhe mesazhi im sot është se:  Si qytetarë, secili prej nesh kemi rol ta luftojmë dhunën, pra dhuna nuk është çështje private dhe vetëm duke qenë aktiv dhe zëri i viktimave, ne mund ta luftojmë dhunën. Një thirrje edhe burrave që të jenë më vetëkritik, sepse ata duhet të ndërmarrin masa për t’i ndryshuar sjelljet dhe veprimet e tyre nëse dëshirojmë që gratë e burrat të jenë të barabartë.