RrGK kontribuon me rekomandime në Konsultimet Publike të MIE

Nën-komitetet e procesit të Marrëveshjes për Stabilizim-Asociim mbi Inovacionin, Shoqërinë e Informacionit dhe Politikat shoqërore do të takohen për herë të tretë gjatë kësaj jave, me 8 shkurt, në Bruksel. Ky do të jetë takimi i tyre i parë në vitin 2019.

Nën-komitetet janë mekanizma të formuar në kuadër të dialogut teknik, në Procesin e Stabilizim Asocimit. Në takimet e tilla mes komisionit Evropian dhe Qeverisë së Kosovës, diskutohen çështje me karakter teknik dhe politik dhe zbatimi i reformave.

Para dialogut politik mes qeverisë së Kosovës dhe përfaqsuesve të Bashkimit Evropian, Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) me 5 shkurt në Prishtinë, mori pjesë në konsultimet publike me shoqerinë civile të organizuara nga Ministria e Integrimit Evropian.

Ky është cikli i dytë i konsultimeve publike në të cilat RrGK ka marrë pjesë këtë vit, por i cili kësaj radhe kishte në fokus Inovacionin, Shoqërinë e Informacionit dhe Politikat Shoqërore. Jeton Karaqica, Drejtor i Departamentit të Kritereve Ekonomike dhe Tregut të Brendshëm në Ministrinë e Integrimit Evropian, hapi diskutimin sa i përket zhvillimeve në këta sektorë duke i falenderuar përfaqësuesit e shoqërisë civile për pjesëmarrjen e tyre. “Rëndësia e këtyre konsultimeve qëndron në mbledhjen e informatave të mjaftueshme, dhe reflektimin e një situate reale në Raportin e Progresit, si dhe në pajtimin për objektivat që duhet të caktohen për vitin në vijim”, theksoi ai.

Sa i përket progresit të Kosovës në Politika Shoqërore dhe Punësim, RrGK rekomandoi që balancimi gjinor duhet të mirret parasysh, në punësimin e grave dhe burrave në të gjitha nivelet, sipas Ligjit për Barazi Gjinore.

Çështja e shërbimeve të pamjaftueshme të përkujdesit për fëmijë u përcoll me një diskutim të përgjithshëm nga përfaqësuesit e pranishëm të organizatave të shoqërise civile. Ata u pajtuan që investimi në shërbimet e tilla, mundet dhe në fakt, ndikon në përqindjen e grave të punësuara, ashtu siç theksohet edhe në Analizën Gjinore të Kosovës të përpiluar nga RrGK.

Sa i përket sektorit të Arsimit, RrGK rekomandoi një monitorim më të përafërt të rishikimit gjinor të kurrikulës në aspektin e transformimit të roleve gjinore dhe diskriminimit gjinor në tekste shkollore, ri-trajnimin e mësimdhënësve dhe përcjelljen e performancës së tyre. MIE pohoi se kurrikula ende nuk është duke u zbatuar plotësisht, dhe se ekziston konfuzion mes mësimdhënësve në përdorimin e teksteve të reja shkollore.

RrGK gjithashtu ri-theksoi se kurrikula dhe tekstet shkollore duhet të përditësohen në mënyrë që tu pershtaten nevojave të fëmijeve me aftësi të kufizuara. Shteti duhet te ndajë buxhet të mjaftueshëm për asistentë personalë, pa të cilët qasja e fëmijëve me aftësi të kufizuara në edukim është tejet e kufizuar; MIE theksoi se kjo çështje do të jetë një ndër prioritetet e ERA 2.

ERA është një marrëveshje e arritur në Maj të vitit 2016 mes Komisionit Evropian dhe Qeverisë së Kosovës, për të rritur përfitimet ekonomike dhe politike në kuadër të MSA-së. Për të arritur këtë qëllim, ERA përcakton prioritete afatshkurtra për Qeverinë e Kosovës në fushën e sundimit të ligjit, konkurrencës dhe investimeve klimatike, edukimit dhe punësimit. Veprimet dhe prioritetet që ndërmirren në kuadër të ERA identifikohen dhe përditësohen çdo vit nga Qeveria e Kosovës dhe Komisioni Evropian, në konsultim të përafërt me institucionet ndërkombëtare financiare, bizneset, shoqërinë civile dhe partnerët tjerë socialë.

Sipas zyrtarëve të MIE, prioritetet për ERA 2 së shpejti do të bëhen publike, dhe do të përfshijnë objektivat të cilat kanë mbetur pa realizuar në marrëveshjen e parë të ERA.

Më tutje, zyrtarët e MIE theksuan se objektivat e ERA për këtë vit do të jenë më specifike dhe më reale, në mënyrë që zbatimi i tyre të arrihet brenda pritshmërive të caktuara kohore.

Realizimi i këtyre prioriteteve do ta ndihmojë Kosovën në avancimin e saj drejt implementimit të MSA-së, duke përforcuar kështu gjasat e Kosovës për t’iu bashkuar BE-së.