Për gjashtë muaj, 400 gra u informuan për mjetet ligjore për mbrojtjen nga dhuna me bazë gjinore

Nga muaji prill e deri në shtator të këtij viti, 50 gra viktima të dhunës, veçanërisht gra nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian që jetojnë në komunat e Gjakovës, Deçanit dhe Junikut, kanë marrë ndihmë konkrete juridike dhe psikologjike në kuadër të projektit “Ofrimi i mbështetjes ligjore dhe psikologjike për gratë që janë viktima të dhunës në bazë gjinore”.

Ky projekt është realizuar nga Organizata Joqeveritare “Femrat Aktive të Gjakovës”, është mbështetur nga Fondi i Grave të Kosovës dhe është financuar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë.

Gjatë këtyre gjashtë muajve, 400 gra janë informuar mbi mekanizmat ligjorë për mbrojtjen nga dhuna me bazë gjinore. Informimi është bërë përmes takimeve derë më derë, online dhe përmes telefonit.

This image has an empty alt attribute; its file name is image-4.png

Ndërkaq, më 29 shtator, në Gjakovë është mbajtur një takim në kuadër të këtij projekti, ku është avokuar drejt koordinimit dhe bashkëpunimit ndërinstitucional në lidhje me ofrimin e shërbimeve juridike dhe psikologjike për gratë viktima të dhunës në bazë gjinore; rreth problemeve të identifikuara në terren me anëtarët e MKKDHF; prania e përfaqësuesve institucional vendorë dhe bashkëpunimi i tyre gjatë sesioneve të rritjes së ndërgjegjësimit, në ndërtimin e besimit dhe partneritetit midis përfituesve të projektit, grupeve të margjinalizuara dhe autoriteteve lokale.

Ky takim u organizua me diskutime të hapura, ku pjesëmarrësit kanë ndarë mendimet, përvojat dhe perspektivat e tyre që përfaqësojnë ligjërisht.

Juristja Arbnore Shehu Bunjaku e cila në këtë inciativë ka qenë e përfshirë si trajnere, tregoi se në kuadër të këtij projekti janë kryer tri aktivitete.

“Problemet më të mëdha i kemi hasur gjatë këtyre takimeve tek komuniteti rom, ashkali, egjiptian për shkak se kanë shumë pak njohuri lidhur me të drejtat e tyre ligjore, ku duhet të trokasin për çdo problem, ku raportohet dhuna, braktisja e shkollave që është vepër penale, martesat e hershme që janë vepra penale e kështu me radhë”.

Disa prej rekomandimeve që u nxorën në këtë tryezë diskutimi ishin shtimi i numrit të rasteve të gjyqtarëve, plotësim-ndryshimi i Ligjit për familje, shtimi i numrit të mbrojtësit të viktimave edhe nëpër komuna të tjera.

Në këtë tryezë diskutimi, Erblina Dinarama, drejtoreshë në strehimoren “Shtëpia e Sigurtë” në Gjakovë, bëri të ditur se momentalisht në këtë strehimore qëndrojnë 25 gra dhe fëmijë.

“Për momentin në ‘Shtëpinë e Sigurtë’ në Gjakovë janë të strehuara 25 gra dhe fëmijë. Kurse, nga fillimi i janarit e deri më 31 gusht kanë qenë 141 nëna dhe fëmijë që kanë ardhur në strehimore” – bëri të ditur ajo.

Ndërkaq, lidhur me raste e dhunës në familje, Enis Gashi, prokuror në Prokurorinë Themelore në Gjakovë, tha se këto raste trajtohen me prioritet.

“Sa i përket rasteve të dhunës në familje, dua t’iu njoftoj që këto raste trajtohen me prioritet. Një pjesë e këtyre rasteve në vend sa i përket, gjykatës, prokurorisë, shkojnë me masë të sigurisë, caktimi i paraburgimit për të dyshuarit që me u siguru viktima, mos me u përsërit vepra edhe e kemi pasur një numër mjaft të madh të rasteve sidomos këtë vit. Kemi një raport për periudhën janar – gusht dikund mbi 50 raste veç me paraburgim. Si numër janë mbi 100 e më tepër mirëpo me paraburgim kanë qenë dikund rreth 50 apo 60 raste” – tha Gashi.

Në anën tjetër, Valbona Doli Rizvanolli, drejtoreshë në OJQ “Femrat Aktive të Gjakovës” theksoi se një ndër problemet kryesore te viktimat e dhunës është ndryshimi i deklaratave.

“Unë konsideroj që tek këto komunitete është edhe një problem përkundër asaj që ne mundohemi t’i vëtdijesojmë. E raportojnë rastin për dhunë seksuale ose dhunë në familje. Në polici e raportojnë që ka ekzistuar dhuna, provat tregojnë që ka pasur dhunë, kur shkojnë te prokurori fillojnë ngadalë-ngadalë ta ndryshojnë deklaratën e tyre. Por ku është problemi, pse po tërhiqen? Tërhiqen sepse nuk e kanë mbështetjen e shtetit. Shteti nuk ofron mbështetje për to dhe zgjidhja e vetme është që viktima të kthehet prapë te dhunuesi, dhe zakonisht numrin më të madh të rasteve e shohim se kthehen tek dhunuesi”.

Ndërkaq Dinarama tha se “Periudha e qëndrimit në strehimore për asnjërën viktimë nuk është e njëjtë sepse varet nga vet viktima sa është në gjendje të rehabilitohet. Ka gra që e tejkalojnë më lehtë, më shpejtë dhe ka gra që u duhet më shumë kohë. Pra, një nënë nëse nuk është e gatshme që të përkujdeset për fëmijët e vet atëherë nuk mund të bëjmë kërkesa për t’ia siguruar banimin social ose sigurimin e banesës me qira” – shpjegoi Dinarama duke përmendur se plani i veprimit për viktimën bëhet në koordinim me Qendrën për Punë Sociale.

OJQ Femrat Aktive të Gjakivës kanë realizuar këtë aktivitet si përfituese e grantit të Raundit të 17-të të Fondit të Grave të Kosovës, përmes nismës së RrGK-së “Ngritja e kapaciteteve dhe qëndrueshmërisë së OShC-ve: Avancimi i barazisë gjinore në mes të pandemisë COVID-19”, financuar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë.