Përmes angazhimesh tona të rëndësishme qëndron edhe bashkëpunimi i Rrjetit të Grupeve të Grave të Kosovës me Rrjetin e Grave në të Zeza të Serbisë me qëllim të krijimit të Koalicionit të Grave për Paqe, me 7 maj. Koalicioni përbëhet me aktiviste nga Kosova dhe Serbia dhe kërkon që t’i bëjë më të dukshme perspektivat e grave në ndërmarrjet politike në Serbi dhe Kosovë. Duke u angazhuar drejt arritjes së një paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme, Koalicioni i Grave për Paqe punon për përfshirjen e grave në proceset e krijimit të paqes si partnerë të barabartë. Kjo iniciativë e pavarur qytetare themelohet mbi bazat e solidaritetit të grave dhe si e tillë tejkalon gjithë kufijtë, barierat dhe ndarjet kombëtare, etnike dhe fetare. Koalicioni ka pranuar përkrahje të vazhdueshme nga Fondi Zhvillimor i Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Gratë (UNIFEM).
Në një nga veprimet e para më të rëndësishme, koalicioni ka lëshuar një deklaratë me të cilën informon negociatorët për statusin final të Kosovës lidhur me mbrojtjen e monumenteve të trashëgimisë kulturore në Serbi dhe Kosovë. Në këtë letër të adresuar për ekipet negociatore, koalicioni thekson nevojën për të identifikuar dhe mbrojtur monumentet kulturore, siç janë kishat, xhamitë, dhe katedralet nga degradimi fizik dhe eksploatimi politik. “Monumentet kulturore ndërlidhen me trashëgiminë kulturore, historinë dhe komunitetet e të
gjitha grupeve etnike, dhe rrjedhimisht të gjitha grupet etnike kanë të drejtë që bashkërisht të shfrytëzojnë, preservojnë dhe mbrojnë këto monumente”, theksohet në deklaratë.
Gjatë tërë vitit 2006, Koalicioni i Grave për Paqe u ka shkruar letra dhe është takuar me vendim-marrësit kyç, siç janë i Deleguari i
Posaçëm i Sekretarit të Përgjithshëm për Negociatat e Statusit të Ardhshëm të Kosovës, Presidenti Martti Ahtisaari. Rrjedhimisht, koalicioni ka kontribuar në implementimin e Rezolutës 1325, duke bërë që zëri i gruas të dëgjohet në proceset paqësore.
Shtatori shënoi një moment historik për paqen e qëndrueshme në Kosovë, Serbi dhe rajon. Koalicioni i Grave për Paqe mbajti një konferencë treditore në Strugë të Maqedonisë, me temën “Gratë, Paqja dhe Siguria” për të bërë më të dukshme punën e aktivisteve paqësore drejt krijimit të një paqeje të qëndrueshme në rajon. Konferenca mbahej në kohën e negociatave zyrtare për statusin final të
Kosovës. Përmes një deklarate të përbashkët, gjashtëdhjetë aktiviste të paqes nga Kosova dhe Serbia arritën tek përfundimi se paqja në rajon nuk mund të arrihet pa pjesëmarrje aktive të grave. Më tej, ato përkrahën pavarësinë dhe integritetin territorial të Kosovës si një shtet civil me sistem funksional të drejtësisë. Ato gjithashtu kërkuan që të drejtat e të gjithë qytetarëve, grave dhe burrave, të përbëjnë bazën për paqen dhe sigurinë në Kosovë, që institucionet relevante të adoptojnë konceptin e sigurisë njerëzore, posaçërisht nga këndvështrimi
gjinor, në pajtim me Rezolutën 1325; dhe që gratë të përfshihen në të gjitha proceset vendim-marrëse të të gjitha niveleve.
Duke kundërshtuar politikat zyrtare që sjellin ndarje dhe konflikt, Koalicioni i Grave për Paqe bëri plane për të vazh duar me ndërtimin e besimit, solidaritetit dhe përkrahjes së ndërsjellë drejt ndërtimit të një paqeje të qëndrueshme në rajon.
Gjatë kësaj konference, koalicioni formuloi një plan njëvjeçar të veprimit. Plani kërkonte dialog të shtuar mes grave të të gjitha grupeve etnike nga Serbia dhe Kosova përmes takimeve dhe diskutimeve lidhur me sigurinë për grupet e ndjeshme, statusin final politik të Kosovës, dhe përfshirjen e grave në vendim-marrje. Organizata të udhëhequra nga gratë, me misione të ngjashme, nga Kosova dhe Serbia bënë plane për të krijuar edhe rrjetëzime tjera dhe për të ndërmarrë aktivitete të përbashkëta. Organizatat gjithashtu planifikuan të
përkrahin edhe më tej të drejtat njerëzore të grave, në veçanti të drejtat reproduktive.
Marrëveshjet e shumta të arritura mes pjesëmarrëseve serbe dhe kosovare gjatë konferencës demonstruan se si proceset e negocimit lidhur me statusin final të Kosovës humbën duke mos përfshirë gratë. Në një moment historik, përfaqësueset e Rrjetit të Grave në të Zeza nga Serbia kërkuan falje për krimet dhe terrorin e kryer nga regjimi serb ndaj popullatës shqiptare të Kosovës. Ky kërkim i faljes nga Rrjeti i Grave në të Zeza nga Serbia u emitua në Radiotelevizionin e Kosovës, duke shënuar kësisoj kërkimin e parë publik të faljes për krimet e kryera ndaj shqiptarëve gjatë luftës. Aktivistet çmuan rëndësinë e kërkimit të faljes gjatë procesit të pajtimit, si një parakusht të domosdoshëm për paqe të qëndrueshme.