Vita Jeta ofron testime mjekësore pa pagesë për diagnostifikimin e osteoporozës, përmes iniciativës së tyre të përkrhur nga Fondi i Grave të Kosovës (FGK) të RrGGK-së.

Vita Jeta Ofron Testime Mjekësore pa Pagesë për Diagnostifikimin e Osteoporozës

Rreth 50 gra pensioniste mbushën plotë zyrën e OJQ Vita Jeta, duke pritur që të kryejnë një testim mjekësor pa pagesë që përcakton se a vuajnë apo jo nga osteoporoza. Ky ishte grupi i katërt që po kryente testimet. Në total, 600 gra do të pranojnë shërbimin e ofruar nga Vita Jeta, e cila është organizatë anëtare e RrGGK-së. 
     
Osteoporoza është një sëmundje e avancuar e eshtrave e cila karakterizohet nga rënia e masës dhe densitetit të eshtrave. Kjo gjë rrit rrezikun për fraktura. Pasi që shumica e rreth 1,000 anëtareve të organizatës janë pensioniste, ato janë shumë të rrezikuara nga kjo sëmundje. 
   “Kjo është hera e dytë që jemi përkrahur nga Fondi i Grave të Kosovës (FGK) i RrGGK-së lidhur me ofrimin e testimeve për diagnostifikimin e rasteve potenciale të osteoporozes tek anëtaret e OJQ-së tonë; ne tashmë iu kemi ofruar këto kontrolle 240 anëtareve tona gjatë vitit 2012,” tha Ajshe Nuhiu, Drejtoreshë Ekzekutive e Vita Jeta. 
     
Shumë pak nga anëtaret e Vita Jeta mund të përballojnë kontrolle të rregullta mjekësore që do t’iu mundësonte atyre detektimin e hershëm të osteoporozes. Duke e pasur parasysh këtë gjë, Shoqata poashtu ofron trajtimin dhe medikamentet për gratë që përmes këtij testimi diagnostifikohen me sëmundjen në fjalë.  
     “Në vitin 2012 u diagnostifikova me osteoporozë dhe mjekja së bashku me stafin e OJQ-së më ndihmuan duke më ofruar trajtim dhe medikamente,” tha Arzie Borovci, anëtare e organizatës. “Tani që e përsërita testin mjekësor, doli që gjendja ime është përmirësuar dhe unë jam në gjendje shumë më të mirë, prandaj jam shumë mirënjohëse për Vita Jeta.” 
     
Shoqata poashtu ka filluar edhe mbledhjen e nënshkrimeve për peticionin që kërkon nga Ministria e Shëndetësisë që të sigurojë për institucionin publik shëndetësor një paisje që kryen këtë ekzaminim. Kjo do t’iu mundësonte një numri më të madh të grave që të kryejnë testime mjekësore pa pagesë për diagnostifikimin e rasteve potenciale të osteoporozës.  
     “Ne presim që të gjitha anëtaret e OJQ-së tonë të nënshkruajnë peticionin, por nësë ky numër nuk mjafton ne nuk do të ndalemi dhe do të mbledhim edhe më shumë nënshkrime me qëllim që të arrijmë këtë qëllim,” tha Ajshe Nuhiu.     
     
Vita Jeta është mbështetur në raundin e 5-të të Fondit të Grave të Kosovës, financuar nga Kvinna till Kvinna (KtK).