Më 28 maj organizatat “Dera e Hapur”dhe “Ruka Ruci” mbajtën punëtori për promovimin e të drejtave të grave, barazisë gjinore dhe parandalimin e dhunës me bazë gjinore duke shënuar kështu edhe aktivitetin e fundit në kuadër të nismës “Çfarë sjell e nesërmja me mua”.
Belgjyzare Muharremi, Drejtore Ekzekutive e organizatës “Dera e Hapur” fillimisht ka prezantuar temat të cilat u trajtuan gjatë ligjërimit.
“Qëllim kemi informimin e të rinjve me dukuritë si; pabarazitë gjinore, stereotipat gjinore, ngacmimet seksuale dhe patriarkalizmin. Të dy shoqatat punojmë me gra dhe vajza si të komunitetit shqiptar po ashtu edhe të atij serb”, tha Muharremi.
Tutje, Nevenka Rikalo, Drejtore Ekzekutive e “Ruka Rucit” ka treguar për të pranishmet se ligjëratat e njejta janë mbajtur edhe për të rinjtë nga komuniteti serb.
“Gjatë takimeve me shkolla nxënësit e kanë kuptuar qëllimin e kësaj nisme dhe e kanë vlerësuar si të rëndësishme. Edhe nxënësit shqiptarë kanë shkuar në ambientet e shkollave serbe dhe kjo është një e arritur sepse u mundëson nxënësve që të takohen dhe të bashkëpunojnë”, u shpreh Rikalo.
Trajnerja Valentina Bejtullahu, ka zhvilluar bashkëbisedim me vajzat duke folur për dallimet ndërmjet gjinisë dhe seksit, rolet gjinore, pabarazitë ndaj vajzave si dhe stereotipat gjinore.
Bejtullahu ka folur edhe për dukurinë e ngacmimeve seksuale në shkolla.
“Pikërisht RrGK-ja në 2015 ka bërë një hulumtim pjesë e së cilit kanë qenë edhe intervistat me nxënës dhe arsimtarë, me ç’rast është vërejtur se ka raste të ngacmimeve seksuale në shkolla”, tha ajo teksa shpjegoi format e ngacmimeve seksuale.
Në pjesën e dytë të punëtorisë u diskutua për dhunën me baza gjinore, bulizmin dhe ndikimin e tij në shëndetin mental të të rinjve.
“Dera e Hapur” dhe “Ruka Ruci” përmes kësaj nisme kanë bashkëpunuar me vajza dhe gra të cilat kanë pasur mundësinë që nga afër të mësojnë për të drejta e grave dhe rolin e tyre të pazëvendësueshëm në avancim shoqëror.
Kjo iniciativë është mbështetur nga Fondi i Grave të Kosovës (FGK) i Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK) dhe është financuar nga Agjensioni Austriak për Zhvillim (ADA).