Më 31 maj Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) ka lëshuar një kumtesë për media përmes së cilës ka shprehur shqetësim lidhur me sulmin e sërishëm ndaj gruas rome në Ferizaj, si dhe mungesën e mbrojtjes institucionale ndaj saj.
RrGK u ka bërë thirrje institucioneve përgjegjëse që të gjejnë një vend të sigurtë për këtë grua, ku ajo mund të qëndrojë derisa të qetësohet situata, si dhe derisa ushtruesit e dhunës ndaj saj të japin përgjegjësi tek organet kompetente. Tutje, RrGK ka shprehur besimin se nëse do të kishte reagim të duhur ditë më parë, kur ajo u sulmua fillimisht në Lipjan, dhe nëse sulmuesit e saj do të ballafaqoheshin me drejtësinë, atëherë do të përcillej mesazhi se vendi ynë nuk toleron dhunën e aq më pak dhunën që ka për bazë përkatësinë etnike të një qytetari/eje.
Po ashtu, RrGK ka kërkuar nga Prokuroria e Shtetit që të ndërmarrë veprime urgjente në hetimin dhe procedimin e rastit në përputhje me Nenin 141 të Kodit të ri Penal të Kosovës për të dy sulmet ndaj gruas rome në fjalë. Në përputhje me këtë nen kushdo që nxit urrejtje dhe publikisht ushtron gjuhën e urrejtjes, përçarjes apo edhe mos-durimit duhet të përgjigjet para ligjit. Si shoqëri duhet të dalim me mesazh të qartë së këso forma të dhunës dhe nxitjes së urrejtjes nuk duhet toleruar në asnjë mënyrë.
Lexoni KËTU kumtesën e plotë.