Më 18 qershor, përfaqësueset e Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK) vizituan Komisionin Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Personave të Dhunuar gjatë Luftës Çlirimtare të Kosovës.
Vizita u bë me qëllim për t’u njohur nga afër me ecurinë e procesit për njohjen dhe verifikimin e statusit të personave të dhunuar gjatë luftës, sfidat me të cilat po përballet ky Komision, si dhe për të shprehur përkrahjen e RrGK-së për punën e palodhshme dhe transparente të Komisionit.
“Ne kemi qenë pjesë të rrugëtimit të Komisionit, qysh në fillet e tij dhe e njohim nga afër punën e paanshme dhe transparente të këtij Komisioni,” u shpreh Ariana Qosaj-Mustafa, Kryetare e Bordit të RrGK.
Kurse, Minire Begaj-Balaj, Kryetare e Komisionit, ka prezantuar para stafit të RrGK-së sfidat dhe punën e këtij Komisioni.
“Puna dhe efikasiteti i Komisionit, nuk duhet të matet vetëm me numrin e aplikimeve të aprovuara; duhet ta kemi parasysh faktin që trajtimi i rasteve ndonjëherë nënkupton edhe trajtimin e një rasti deri në gjashtë herë, si rezultat i dosjeve që na vinë të pakompletuara, e kështu do ta kuptonim që matematikisht shifrat e punës tonë janë më të larta se sa numri i rasteve të aprovuara”, u shpreh ajo.
Duke çmuar angazhimin e Komisionit, Igballe Rogova, Drejtore Ekzekutive e RrGK-së, u shpreh se “Siç e kemi vënë në pah gjithmonë ne si RrGK, duhet të respektohet vullneti i vet të mbijetuarve në raport me aplikimin për njohjen dhe verifikimin e statusit të tyre, sepse jo të gjithë duan të aplikojnë. Andaj, për ne, në këtë proces, është shumë me rëndësi që të ofrohet një ambient inkurajues për aplikim, duke iu ofruar atyre përkrahje dhe një proces konfidencial e të paanshëm”.
Me rastin e kësaj vizite RrGK ka lëshuar një kumtesë për media, të cilën të plotë mund ta lexoni KËTU.