Qendra Rinore e Lipjanit (LYC), në kuadër të nismës “Përkrahja e vajzave dhe grave për pjesëmarrje aktive në ekonomi”, mbajti fokus grupe me gratë dhe vajzat në biznes me qëllim përgatitjen dhe përpilimin e një dokumenti të politikës publike për mbështetje të sektorit të biznesit.
Me 25, 26 dhe 27 shtator, LYC mbajti punëtorinë “Përpunimi i dokumentit orientues për politikën lokale të përkrahjes se bizneseve të reja të grave dhe rritjes së pjesëmarrjes në vendimmarrje”, me gratë dhe vajzat ndërmarrëse. Pjesëmarrëset gjatë takimeve diskutuan rreth vështirësive që hasin bizneset e reja për depërtim në treg. Ndër pengesat kryesore u përmend mungesa e përkrahjes institucionale nga qeverisja lokale, sidomos në fazën fillestare kur bizneset kanë nevojë më së shumti.
Qëllimi i punëtorisë tre ditore ka qenë të draftohet një dokument i cili do të jetë i gatshëm për autoritetet komunale. Ky dokument pasqyron vlerësime të bizneseve në bazë të nevojave të tyre. Pjesëmarrës ishin akterë relevantë lokal, si OJQ-të dhe bizneset, që kanë ndikim dhe mund të japin kontribut në përgatitjen e kësaj politike që mund të ndikojë në mirëqenien e grave dhe vajzave ndërmarrëse.
Në total 32 përfaqësuese të bizneseve të grave të komunës së Lipjanit u njoftuan rreth proceseve të vendimmarrjes dhe zhvillimit të politikave lokale, si dhe identifikimin e sfidave dhe problemeve të bizneseve të reja përmes trungut të problemeve.
Lidhur me rëndësinë e kësaj nisme Valmirë Marevci, Koordinatore e Projektit, LYC, theksoi se “Tek pjesëmarrësit në trajnim, aktiviteti i zhvilluar ishte tej mase me ndikim pozitiv. Përfaqësuesit e bizneseve, janë njoftuar për herë të parë me shumë koncepte që janë të lidhura ngusht me suksesin në biznes. Kjo është mirëpritur jashtëzakonisht mirë nga pjesëmarrësit.”
Kjo nismë mbështetet nga Fondi i Grave të Kosovës (FGK) dhe financohet nga UN Women.