Ndërsa dhuna, diskriminimi, ngacmimi seksual dhe pabarazia ndaj grave vazhdon, është shumë e rëndësishme që vajzat dhe gratë të solidarizohen, mbështesin e promovojnë njëra-tjetrën në të gjitha sferat e jetës.
Është ky mesazhi që drejtorja ekzekutive e Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK) Igballe Rogova dha para anëtareve në takimin e rregullt të Kuvendit të Anëtareve të RrGK, të hënën (13 mars).
Ajo bëri thirrje që t’i bashkohen fushatës së FemFest, një fushatë globale kundër dhunës ndaj grave, që të paktën një ditë në javë, të martën, të mbathin këpucë të kuqe ose të veshin diçka të kuqe për të treguar solidaritet me të gjitha vajzat dhe gratë.
“Ja tash ja kurrë kemi nevojë për solidaritet. Ja tash ja kurrë kemi nevojë ta përkrahim njëra-tjetrën,” tha Rogova.
Kur gratë e mbështesin dhe inkurajojnë njëra-tjetrën, ato shtrojnë rrugën për një shoqëri më gjithëpërfshirëse dhe të barabartë, thyejnë stereotipet dhe pritjet e shoqërisë të cilat edhe mund të kufizojnë potencialin e tyre.
“Prandaj ne do t’i bashkohemi fushatës globale që lufton dhunën. Ideja e kësaj fushate është që ne çdo të martë të flasim mirë për njëra-tjetrën, të mos e kritikojmë njëra-tjetrën, të mos e shajmë njëra-tjetrën. Ne, çdo të marte do ta përkrahim njëra-tjetrën, “ tha Rogova, ideja e së cilës u mbështet njëzëri nga anëtaret.
Tutje në takim RrGK së bashku me anëtaret ndanë informata mbi punën dhe aktivitetet e planifikuara. Ndër të tjera, RrGK prezantoi shkurtimisht gjetjet fillestare nga Vlerësimi i nevojave të anëtareve, bazuar në Rregulloren dhe Kodin e Mirësjelljes së Kuvendit të Anëtarësisë së RrGK së.
Rogova shpjegoi se vlerësimi ka qenë më se i domosdoshëm dhe fillimisht është bërë e ditur para anëtareve se ato që duan të mbeten pjesë e rrjetit duhet ta pranojnë Kodin e ri të Mirësjelljes. Nga 194 organizata anëtare, 28 nuk kanë pranuar kodin e ri, ndërsa 31 nuk kanë kthyer asnjë përgjigje.
“Kodi në fakt nuk është i ri, është i përditësuar, sepse kemi parë te anëtaret gjuhë seksiste, homofobe dhe kemi dashur ta forcojmë rrjetin, sepse kur themi që RrGK po punon për të drejtat e njeriut duhet t’i forcojë të gjitha të drejtat dhe jo vetëm për një a dy,” tha Rogova duke thënë se 31 organizatat që nuk kanë kthyer përgjigje mund të ri-aplikojnë kur të duan.
“Dera gjithmonë është e hapur, ato mund të aplikojnë prapë sepse nuk e mbyllim derën e rrjetit. Nga 194 organizata, sot i kemi 135 anëtare të rrjetit. Kjo është me rëndësi me nda me juve,” tha Rogova duke vënë në pah se Fondi i Grave të Kosovës ka një ekip fantastik, që mundohet gjithë kohës t’iu ndihmojë organizatave anëtare, por jo gjithmonë kanë gjetur mirëkuptim.
Në këtë kuadër, ajo tha se vlerësimi është bërë sepse RrGK nuk ka mundur më që të marrë përsipër gabimet e organizatave para donatorëve.
“Ne i kemi krijuar mekanizmat e Fondit, gjithmonë i kemi bërë gjërat bashkë, asgjë nuk kemi bërë vetë. I kemi bërë mekanizmat që nëse ngec puna, që nëse nuk i dorëzojnë dokumentet me kohë, nganjëherë e kemi shtyrë derisa është gjetë një zgjidhje. Sivjet, nuk mundemi më ta shtyjmë. Kontratat duhet të zbatohen me kohë. Nuk mund të marrim llogari më para donatorëve për gabimet e organizatave,” tha Rogova.
Gjetjet tjera kryesore të vlerësimit përfshijnë:
- 40% e anëtareve të RrGK kanë strategji që udhëheqin punën e tyre;
- Mesatarisht, çdo anëtar mbështet përafërsisht 135 persona në vit, dhe, në vitin 2022, RrGK ka mbështetur më shumë se 97,172 përfituese;
- Shumica e anëtareve (93%) thanë se mungesa e fondeve ishte sfida më e madhe me të cilën u përballën;
- Lidhur me këtë, sfida e dytë më e përmendur ishte mungesa e stafit (46%) dhe mungesa e objekteve (24%);
- Shumica e anëtareve kërkuan grante afatgjata (62%); grante më të mëdha (51%); grante më fleksibël (18%); dhe thirrje/grante më të shpeshta për propozime nga Fondi i Grave të Kosovës.
Gjatë takimit, anëtaret ndanë gjithashtu informacione në lidhje me aktivitetet e realizuara dhe planifikimet e ardhshme. U diskutua edhe pagesa e anëtarësisë së RrGK, e cila kontribuon në Fondin e Qëndrueshmërisë së RrGK, për të cilën u vendos të jetë 30€. Rogova theksoi gjithashtu se këtë vit RrGK përmes Fondit të Grave të Kosovës ndan grante në vlerë prej 215,000€.
Tutje, Donjetë Berisha Muharremi, Menaxhere e FGK, tregoi se thirrjet tashmë janë mbyllur, ndërsa për momentin janë duke u përzgjedhur tre anëtarë të rinjë të Komisionit për Vlerësimin e Granteve, të cilët do të jenë të përfshirë në vlerësim për këtë raund.
Anëtaret u informuan për mënyrën e votimit, ku tre nga gjashtë kandidatët e nominuar në vazhdim do të votohen online dhe përzgjedhen nga vet anëtaret: Anisa Ismaili, Nermin Mahmuti, Dilleza Olluri, Jeta Bakija, Aida Derguti dhe Ada Shima. Anëtaret e pranishme patën mundësinë të bëjnë pyetje dhe të informohen për gjithçka lidhur me mbarëvajtjen e thirrjes në kuadër të FGK, dhe gjithashtu u inkurajuan që të vazhdojnë komunikimin me stafin e RrGK për çfarëdo që është nevoja.
Organizata anëtare Monsig ka informuar anëtaret për aktivitetet e mbajtura për buxhetimin e përgjegjshëm gjinor, ndërsa Artpolis ka dhënë informacione për organizimin e shkollës pranverore feministe. Në anën tjetër ArtWhitoutLimit informoi se filmi që hapi festivalin e tyre vjetor dedikuar personave me aftësi të kufizuara “An Irish Goodbye” ka fituar çmimin Oscar si flmi më i mirë i shkurtër.
Ky takim është mbajtur me mbështetjen e Fondacionit Kvinna till Kvinna.