Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) gjatë muajve të fundit është takuar me pesë komuna të ndryshme për të arritur marrëveshje për të punuar me Mekanizmat Komunal Kundër Dhunës në Familje (MKKDhF). RrGK fillimisht zhvilloi takime informuese në komunën e Lipjanit, Pejës, Podujevës, Ferizajit dhe Fushë Kosovës me qëllimin për t’i njohur ato nga afër me nismën “Forcimi i kapaciteteve dhe mekanizmave për të adresuar dhunën me bazë gjinore” dhe aktivitetet që do të realizohen me MKKDhF.
Gjatë këtyre takimeve, kryetarët, nënkryetarët dhe zyrtaret për barazi gjinore në komunat përkatëse u informuan për punën që RrGK do të bëjë me MKKDhF-të. Gjithashtu, komunat kanë pranuar Memorandumin e Bashkëpunimit dhe momentalisht RrGK dhe komunat janë duke i nënshkruar ato.
Konkretisht, më 24 korrik 2025, RrGK nënshkroi Memorandumin e Bashkëpunimit me komunën e Fushë Kosovës, duke vendosur themelet e një partneriteti të qëndrueshëm.

Për më tepër, gjatë këtyre ditëve RrGK po harton një analizë të hollësishme të kapaciteteve dhe boshllëqeve në adresimin e dhunës në baza gjinore në komunat përkatëse, duke përfshirë edhe dhunën online. Pas mbledhjes së të dhënave përmes analizës, do të zhvillohen module trajnimi për anëtarët e MKKDhF-së, do të ofrohet mbështetje e vazhdueshme sipas nevojave të çdo komune. Këto përpjekje janë pjesë e ndihmës së RrGK për komunat në implementimin e Rregullores për Mekanizmin Koordinues Lokal për Mbrojtje nga Dhuna në Familje, Dhuna ndaj Grave dhe Dhuna në Baza Gjinore.
Ky bashkëpunim realizohet në kuadër të nismës së RrGK-së dhe Institutit për Menaxhim Lindje-Perëndim (EWMI, ewmi.org) “Forcimi i kapaciteteve dhe mekanizmave për të adresuar dhunën me bazë gjinore”, me mbështetje nga Departamenti i Shtetit i SHBA-së: Byroja për Demokraci, të Drejtat e Njeriut dhe Punë. Përmes kësaj nisme, RrGK do të identifikojë nevojat e MKKDhF-ve në dhjetë komuna dhe do të fuqizojë këta mekanizma, në mënyrë që të përmirësohet reagimin institucional ndaj viktimave të dhunës me bazë gjinore, veçanërisht dhunës me bazë gjinore të facilituar nga teknologjia.
RrGK ofron këshillim dhe përfaqësim ligjor falas për të gjitha rastet e dhunës me baza gjinore përmes numrit të telefonit 048105800.