Vazhdon edukimi mbi të drejtat sociale përmes punëtorive praktike 

Më 30 korrik 2025, në kuadër të projektit “Përmirësimi i kapaciteteve të shoqërisë civile për të rritur qasjen në mbrojtje sociale cilësore për gra dhe burra të ndryshëm”, mbështetur nga Zyra e Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë, u mbajt dhe një punëtori me pjesëmarrjen e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian, në bashkëpunim me Rrjetin e Organizatave të Grave Rome, Ashkali dhe Egjiptase të Kosovës (RROGRAEK).

Punëtoria me temë: “Legjislacioni për mbrojtje sociale, të drejtat dhe mënyra e paraqitjes së ankesave”, u udhëhoq nga Avokati Fitim Gashi dhe u mbajt në ambientet e Rrjetit të Grave të Kosovës. Ajo synoi fuqizimin e njohurive dhe kapaciteteve të pjesëmarrësve për të kuptuar të drejtat që burojnë nga Ligji Nr. 08/L-255 për Shërbime Sociale dhe Familjare dhe për të vepruar në rast të shkeljes së tyre.

Gjatë punëtorisë u trajtua përmbajtja dhe fushëveprimi i ligjit, parimet themelore mbi të cilat ai bazohet, llojet e shërbimeve që garantohen për qytetarët dhe procedurat që ndiqen kur këto të drejta nuk respektohen nga institucionet përkatëse.

Pjesëmarrësit ndanë përvoja konkrete ku kishin hasur në mosrespektim të të drejtave apo trajtim të padrejtë nga institucionet. Nëpërmjet shembujve praktikë dhe diskutimeve të drejtpërdrejta, ata patën mundësinë të kuptojnë më mirë rolin e institucioneve përgjegjëse dhe mënyrën si duhet të veprohet në raste të shkeljes së ligjit.

Në përmbyllje të sesionit, u theksua rëndësia e raportimit të rasteve përmes mekanizmave ligjorë: “Nëse nuk i raportojmë, ata vazhdojnë.” Megjithatë, pjesëmarrësit shprehën shqetësime mbi mungesën e reagimit institucional: “Derisa janë ata persona aty, badihava”, “Të thojnë ti e paske maicen e mirë s’ki nevojë për asistencë sociale” dhe “Ligji ashtë, po për komunitetet është pak problem, se kërkush nuk të merr parasysh.”

Kjo punëtori kontribuoi në rritjen e vetëdijes dhe kapaciteteve të pjesëmarrësve për të njohur dhe mbrojtur të drejtat e tyre sociale, duke përforcuar edhe më tej rolin e organizatave të shoqërisë civile në mbështetje të komuniteteve që përballen me përjashtim dhe diskriminim në qasjen ndaj shërbimeve sociale.