Barazia gjinore është një vlerë themelore e Bashkimit Evropian (BE-së) dhe BE-ja ka deklaruar se “dëshiron që burrat dhe gratë të kenë të drejta të barabarta”. BE-ja synon ta arrijë këtë përmes Strategjisë së saj të ardhshme për Barazi Gjinore, e cila është në konsultim publik deri më 11 gusht.
Sot, Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) paraqiti kontributin e saj me informata ku theksohet se BE-ja duhet ta institucionalizojë integrimin e perspektivës gjinore në proceset e politikave, duke përfshirë sigurimin e buxhetimit të përgjegjshëm gjinor. BE-ja duhet gjithashtu të sigurojë mbështetje financiare për organizatat për të drejtat e grave (OSHCG-të) dhe rrjetet që punojnë për avancimin e barazisë gjinore, si aleate kyçe dhe organizata mbikëqyrëse për llogaridhënien e qeverive.
Në përputhje me praktikat më të mira ndërkombëtare, duke përfshirë ato të Institutit Evropian për Barazi Gjinore, BE-ja duhet: 1) të institucionalizojë vlerësimet e ndikimit gjinor për të siguruar informata për TË GJITHA ligjet, politikat, strategjitë dhe planet e veprimit në TË GJITHA fushat/sektorët; 2) duke u bazuar në këto analiza, të integrojë përkushtimin për avancimin e barazisë gjinore në politika duke përcaktuar objektiva, tregues dhe masa të qarta; 3) të përdorë buxhetimin e përgjegjshëm gjinor për të siguruar ndarje buxhetore të mjaftueshme për zbatimin e angazhimeve për barazinë gjinore, duke i lidhur objektivat me ndarje buxhetore të qarta; dhe 4) të monitorojë e vlerësojë progresin përmes analizave të ndikimit gjinor, me qëllim që të siguroj informata për politikat, strategjitë dhe buxhetet e ardhshme.
Në veçanti, BE-ja duhet të sigurojë një qasje të përgjegjshme gjinore ndaj sigurisë, në përputhje me angazhimet e saj përkitazi me Agjendën për Gratë, Paqen dhe Sigurinë.
Në bashkëpunimin për zhvillim, BE-ja duhet të vazhdojë të luajë rolin e saj kyç në parandalimin e konflikteve dhe autoritarizmit, duke promovuar sigurinë, demokracinë, qeverisjen e mirë, sundimin e ligjit, drejtësinë, mbrojtjen sociale dhe zhvillimin ekonomik. Prandaj, TË GJITHA veprimet e jashtme, ndihmat dhe asistenca për zhvillim DUHET të kenë një qasje të përgjegjshme gjinore ose transformuese me objektiva, tregues dhe zotime buxhetore të qarta në Kornizën Financiare Shumëvjeçare të BE-së. Organizatat, lëvizjet dhe rrjetet për të drejtat e grave, aktualisht nën kërcënim, janë aleate kyçe për BE-në; kemi nevojë për mbështetjen e BE-së për të vazhduar ofrimin e shërbimeve thelbësore dhe për të mbajtur qeveritë përgjegjëse përmes përpjekjeve të mbikëqyrjes dhe avokimit. Duhet të ndahet buxhet i dedikuar për punën e organizatave LOKALE për të drejtat e grave, për të avancuar demokracinë, drejtësinë dhe qeverisjen e mirë.
RrGK i ka rekomanduar BE-së të sigurojë që të gjitha politikat e mbrojtjes sociale të bazohen në një analizë gjinore ndër-sektoriale, të kenë objektiva të qarta drejt barazisë gjinore dhe të integrojnë vëmendjen ndaj nevojave specifike gjinore, duke përfshirë mbrojtjen nga dhuna me bazë gjinore, në përputhje me angazhimet e Konventës së Stambollit. Be-ja duhet të ndajë buxhet të mjaftueshëm për shërbimet e mbrojtjes sociale, veçanërisht për ato që trajtojnë dhunën me bazë gjinore, në përputhje me këto angazhime e Konventës së Stambollit. Sa i përket strehimit, BE-ja duhet të sigurojë që Shtetet Anëtare të caktojnë strehim për gratë beqare, nënat dhe, veçanërisht, të mbijetuarat e dhunës me bazë gjinore, duke lehtësuar rehabilitimin dhe ri-integrimin e tyre.
Në përgjithësi, RrGK ka theksuar se avancimi i barazisë gjinore duhet të integrohet në TË GJITHA fushat e politikave të BE-së, duke përfshirë Sigurinë dhe Mbrojtjen; Drejtësinë dhe të drejtat themelore; Çështjet Ekonomike dhe Financiare (duke përfshirë buxhetimin, tregtinë, politikat fiskale dhe tatimore); Arsimin, përmes transformimit të normave gjinore; Punësimin dhe Çështjet Sociale, duke përfshirë shkathtësitë, strehimin dhe shëndetin; Bujqësinë, Zhvillimin Rural dhe Rajonal; Migracionin dhe Çështjet e Brendshme, duke përfshirë azilin; Veprimin e Jashtëm dhe Partneritetet Ndërkombëtare, duke përfshirë bashkëpunimin për zhvillim dhe ndihmën humanitare, si dhe marrëveshjet multilaterale; Transportin dhe Infrastrukturën, duke përfshirë mobilitetin; Mjedisin, Ndryshimet Klimatike dhe Energjinë; Strategjinë Digjitale; Kërkimin dhe Inovacionin; si dhe Turizmin dhe trashëgiminë kulturore.
Kontributi i RrGK-së është përgatitur mbi bazën e hulumtimeve të gjera të RrGK-së, duke përfshirë disa analiza gjinore të sektorëve të ndryshëm. Që nga viti 2010, RrGK ka monitoruar procesin e Anëtarësimit të Kosovës në BE nga këndvështrimi gjinor, si dhe ka përcjellë nga afër punën e BE-së përkitazi me barazinë gjinore, duke përfshirë Planet e Veprimit Gjinor, financimet e jashtme, dhe Agjendën për Gratë, Paqen dhe Sigurinë.
Ky kontribut është përgatitur si pjesë e Rrjetit të Mbikëqyrjes së Buxhetimit Gjinor (Gender Budget Watchdog Network), i mbështetur nga Agjencia Austriake për Zhvillim (ADA) dhe Agjencia Suedeze për Zhvillim dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar (Sida); megjithatë, përmbajtja e tij mbetet përgjegjësi vetëm e RrGK-së dhe nuk pasqyron domosdoshmërish pikëpamjet e ADA-s apo Sida-s.