Në komunën e Fushë Kosovës, komunitetet e margjinalizuara përballen me barriera strukturore dhe institucionale që kufizojnë rëndë qasjen e tyre në të drejtat themelore, veçanërisht në kujdesin shëndetësor cilësor. Gratë dhe vajzat janë veçanërisht të prekura. Pavarësisht mbrojtjes kushtetuese dhe ligjore, ato shpesh përballen me diskriminim dhe trajtim të pamjaftueshëm në shërbimet shëndetësore publike për shkak të etnisë dhe gjinisë. Vështirësitë socio-ekonomike dhe niveli i ulët i arsimit formal mund të kufizojnë më tej kuptimin e tyre për të drejtat shëndetësore, mënyrat e qasjes në shërbime dhe raportimin e shkeljeve.
Vajzat adoleshente përballen me pengesa shtesë: menstruacionet vazhdojnë të jenë një temë tabu, gjë që i bën shumë prej tyre të neglizhojnë higjienën ose të shmangin diskutimin për shqetësimet shëndetësore. Kjo mund të çojë në mungesa në shkollë, duke ndikuar negativisht si në shëndetin, ashtu edhe në arsimin e tyre.
Për të adresuar këto pabarazi, OJQ EcoKosWomen (EKW) ka nisur një nismë që synon fuqizimin e grave dhe vajzave për të kërkuar të drejtën e tyre për shëndet me dinjitet.
Edukimi, fuqizimi dhe avokimi për ndryshim
E bazuar në një qasje gjithëpërfshirëse të shëndetit dhe fuqizimit në komunitet, kjo nismë ka vepruar në disa nivele, duke rritur ndërgjegjësimin individual, duke nxitur mbështetjen mes bashkëmoshatarëve dhe duke inkurajuar ndryshime institucionale.
Pjesa e parë e projektit përfshiu 38 gra nga komunitetet e margjinalizuara. Përmes sesioneve interaktive, ato thelluan njohuritë e tyre mbi të drejtat ligjore në kujdesin shëndetësor dhe mësuan si të raportojnë shkeljet dhe të kërkojnë llogaridhënie nga stafi mjekësor. Kjo ishte gjithashtu një hapësirë ku ato ndanë përvojat e tyre dhe kuptuan se nuk janë të vetme përballë neglizhencës sistemike.
Në të njëjtën kohë, nisma arriti tek 293 vajza të moshës 12-15 vjeçare, përfshirë nxënëse rome, ashkali, egjiptiane dhe turke të një shkolle të mesme të ulët. Një leksion i udhëhequr nga një psikologe trajtoi shëndetin riprodhues, higjienën menstruale dhe të drejtat e pacientit, shpesh për herë të parë në një ambient të hapur dhe respektues.
Shtylla e tretë e nismës ishte e përqendruar në avokimin institucional. Gjashtë zyrtarë komunal morën pjesë në një sesion mbi përmirësimin e qasjes në kujdesin shëndetësor dhe reduktimin e diskriminimit. EKW gjithashtu hulumtoi dhe dokumentoi shkeljet në kujdesin shëndetësor të komunitetit, duke ndarë gjetjet e tyre me autoritetet lokale për të mbështetur avokimin e vazhdueshëm, edhe përtej kohëzgjatjes së projektit.
Ndërtimi i ndikimit afatgjatë
Nisma e EKW-së solli ndikim të qartë dhe domethënës. Gratë që dikur ndiheshin të pafuqishme, tani raportojnë vetëbesim dhe njohuri më të mëdha. Njëra prej tyre deklaroi: “Ky projekt na bëri të ndihemi më të forta dhe më të informuara. Tani jemi të gatshme të negociojmë dhe të kërkojmë kujdes shëndetësor më të mirë. Na ka rritur vetëbesimin dhe ndërgjegjësimin për të drejtat tona shëndetësore.” Një tjetër shtoi: “Tani jemi më të vetëdijshme për higjienën menstruale dhe do ta përcjellim këtë njohuri tek vajzat tona.” Ato tani e dinë si të paraqesin ankesa, çfarë standardesh trajtimi të presin dhe si të mbështesin vajzat e tyre në menaxhimin e shëndetit riprodhues si një pjesë normale e jetës.
Vajzat në shkollën lokale kanë fituar një vetëdije më të madhe për autonominë e trupit dhe të drejtat e tyre. Sipas stafit të EKW-së, që nga përfundimi i projektit vajzat janë bërë më të gatshme të kërkojnë mbështetje nga psikologu i shkollës dhe tani diskutojnë me më lehtësi tema personale. Kjo vetëdije e shtuar ka ndikuar gjithashtu te bashkëmoshatarët dhe familjet e tyre, duke ndihmuar në nxitjen e një ndryshimi më të gjerë në komunitet.
“Ndikimi tek shoqëria është i dukshëm, pasi vajzat ndajnë informacionet me shoqet e tyre dhe i inkurajojnë të flasin hapur,” thotë Shpresa Gosalci, Menaxhere e Projektit në EKW.
Në nivel institucional, nisma forcoi vëmendjen dhe angazhimin e autoriteteve. Sesioni me zyrtarët komunalë çoi në hapat e parë drejt krijimit të një linje buxhetore lokale për produktet sanitare në shkolla, një masë kyçe politike për të normalizuar higjienën menstruale dhe për të ulur mungesat në shkollë. Duke u mbështetur në shkeljet e kujdesit shëndetësor të dokumentuara gjatë projektit, EKW ka vazhduar avokimin përmes takimeve periodike me Drejtorinë e Shëndetësisë dhe Zyrtarin për Barazi Gjinore në komunë, duke mbështetur përpjekjet e komunës për të ofruar shërbime shëndetësore të barabarta për të gjithë banorët.
Kjo nismë tregon se progresi i qëndrueshëm kërkon ndërgjegjësim dhe reforma strukturore, të cilat mund të arrihen duke adresuar njëkohësisht edukimin nëkomunitet dhe ndryshimet institucionale. Edhe projektet modeste, kur dizajnohen mirë, mund të promovojnë dinjitetin, barazinë dhe drejtësinë për gratë dhe vajzat e margjinalizuara.
Nisma e EKW-së “Promovimi i kujdesit shëndetësor; pjesë e domosdoshme e jetës” u realizua me mbështetjen e Fondit të Grave të Kosovës (FGK), i Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK), financuar nga Agjencia Austriake për Zhvillim (ADA) dhe bashkëfinancuar nga Agjencia Suedeze për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ndërkombëtar (Sida), në shumën prej 4,937€, nga qershori deri në nëntor të vitit 2023. Kjo nismë kontribuoi drejtpërdrejt në Programin e RrGK-së “E drejta në shëndet” duke inkurajuar gratë të avokojnë për të drejtat e tyre shëndetësore dhe duke nxitur institucionet lokale të adresojnë pengesat ekzistuese.