Aktivistet mbështesin njëra – tjetrën përmes solidaritetit dhe vallëzimit

Në kohë të vështira, ne jemi pranë njëra-tjetrës. Solidariteti mbizotëron. Ky ishte mesazhi kryesor i takimit të sotëm të anëtareve të Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK).

“Në vitet ’90 nuk ishte e lehtë. Ishte një periudhë shumë e vështirë,” kujtoi Drejtorja Ekzekutive e RrGK-së, Igballe Rogova.

Gjatë viteve ’90, aktivistet për të drejtat e grave u organizuan vullnetarisht për të hapur biblioteka në zonat rurale, për të frymëzuar familjet që t’i regjistronin vajzat në shkollë, për të shpërndarë ndihma humanitare dhe barna, si dhe për të dokumentuar shkeljet e të drejtave të njeriut. Kur ndiheshin të frikësuara apo të stresuara, ato gjenin forcë te njëra-tjetra, duke krijuar energji pozitive dhe mbështetje kolektive.

“Një herë në muaj organizonim një festë,” vazhdoi Rogova. “Ajo energji pozitive na mbante gjallë për një muaj tjetër. Muzika dhe lëvizja ishin terapi.”

Në atë kohë, Rrjeti i Grave të Zonave Rurale, si paraardhësi i RrGK-së, i përbërë nga 11 organizata për të drejtat e grave, funksiononte pa buxhet dhe pa zyrë. Aktivistet mbështesnin njëra-tjetrën përmes kontributeve të vogla gjatë takimeve mujore, të organizuara së bashku me biznese lokale që besonin në kauzën e tyre.

Sot, nga 102 organizatat anëtare të RrGK-së, më shumë se gjysma nuk kanë fonde dhe veprojnë në komunitetet e tyre në baza vullnetare; 57% nuk kanë të siguruara fonde për vitin e ardhshëm. Megjithë sfidat e mëdha me të cilat përballen, pothuajse të gjitha anëtaret e RrGK-së kanë deklaruar se do të vazhdojnë punën e tyre.

“Nuk kam, por nuk ndalem,” thanë aktivistet. Ky është aktivizmi i vërtetë në zemër të RrGK-së: anëtaret e saj që punojnë pa u lodhur çdo ditë në komunitetet e tyre për fuqizimin e grave.

RrGK beson se, duke qëndruar së bashku në solidaritet, mund të mbështesim njëra-tjetrën edhe në kohët më të vështira dhe të vazhdojmë përpara.

“Kur jemi së bashku, jemi të forta, dhe kur kemi solidaritet, jemi edhe më të forta,” tha Rogova.

Duke vazhduar traditën e organizimit komunitar të RrGK-së, gjatë takimit aktivistet kontribuan me aq sa mundën për të mbështetur Komitetin e Grave të Verbëra në Kosovë, një nga anëtaret më të vjetra të RrGK-së. Duke shërbyer dhe mbrojtur të drejtat e grave dhe vajzave të verbëra, arritjet e tyre janë të shumta, përfshirë: sigurimin e librave shkollorë në alfabetin braille, inkurajimin e vajzave për të ndjekur arsimin e lartë, mbështetjen e lëvizjes së pavarur, avokimin për Ligjin për Personat e Verbër dhe me Dëmtime në Shikim, përmirësimin e qasjes në shërbimet publike, fuqizimin ekonomik dhe transformimin e qëndrimeve shoqërore ndaj autonomisë së grave të verbëra. 

Sot, Komiteti i Grave të Verbëra ndodhet në nevojë urgjente për mbështetje, dhe anëtaret e RrGK-së janë mobilizuar në solidaritet për t’i ndihmuar të vazhdojnë punën e tyre jetike, duke mbledhur mbi 1,500 euro. [Nëse dëshironi ta mbështesni këtë organizatë të jashtëzakonshme, mund ta bëni, këtu, duke shënuar se fondet janë për Komitetin.]

“Si shumë organizata të tjera, edhe ne gjendemi në një situatë të vështirë. Por solidariteti ka ekzistuar gjithmonë dhe vazhdon të ekzistojë. Gratë kanë qenë dhe do të jenë gjithmonë të bashkuara në solidaritet. Ju falemnderit shumë,” tha Bajramshahe Jetullahu, Drejtore Ekzekutive e Komitetit të Grave të Verbëra.

Kjo traditë do të vazhdojë. RrGK planifikon të organizojë aktivitete të ngjashme për anëtare të tjera, për të njohur dhe mbështetur punën e tyre përmes solidaritetit dhe veprimit të përbashkët, duke krijuar hapësira të përbashkëta për energji, lidhje dhe qëndrueshmëri.

Siç ka thënë Emma Goldman:

“Nëse nuk mund të kërcej, nuk dua të jem pjesë e revolucionit tuaj!”

Dhe revolucioni vazhdon me ne!