Aktivistet për të drejtat e grave kërkojnë vazhdimin e mbështetjes suedeze për Ballkanin

Kush do t’u kërkojë llogari qeverive kur shkurtohet mbështetja për organizatat e pavarura vëzhguese? Kjo ishte pyetja që Zëvendësdrejtoresha e Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK), Nicole Farnsworth, së bashku me organizatat partnere për të drejtat e grave nga Ballkani Perëndimor, e ngritën më herët gjatë kësaj jave para zyrtarëve suedezë në Stokholm. Vizita erdhi pas vendimit të fundit, të papritur, të Qeverisë së Suedisë për t’i dhënë fund mbështetjes financiare për bashkëpunimin rajonal për zhvillim në Ballkanin Perëndimor, një hap që ka ndikuar drejtpërdrejt programin rajonal të Kvinna till Kvinna-s për të mbështetur demokracinë, qëndrueshmërinë dhe përfshirjen e nevojave të ndryshme të grave dhe burrave në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian (BE).

Ky program i ka siguruar RrGK-së financimin jetik dhe ka financuar edhe 14 grupe të tjera për të drejtat e grave në rajon. Ai u ka mundësuar organizatave për të drejtat e grave të monitorojnë cilësinë e reformave të lidhura me anëtarësimin në BE; të ofrojnë dëshmi dhe ekspertizë për të siguruar informata për Pakon vjetore të Zgjerimit të BE-së; të angazhojnë gra të ndryshme në proceset demokratike që lidhen me reformat; t’u kërkojnë llogari qeverive; të forcojnë sundimin e ligjit; si dhe të rrisin ndërgjegjësimin publik dhe mbështetjen për anëtarësimin në BE, veçanërisht e rëndësishme në një kohë kur euroskepticizmi po rritet. Në disa vende, shkurtimet e fondeve kanë vënë në rrezik shërbime thelbësore për gratë, si përfaqësimi ligjor për të mbijetuarat e dhunës, të cilat e kishin forcuar qasjen në drejtësi dhe e kanë mbështetur avokimin e organizatave për të drejtat e grave për sundim më të mirë të ligjit, duke pasur parasysh se dhuna në familje mbetet ndër veprat penale më të përhapura në rajon.

Gjatë udhëtimit, Farnsworth dhe aktivistet e tjera u takuan me anëtarë të Komitetit Parlamentar suedez për Punë të Jashtme, me përfaqësues të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe të Agjencisë Suedeze për Zhvillim dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar (Sida). Aktivistet ndanë informata për situatën shqetësuese në rajon, i cili është në rrezik për kthim prapa në demokraci, në një klimë ku forcat antidemokratike dhe kundër të drejtave të njeriut, nga brenda dhe nga jashtë, po fuqizohen.

Farnsworth theksoi rolin kyç të RrGK-së si rrjet i 103 organizatave të ndryshme të shoqërisë civile, si dhe si qendër e “mendimit dhe veprimit” që monitoron proceset demokratike, sundimin e ligjit dhe anëtarësimin në BE. “Ne i sjellim në proceset e reformave zërat e grave dhe burrave të të gjitha etnive, nga zonat urbane dhe rurale, duke përfshirë edhe personat me aftësi të kufizuara”, shpjegoi ajo. “Ne sigurojmë që qeveritë të jenë llogaridhënëse, që demokracia të forcohet dhe që reformat të pasqyrojnë nevojat e njerëzve”.

Mbështetja suedeze përmes “Kvinna till Kvinna” i ka mundësuar RrGK-së të angazhojë mijëra gra të ndryshme në proceset e vendimmarrjes, ndonjëherë për herë të parë. Po ashtu, ajo i ka siguruar RrGK-së burimet për të shqyrtuar dhe komentuar qindra drafte ligje dhe politika në nivel komunal dhe kombëtar, duke pasqyruar nevojat e grave dhe burrave të ndryshëm. Në mbi dy të tretat e këtyre ligjeve dhe politikave, qeveria e ka pranuar kontributin e RrGK-së, duke u mbështetur në ekspertizën e saj. Kosova pritet së shpejti të formojë një qeveri të re, e cila pritet të miratojë mbi 30 ligje të reja që ndërlidhen me anëtarësimin në BE në një kohë shumë të shkurtër. Meqë shkurtimet e fondeve e kanë detyruar RrGK-në të reduktojë stafin e angazhuar në shqyrtimin e ligjeve dhe në konsultimin e grave të ndryshme për t’i informuar për këto procese, RrGK është e shqetësuar se sa mirë do të përfshihen gratë e ndryshme në këto procese dhe kush do ta monitorojë cilësinë e reformave nga perspektiva e barazisë.

Ndërkohë, qeveritë në të gjithë Ballkanin Perëndimor duhet të zbatojnë planet e rritjes të BE-së si pjesë e përfitimit të mbështetjes financiare në kuadër të procesit të anëtarësimit në BE, por këto plane nuk i marrin mjaftueshëm parasysh nevojat e ndryshme të grave dhe burrave, duke përfshirë edhe në Kosovë. “Është thelbësore që të vazhdojmë të monitorojmë cilësinë e reformave për të siguruar adresimin e nevojave të grave dhe burrave të ndryshëm dhe që planet e ardhshme të rritjes, që lidhen me Kornizën e ardhshme Financiare Shumëvjeçare të BE-së, t’i inkorporojnë këto perspektiva”, tha Farnsworth. Shkurtimet e fondeve e vënë në rrezik angazhimin aktiv të organizatave për të drejtat e grave në monitorimin e reformave.

Historikisht, organizatat për të drejtat e grave kanë udhëhequr përpjekjet për avancimin e paqes dhe sigurisë në Kosovë dhe në rajon. Ato kanë avokuar për përfshirjen e grave në proceset e paqes dhe i kanë sjellë zërat e grave në këto procese kur qeveritë dhe aktorët ndërkombëtarë kanë dështuar, duke përfshirë edhe rastin gjatë negociatave dhe Dialogut ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës. Konflikti në Kosovë nuk është zgjidhur dhe pasiguritë reale vazhdojnë për gra dhe burra të ndryshëm. Agjenda “Gratë, Paqja dhe Siguria” ka theksuar se angazhimi i grave është vendimtar për paqe të qëndrueshme. Megjithatë, shkurtimet e fondeve po e vënë në rrezik këtë punë të rëndësishme të organizatave për të drejtat e grave, duke e minuar zbatimin e Agjendës “Gratë, Paqja dhe Siguria”.

Farnsworth theksoi se organizatat për të drejtat e grave në rajon kanë humbur më shumë se 2 milionë euro vetëm gjatë vitit të kaluar. Sipas anketës së kohëve të fundit të RrGK-së me organizata për të drejtat e grave, më shumë se 40% kanë humbur fonde në dy vitet e fundit, ndërsa 9% nuk kanë të siguruara asnjë fond për vitin 2027 e tutje. “Jemi thellësisht të shqetësuara se si do të ndikojë kjo si në ofrimin e shërbimeve ashtu edhe në aftësinë e shoqërisë civile për të ruajtur qeverisjen e mirë, për të avancuar demokracinë dhe për të vazhduar mbështetjen e reformave në përputhje me BE-në”, tha Farnsworth.

Për më shumë se 15 vjet, RrGK ka mbështetur dhe mentoruar institucionet e BE-së, shtetet anëtare dhe qeveritë e Ballkanit Perëndimor për të avancuar një proces gjithëpërfshirës të anëtarësimit në BE. “Ne jemi partnerët tuaj”, theksoi Farnsworth para vendimmarrësve suedezë, “dhe shpresojmë të vazhdojmë të ndërtojmë mbi progresin që kemi arritur së bashku, në mbrojtje të vlerave tona të përbashkëta”.

Organizatat për të drejtat e grave u takuan gjithashtu me stafin e Fondacionit “Kvinna till Kvinna” për të reflektuar mbi ndikimin e madh të arritur së bashku gjatë 20 viteve të fundit, si dhe për të diskutuar për situatën aktuale dhe mundësitë për hapat e ardhshëm. Delegacioni u takua edhe me Ambasadën e Irlandës në Suedi, në kuadër të mbështetjes së zëshme të Irlandës për ruajtjen e të drejtave të njeriut, hapjen e përfaqësive të reja në Beograd dhe Sarajevë, si dhe rolit udhëheqës që pritet të marrë në Presidencën e BE-së në vjeshtën e vitit 2026.

Përmes kësaj vizite, organizatat për të drejtat e grave e ritheksuan mesazhin e tyre prej kohësh: reformat e qëndrueshme, përparimi demokratik, qeverisja e mirë, sundimi i ligjit, rritja ekonomike, të drejtat themelore dhe integrimi kuptimplotë në BE kërkojnë angazhim të vazhdueshëm të shoqërisë civile, veçanërisht të organizatave për të drejtat e grave.

“Duhet të pyesim: çfarë lloj shtetesh anëtare dëshiron BE-ja”, tha Ines Leskaj nga Rrjeti i Fuqizimit të Gruas në Shqipëri (AWEN). “Nëse të drejtat themelore zbatohen siç duhet, pjesa tjetër do të vijë natyrshëm.”

Nëse dëshironi të mbështesni RrGK-në, anëtaret e saj dhe punën tonë të rëndësishme gjatë këtyre kohërave të vështira, mund të dhuroni donacionin këtu.