Pas tridhjetë vitesh në krye të Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK), Igballe (“Igo”) Rogova u tërhoq nga pozita e drejtoreshës ekzekutive në muajin maj. Nën udhëheqjen e saj, RrGK u shndërrua nga Rrjeti i Grave Rurale, në rrjet joformal i themeluar në vitin 1996, e pastaj në një nga organizatat më të njohura dhe më me ndikim në Kosovë, rajon dhe në nivel global. Me 104 organizata për të drejtat e grave, që përfaqësojnë etni, aftësi, mosha, zona gjeografike dhe interesa të ndryshme, forca e RrGK-së qëndron në solidaritetin që Igo ka kultivuar mes anëtareve të saj, që bashkohen rreth çështjeve me interes të përbashkët në nivel komunal, kombëtar dhe ndërkombëtar. Përmes angazhimit të saj publik, bashkëpunimit me mediat dhe ndërveprimit me gra dhe burra në mbarë Kosovën, Igo ka ndërtuar imazhin e rrjetit si një zë të fuqishëm të komuniteteve të ndryshme, që flet të vërtetën ndaj pushtetit dhe lufton padrejtësinë.
Nën udhëheqjen e saj, Rrjeti ka punuar pa u ndalur për të mbrojtur, promovuar dhe avancuar të drejtat e grave dhe vajzave në fusha të ndryshme, duke përfshirë fuqizimin e dhjetëra grave për të hyrë në politikë dhe arritur suksese; mbështetjen e krijimit të kornizës ligjore për trajtimin e dhunës me bazë gjinore në Kosovë, përfshirë qasjen e përqendruar te viktima për njohjen dhe mbështetjen e grave të mbijetuara të dhunës seksuale gjatë luftës; përmirësimin e dhjetëra ligjeve dhe politikave në drejtim të avancimit të barazisë gjinore; fuqizimin ekonomik të qindra grave, përfshirë realizimin e të drejtave të tyre pronësore; përmirësimin e qasjes në kujdes shëndetësor për qindra gra; sigurimin e strehimit dhe drejtësisë për të mbijetuarat e dhunës në familje; si dhe angazhimin e zyrtarëve gra dhe burra si aleatë në avancimin e barazisë, si dhe shumë arritje të tjera – për të përmendur vetëm disa. Përmes Rrjetit, ajo ka asistuar, mentoruar dhe fuqizuar mijëra gra dhe burra. Kjo përfshin bashkëthemelimin e Lobit të Kosovës për Barazi Gjinore, i cili ka bashkuar gra në politikë dhe shoqëri civile në nivel lokal dhe kombëtar për të rritur zërin e grave në politikë dhe vendimmarrje, si dhe për të avokuar së bashku për progres drejt barazisë gjinore.
Si një nga avokueset e para të zbatimit të Rezolutës 1325 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, ajo ka sfiduar qasjen e misioneve ndërkombëtare dhe iniciativave zhvillimore kur nuk kanë arritur që zëri i grave të dëgjohet. Ajo ka punuar pa u lodhur për të dokumentuar dhe ndarë këto histori me zyrtarë të lartë dhe aktiviste për të drejtat e grave në vende të tjera, në mënyrë që ato të mund të mësonin nga përvoja e Kosovës, si përmes librit Fakte dhe fabula për Rezolutën 1325, një botim shumë i lexuar. Në vitin 2006, Igo ishte një ndër nismëtaret kryesore të themelimit të Koalicionit të Grave për Paqe (KGP), i cili bashkoi RrGK-në dhe “Rrjetin, Gratë në të zeza” – Serbi në një iniciativë të pavarur qytetare të bazuar në solidaritetin e grave që kapërcen ndarjet etnike, fetare dhe shtetërore. Ajo gjithashtu ndihmoi në themelimin e Lobit Rajonal të Grave për Paqe, Siguri dhe Drejtësi në Evropën Juglindore (LRG), një grup udhëheqësesh grash nga parti politike dhe shoqëri civile që përfaqësojnë shtatë vende. KGP dhe LRG sollën zërat dhe prioritetet e ndryshme të grave në negociatat Kosovë–Serbi dhe në proceset rajonale të ndërtimit të paqes. Në vitet 2014–2015, ajo ishte anëtare e Grupit Këshillues të Nivelit të Lartë për Studimin Global të OKB-së mbi Rezolutën 1325 të Këshillit të Sigurimit, dhe ka shërbyer dy herë në Panelin Këshillues të Shoqërisë Civile të NATO-s për Gratë, Paqen dhe Sigurinë.
Për punën e saj, Igo është dekoruar me Medaljen Presidenciale të Meritave për “angazhimin e jashtëzakonshëm, guximin dhe përkushtimin e palodhur në avancimin e të drejtave të grave dhe të drejtave të njeriut” nga presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani.
Igo planifikon të vazhdojë aktivizmin dhe angazhimin e saj në lëvizjen e grave, duke kontribuar me ekspertizën e saj të gjerë dhe duke mbështetur punën e RrGK-së.

Më 25 qershor, Bordi i Drejtorëve të RrGK-së zgjodhi drejtoreshën e re ekzekutive, Nicole Farnsworth. E lindur dhe e rritur në Shtetet e Bashkuara, Nicole jeton në Kosovë që nga viti 2003. Në njohje të kontributit të saj në të drejtat e grave dhe barazinë gjinore, asaj iu dha shtetësia kosovare nga presidentja Atifete Jahjaga. Ajo është pjesë e RrGK-së që nga fillimi i procesit të formalizimit në vitin 2003, fillimisht duke kontribuar në marrëdhëniet me publikun në RrGK. Për disa vite, ajo ka shërbyer si zëvendësdrejtoreshë dhe hulumtuese kryesore e RrGK-së dhe ka më shumë se 20 vjet përvojë në menaxhim dhe hulumtim. Nicole ka qenë (bashkë)autore e më shumë se 35 publikimeve që lidhen me barazinë gjinore në sektorë të ndryshëm në Ballkanin Perëndimor dhe në Kosovë, disa prej të cilave kanë kontribuar në hartimin e ligjeve, politikave dhe praktikave të reja. Kjo përfshin bashkëautorësinë e një libri mbi historinë e organizatave për të drejtat e grave dhe aktivizmit që nga viti 1980 për Qendrën Kosovare për Studime Gjinore, “History is Herstory, too” (Historia është edhe e saj), përmes të cilit ajo është njohur me shumë aktiviste për të drejtat e grave, organizata dhe kontributet e tyre në ndryshimet shoqërore, politike dhe ekonomike gjatë viteve 1980–2005. Përmes RrGK-së, ajo ka vazhduar të punojë ngushtë edhe me organizatat anëtare të ndryshme. Për më shumë se 15 vjet, Nicole ka përfaqësuar RrGK-në në forume të shumta ndërkombëtare dhe rrjete rajonale të grave, duke avokuar për Kosovën, nevojat e grave dhe barazinë gjinore pranë Bashkimit Evropian, Kombeve të Bashkuara, Bankës Botërore, Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe qeverive të ndryshme. Me përvojë në këshillim për organizata të ndryshme në Kosovë dhe në më shumë se tetë vende të tjera, ajo ka një ekspertizë të gjerë në mbështetjen e zhvillimit të shoqërisë civile dhe në avokim. Nicole gjithashtu ka bashkëpunuar ngushtë me zyrtarë qeveritarë në nivel komunal dhe kombëtar për avancimin e barazisë gjinore, integrimin gjinor në politikat publike dhe institucionalizimin e buxhetimit të përgjegjshëm gjinor. Në të kaluarën, ajo ka punuar edhe me Qendrën për Trajnime dhe Burime për Avokim, Qendrën Kosovare për Studime Gjinore dhe Iniciativën për Stabilitet në Kosovë. Me një diplomë master në hulumtim sociologjik nga Shkolla e Ekonomisë në Londër (London School of Economics), Nicole ka një bazë të fortë në studime gjinore, politika sociale dhe zhvillim, në politikë dhe gazetari. Ajo ka përfunduar studimet baçellor në Universitetin e Nju Jorkut për politikë dhe sociologji, me drejtim dytësor gazetarinë.
Me përkushtimin e saj dhe 22 vjet përvojë në lëvizjet e grave në Kosovë, rajon dhe në nivel global, si dhe me qasje feministe ndaj ndarjes së pushtetit, vendimmarrjes me konsensus dhe qasjeve gjithëpërfshirëse, Nicole pret me padurim të vazhdojë t’i shërbejë RrGK-së dhe anëtarësisë së saj, duke ndërtuar mbi themelet e forta të vendosura nga Igo dhe nga anëtarësia e RrGK-së.
