Më 23 korrik, Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK) dhe Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) u takuan me drejtorët e Drejtorive për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, përfaqësues të Qendrave për Punë Sociale dhe zyrtarë për barazi gjinore për të diskutuar për sfidat dhe mundësitë për forcimin e buxhetimit të përgjegjshëm gjinor për shërbimet sociale në nivel lokal, veçanërisht për shërbimet për të mbijetuarat e dhunës me bazë gjinore.
Në fjalën e tij hyrëse, Gani Berisha, menaxher i programit në AKK, tha se “Asociacioni i Komunave të Kosovës i jep rëndësi të veçantë shërbimeve sociale.” Ai shtoi: “Ne kemi marrë pjesë vazhdimisht në forume dhe diskutime, duke avokuar që shërbimet sociale të ofrohen sipas standardeve të duhura dhe t’u përgjigjen sa më mirë nevojave të qytetarëve.”
Berisha theksoi se AKK-ja ka lobuar prej kohësh për krijimin e një granti të veçantë për shërbimet sociale, të ngjashëm me grantet ekzistuese për arsimin dhe shëndetësinë, si dhe për ndryshimin e Ligjit për Financat e Pushtetit Lokal, i cili është thelbësor për funksionimin e komunave dhe ofrimin e shërbimeve publike. Megjithatë, këto prioritete të kahershme ende nuk janë adresuar.
Drejtoresha ekzekutive e RrGK-së, Nicole Farnsworth, theksoi se buxhetet komunale duhet t’u përgjigjen nevojave të ndryshme të të gjithë qytetarëve, përfshirë të mbijetuarat e dhunës me bazë gjinore, dhe se bashkëpunimi ndërmjet komunave, ministrive përgjegjëse dhe shoqërisë civile është thelbësor.
“Qëllimi ynë është të diskutojmë se çfarë mund të bëjmë së bashku për të siguruar buxhet të mjaftueshëm për shërbime sociale cilësore,” tha ajo.
Menaxherja e programit në RrGK, Besarta Breznica, përmblodhi sfidat kryesore për buxhetimin adekuat të shërbimeve sociale, duke u bazuar në takimet e RrGK-së me disa zyrtarë komunalë dhe në hulumtimet ekzistuese të KOMF-it. Këto, si dhe sfida të tjera të diskutuara me pjesëmarrësit, përfshinin:
- Financim të pamjaftueshëm për shërbimet sociale, përfshirë menaxhimin e rasteve të dhunës me bazë gjinore;
- Mungesën e një granti specifik të dedikuar ose të një kodi të veçantë buxhetor për shërbimet sociale dhe Qendrat për Punë Sociale;
- Mungesën e stafit në Qendrat për Punë Sociale për shkak të planifikimit të pamjaftueshëm dhe mungesës së një formule të detyrueshme për përcaktimin e numrit të stafit;
- Burime të pamjaftueshme për punësimin e punëtorëve socialë shtesë të specializuar;
- Barrën financiare të marrëveshjes kolektive, e cila krijon presion shtesë mbi buxhetet komunale, duke kufizuar burimet në dispozicion për shërbimet sociale; dhe
- Mungesën e investimeve në shërbime të përballueshme dhe të qasshme të kujdesit, e cila gjithashtu kufizon pjesëmarrjen e grave në tregun e punës.
Blerim Shabani, drejtor i Departamentit për Politikat e Shërbimeve Sociale dhe Familjare në Ministrinë e Punës, Familjes dhe Vlerave të Luftës Çlirimtare, trajtoi disa nga sfidat buxhetore që ndikojnë në shërbimet sociale dhe ofroi sugjerime të dobishme se si Qendrat për Punë Sociale mund t’i adresojnë këto çështje.
Pasdite, Farnsworth prezantoi një model të propozuar për planifikimin dhe buxhetimin e përgjegjshëm gjinor të shërbimeve sociale, bazuar në qarkoren buxhetore të Kosovës dhe manualin e Institutit të Kosovës për Administratë Publike për buxhetimin e përgjegjshëm gjinor.
Buxhetimi i përgjegjshëm gjinor kërkohet nga ligji për barazi gjinore dhe qarkoret vjetore buxhetore, të cilat u kërkojnë komunave të dorëzojnë shtojca që shpjegojnë se si buxhetet e tyre do të kontribuojnë në barazinë gjinore.
Gjatë prezantimit të saj, Farnsworth hodhi poshtë mitin se buxhetimi i përgjegjshëm gjinor është vetëm për gratë – përkundrazi, ai kërkon analizimin e nevojave të grave dhe burrave nga grupe të ndryshme, për të shërbyer si bazë për veprimet dhe ndarjet buxhetore. Ajo gjithashtu theksoi se ai nuk kërkon domosdoshmërisht buxhet më të madh, por ndarje buxhetore më të bazuara në analiza të buxheteve ekzistuese.

Zyrtarët komunalë dhanë komente për propozimin, duke diskutuar se si ai mund të përshtatet për zbatim në komunat e tyre.

Në përfundim, pjesëmarrësit u pajtuan për nevojën e vazhdimit të bashkëpunimit ndërmjet komunave, Qendrave për Punë Sociale, ministrive përgjegjëse dhe shoqërisë civile, me qëllim përmirësimin e qasjes në shërbime sociale cilësore, të financuara në mënyrë adekuate dhe të qëndrueshme për të gjithë ata që kanë nevojë.
Kjo iniciativë u zbatua në partneritet me Institutin e Menaxhimit Lindje-Perëndim.
