EcoKosWomen, organizatë anëtare e Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK), organizoi më 21 tetor 2026 në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë, Panairin Tradicional të Grave Fermere, duke mbledhur gra fermere nga e gjithë Kosova për të promovuar prodhimet e tyre dhe për të krijuar mundësi të reja bashkëpunimi.
Panairi u organizua në kuadër të aktiviteteve që vënë në pah kontributin e grave rurale në bujqësi, sigurinë ushqimore dhe zhvillimin rural, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Grave Rurale, e cila shënohet më 15 tetor. Përmes prodhimeve bujqësore, ushqimeve të përgatitura në shtëpi dhe punës së tyre, gratë patën mundësi të krijojnë lidhje me qytetarët, institucionet dhe bizneset.
Në hapje të panairit, Danijella Çoça nga EcoKosWomen theksoi rëndësinë e rolit të grave në bujqësi dhe zhvillimin rural.
“Shënojmë një ditë të veçantë që na bashkon për të nderuar rolin e pazëvendësueshëm të grave në bujqësi, zhvillimin rural dhe qëndrueshmërinë e komuniteteve tona”, u shpreh ajo.
Çoça theksoi se mbështetja e grave rurale është thelbësore për një të ardhme më të barabartë dhe më të qëndrueshme. Sipas saj, panairi shkon përtej promovimit të produkteve vendore, duke vlerësuar dijen, kreativitetin dhe përkushtimin e grave që kontribuojnë në ekonomitë familjare, zhvillimin rural dhe ruajtjen e traditave.
Megjithatë, kontributi i grave në bujqësi dhe në ekonomitë familjare shpesh mbetet i panjohur dhe i paregjistruar. Kjo mund t’ua kufizojë qasjen në financim, skema mbështetëse dhe mundësi për zhvillimin e aktiviteteve të tyre ekonomike.
Gjatë panairit, RrGK u takua edhe me Shpresa Gosalci Mjekiqi nga EcoKosWomen, e cila theksoi rëndësinë e njohjes së punës së grave rurale dhe adresimit të informalitetit. Ajo vuri në pah se, megjithëse shumë gra angazhohen çdo ditë në veprimtari bujqësore dhe në ekonomitë familjare, puna e tyre nuk njihet gjithmonë si aktivitet ekonomik.
Përmes panairit synohet të rritet ndërgjegjësimi për këtë problematikë, ndërsa grave t’u krijohen mundësi për të promovuar prodhimet, për të arritur klientë të rinj dhe për të ndërtuar bashkëpunime me biznese e institucione.
Panairi Tradicional i Grave Fermere rikujton se fuqizimi ekonomik i grave rurale kërkon më shumë se vlerësim simbolik: kërkon mundësi të barabarta, qasje në financim e trajnime dhe përfshirje në proceset vendimmarrëse. Njohja e punës së tyre dhe mbështetja konkrete janë thelbësore që gratë fermere të zhvillojnë veprimtaritë e tyre dhe të marrin pjesë plotësisht në jetën ekonomike e shoqërore.
