Adresimi i ngacmimit seksual në vendin e punës

 Më 4 dhjetor, Qendra Kosovare për Studime Gjinore (QKSGJ), një anëtare e vjetër e Rrjetit të Grave të Kosovës (RRGK), organizoi një diskutim në panel me titull “Ngacmimi seksual në vendin e punës në Kosovë”. Paneli u moderua nga Lavdi Zymberi, nga QKSGJ-ja, dhe përbëhej nga Gresa Rrahmani nga RRGK-ja, Jeta Berisha nga Artpolis dhe Zana Idrizi nga “Girls Coding Kosovo”.

Idrizi informoi publikun lidhur me  aplikacionin “Walk Freely” (ec lirshëm), një aplikacion në internet, i pari i këtij lloji i zhvilluar nga kodueset e reja në Kosovë. Përmes këtij aplikacioni, gratë dhe burrat mund të raportojnë ngacmimin seksual duke përdorur telefonat e tyre. Më tej, Idrizi diskutoi për të dhënat e mbledhura, të cilat tregojnë 52 raporte për raste ngacmimi seksual në vendin e punës, 25 prej të cilëve ishin kryer nga punëdhënësi, 15 nga kolegët e punës dhe 12 nga klientët.  Nga ana tjetër, Berisha u përqendrua te puna e vazhdueshme që “Artpolis”-i ka bërë në drejtim të rritjes së vetëdijesimit të publikut, përmes artit, për dëmin e ngacmimit seksual. Gjithashtu, ajo ndau me të pranishmit përvojën e saj personale me përpjekjet për raportimin e rasteve të ngacmimit seksual te institucionet përgjegjës dhe dështimin e tyre për t’i adresuar këto raportime në mënyrën e duhur. Rrahmani ndau me të pranishmit të dhënat e hulumtimit nga raporti “Ngacmimi seksual në Kosovë”, i përgatitur nga RRGK-ja, duke vënë në dukje se sa shqetësuese është që 60% e grave kanë përjetuar ngacmim seksual në jetën e tyre, krahasuar me 30% që janë burra. Duke adresuar shkurtimisht problemet kryesore që kanë të bëjnë me këtë çështje, nga “fajësimi i viktimës” e deri te “marrëdhëniet e pushtetit”, prezantimi i saj u përqendrua te mënyra se si viktimat e ngacmimit seksual mund të raportojnë rastet e ngacmimit tek institucionet përgjegjëse, te procedurat që këto mund të ndjekin dhe te rëndësia e njohjes dhe ushtrimit të të drejtave të tyre.
Së fundmi, pjesa më e madhe e të pranishmëve ranë dakord se edhe pse çështja e ngacmimit seksual vazhdon të jetë problematike dhe e përhapur, është e rëndësishme të vazhdohet të flitet për të, të rritet ndërgjegjësimi dhe të përkrahen viktimat e ngacmimit seksual lidhur me pretendimet e tyre. Ky panel u organizua brenda 16 ditëve të fushatës së aktivizmit “Mos lini asnjë prapa: Jepini fund dhunës kundër grave dhe vajzave”, fushatë kjo e përkrahur nga fondacioni “Kvinna till Kvinna” dhe e financuar nga SIDA.
Fotografia: ©KGSC