Agjencia për Barazi Gjinore dhe Qeveria zotohen për avancim të barazisë gjinore  

Për të shënuar Ditën Ndërkombëtare të Gruas, 8 marsin, Agjencia për Barazi Gjinore (ABGj) në bashkëpunim me kryeministrin e Republikës së Kosovës, Albin Kurti, kanë lansuar Amendamentimin e Kornizës Ligjore për Mbrojtje nga Dhuna në Familje, si dhe kanë prezantuar draftin final të Programit të Kosovës për Barazi Gjinore. 

Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) ishte në mesin e organizatave të pranishme në këtë ngjarje.  

Fillimisht, Edi Gusia, Kryeshefe Ekzekutive e ABGj-së, përmendi se PKBGJ (Programi Kombëtar për Barazi Gjinore) është hartuar me anë të pjesëmarrjes aktive të grupeve punuese, përfaqësuesve të institucioneve, shoqërisë civile, organizatave partnere, vendore dhe atyre ndërkombëtare.  

Sipas saj, një model i tillë i përpjekjes institucionale për qasje gjithëpërfshirëse në hartimin e një politike qeveritare synon të sigurojë që procesi i arritjes së barazisë gjinore të jetë në qendër të procesit të transformimit të shoqërisë brenda tërë strukturave të saj. 

Kurse, kryeministri Albin Kurti tha se gjendja e gruas në shoqërinë kosovare vazhdon të jetë e rëndë, si në aspektin social po ashtu edhe atë ekonomik. 

“Sot gratë janë të nën-përfaqësuara, te nën-punësuara, janë subjekt i dhunës dhe ngacmimit seksual dhe i objektifikimit medial. Pabarazia gjinore nuk është vetëm e padrejtë por është edhe e kushtueshme. Gratë janë pjesë përbërëse e ekonomisë, por nuk janë pjesë e zhvillimi ekonomik pasi janë të përjashtuara nga vendimmarrja dhe tregu i punës”, tha Kurti.   

Të pajtimit me shefin e ekzekutivit ishin edhe ministret; Albulena Haxhiu, Ministre e Drejtësisë, Vlora Dumoshi, Ministre e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Rozeta Hajdari, Ministre e Ekonomisë, Punës, Tregtisë dhe  Industrisë si dhe Emilia Rexhepi, Ministre e Administrimit dhe Pushtetit Lokal. Që të gjitha ministret, bashkërisht u zotuan për përpjekje më të mëdha drejt arritjes së barazisë gjinore, duke premtuar bashkëpunimin e ministrive në fushat që ato mbulojnë. 

Kujtojmë se përgjatë punës dhe aktiviteteve të shumta, RrGK gjithnjë ka vlerësuar lart rolin e ABGJ-së, si një mekanizëm tejet i rëndësishëm për monitorimin e zbatimit të Ligjit për Barazi Gjinore (LBGj) në institucione.    

Së fundi, në takim me kryeministrin Kurti, RrGK ka vënë theksin te rëndësia për vazhdimin e bashkëpunimit të suksesshëm ndërmjet RrGK-së dhe ABGj-së. 

Më shumë lidhur me këtë takim me Kurtin mund të lexoni KËTU.