Në përpjekje për ta inkurajuar bashkëpunimin dhe shkëmbimin e përvojave me aktivistët anembanë botës, këtë muaj RrGGK-ja ka pritur një delegacion austriak. Në bashkëpunim me organizatën austriake “Sudwind”, si dhe me mbështetjen e Agjencisë Austriake për Zhvillim, aktivistet nga Austria kanë kaluar pesë ditë në Kosovë, duke mësuar më shumë për pozitën e grave në Kosovë.
Vizita e tyre filloi në Prishtinë, ku kanë mësuar më shumë për punën dhe anëtaret e RrGGK-së. Diskutimet me Agjencinë për Barazi Gjinore dhe misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit iu ka bërë të mundur të mësojnë për kornizën ligjore të Kosovës. Më pas, ato kanë vizituar OJQ-në “Dera e Hapur”, e cila punon në drejtim të fuqizimit ekonomik të grave. Gjatë ditës së tretë ato udhëtuan për në Gjakovë dhe janë takuar me Mimoza Kusari-Lilën, gruan e parë në Kosovë që është zgjedhur Kryetare Komune. Ato kanë vizituar edhe strehimoren e grave, ku kanë shkëmbyer përvojat e tyre gjatë punës në strehimore dhe kanë mësuar për gjendjen e strehimoreve në Kosovë.
“Strehimorja e grave është duke bërë një punë të shkëlqyer. Ne ndeshemi me probleme të ngjashme dhe puna jonë është shumë e ngjashme,” ka vënë në dukje njëra prej pjesëmarrësve.
Gjatë rrugës për në Prizren, ato vizituan fshatin Krushë e Vogël dhe u takuan me Dile Prekpalajn nga Shoqata e Grave Fermere të Krushës së Vogël. Ato mësuan më shumë për prodhimin e qumështit në këtë zonë. Më vonë, pasi mbërritën në Prizren, u takuan me Xhejrane Lokajn nga Shoqata e Iniciativës së Grave, e cila punon në drejtim të fuqizimit ekonomik të grave në Dragash.
Në ditën e fundit, grupi ka vizituar OJQ-në Rikotta, e cila i fuqizon gratë në aspektin ekonomik duke prodhuar dhe shitur ëmbëlsira. Ato i provuan disa ëmbëlsira: një mënyrë e mrekullueshme për ta përfunduar vizitën!
Aktivisteve nga Austria iu ka lënë përshtypje të thella puna e grave kosovare në të gjitha nivelet.
“Ju keni shumë energji për punë”, tha njëra prej pjesëmarrëseve. “Keni ndryshuar shumë gjëra brenda një kohe të shkurtër, madje keni arritur të ndryshoni një ligj dhe ta bëni qeverinë të bëjë ligje të tjera. Është diçka e mahnitshme.”