Aktivistja Shukrije Gashi: Përkundër vështirësive, RrGK përkrahi fuqizimin e grave në fusha të ndryshme

Shukrije Gashi, Drejtore Ekzekutive e Partners Kosova Center for Conflict Management (Partners K) e përmbyll listën e aktivisteve të cilat Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) i solli te lexuesit përgjatë këtij viti.

Shukrije Gashi [apo Shuki siç e thërrasin përzemërisht miqtë e saj] aktivizmin e filloi në rrethana të rënda politike, atëherë kur Kosova ende nuk ishte shtet i pavarur e të drejtat e njeriut cenoheshin, kurse së fundi, përgjatë Kuvendit të 19 Vjetor të Anëtare të RrGK-së, ajo u nderua me çmimin “Sevdije Ahmeti”, çmim ky të cilin RrGK e ndan tash e katër vite në nderim të aktivistes së ndjerë Sevdije Ahmeti (1944-2016). 

Në këtë artikull, ajo flet për aktivizmin e saj, bashkëpunimin që ka ndër vite me RrGK-në si dhe lëvizjen feministe ndër dekada.

Fillimi i aktivizmit të Gashit dhe sfidat e saj

Në fillim të bisedës sonë, duke përshkruar përiudhën e hershme të akivizmit, ajo na sjell ndër mend se u rrit në një familje të njohur për të bëma kombëtare dhe barazi gjinore.

“Si rebele jam njohur që nga bankat e shkollës fillore, duke shkruajtur hartime kundër regjimit të kohës. Arsimtarja e gjuhës shqipe, znj. Gjylije Ibrani, në një situatë ballafaqimi me një hartim timin që në vend se të shkruaja për ditën e çlirimit të Jugosllavisë, unë zgjodha të shkruaj për Festën e Flamurit Kombëtar, dhe se si gratë e vajzat shqiptare po festonin krenare rrugëve të Prishtinës. Meqë znj. Ibrani ishte patriote e madhe, nuk më lajmroi në Drejtori, por në fund të orarit më mbajti më gjatë në klasë dhe më propozoi që ta sillja babanë që të bisedonte me të. Në praninë time, ata biseduan për nevojën që unë mos të bëja veprime të tilla për mos ta dëmtuar as arsimtaren e as familjen.”

Gashi tutje thekson se në këtë kohë mundësitë ishin shumë të kufizuara për të vepruar apo demonstruar një mendim ndryshe.

Si studente e Fakultetit Juridik, ajo ka qenë e angazhuar në Lëvizjen për Republikën e Kosovës në kuadër të Federatës Jugosllave. Madje, edhe aso kohe, Gashi shpesh herë ishte përplasur me moshatarët e profesorët e saj për të drejtat e grave.

“Në vitin 1983, më 26 prill u burgosa dhe u dënova me dy vjet burg. Edhe sa qëndrova brenda burgut, kurrë përrpjekjet e mia për barazi gjinore nuk i kam lënë anash. Përkundrazi edhe aty kam avokuar shumë që ne vajzat dhe gratë – të burgosurat nuk duhej ta kalonim kohën kot, por të përgatiteshim që përpjekjet tona për barazi gjinore t’i fitonim brenda përpjekjeve për barazi kombëtare, duke u bërë pjesë e Lëvizjeve të kohës”, kujton ajo këtë ngjarje të para katër dekadave.

Ajo shkoqit një moment qe s’do ta harrojë asnjëherë nga burgosja.

“Kur jam burgosur, e kam pas të veshur një këmishë ushtarake, në të cilën e pata vizatuar portretin e këngëtares Janis Joplin, një yll i rokut amerikan, interpretuese dhe shkruese e teksteve të këngëve rok dhe bluz. Ka qenë simbol i idealit tim. Dhe kur më morën në pyetje inspektorët e UDB-së (Shërbimi Sekret Serb) në veçanti nuk e kuptonin sarkazmën e mesazhit të këngës së saj “Mercedes Benz”? Pra, aktivizmi im ka qenë i thellë dhe i brumosur me dije kulturore e artistike, kjo përveç asaj nacionale”

Gashi sjell ndër mend se ka dhe shumë situata të tjera të ngjashme. Mirëpo, siç tregohet edhe në këtë artikull, Gashi, edhe pas burgosjes e sfidave nuk u dorëzua, por vazhdoi dekada punë e aktivizëm, gjithnjë duke bartur mbi supe tiparet e një feministeje rebele.

Barazia Gjinore dikur dhe sot

Krahasuar me sot, kujton ajo, lëvizja për barazi gjinore si nevojë, ndjenjë dhe cytje ka qenë shumë më e fuqishme atëherë.

“Ka pasur gra e vajza e mandej edhe djem e burra që e kanë përkrahur lëvizjen duke gjetur forma siç ka qenë angazhimi i vajzave dhe grave në lëvizjet kombëtare të kohës. Mund të them lirisht, që djemtë e asaj kohe “shokët e lëvizjes ilegale” kanë qenë shumë të kujdeshëm dhe të përfshirë shumë në avokim për angazhimin tonë në Lëvizje, sidomos për të krijuar hapësirë të barabartë për gratë e vajzat në shoqëri.”

Ajo vlerëson se fatkeqësisht sot, ndonëse rrethanat dhe ligjet kanë ndryshuar e janë në favor të realizimit të të drejtave të grave ka “qasje herë-herë me nuanca është retrograde dhe në dëm të grave e shpërfaqur me dhunë të rëndë e vrasje.”

Vlera e bashkëpunimit me RrGK-në

Gjatë rrugëtimit të saj për të drejtat e grave, Gashi ka bashkëpunuar gjatë me RrGK-në dhe ka qenë edhe anëtare e Bordit për një mandat. Sot, ajo e vlerëson lart rolin e RrGK-së dhe të anëtareve të saj ndër vite për përparimin e të drejtave të grave.

“Kam punuar gjatë me RrGK-në që në themelet e këtij Rrjeti, sepse kam njohur nga afër punën dhe lidershipin, në veçanti Igon [Igballe Rogovën, Drejtore Ekzekutive e RrGK]. Po ashtu, kam njohur shumë gra të zonja e të zëshme ndër vite, përfshirë këtu edhe zonjën Sevdije Ahmeti dhe veprimtarinë e saj që nga viti 1987.

Më vonë, ajo njohu nga afër edhe bashkëveprimtaren e Sevdije Ahmetit, Vjosa Dobruna e cila po ashtu bashkë me Ahmetin kanë dhënë kontribut të jashtzakonshëm për barazinë gjnore.

“Ka edhe shumë gra të tjera, si Afërdita Saraqini, Velentina Saraqini, Edita Tahiri, Hamide Latifi e shumë gra të tjera. Mëpastaj ato më të rejat ndonëse shumë të reja në vitet e 90-ta janë- Eli Krasniqi e Eli Gashi, e të tjera.”

Teksa flet për kontributin e aktivisteve, Gashi thotë:

“Igballe Rogovën, bashkë me aktoren e teatrit, Safete Rogovën dhe mësuesen Marta Prekpalaj, i kam njohur edhe para luftës së fundit në Kosvë, në punën që ato bënin për gratë dhe arsimimin e tyre në Zymë të Hasit dhe popullatën hasjane përmes Shoqatës “Motrat Qiriazi”.” Ajo vlerëson lart edhe aktivizmin e Nicole Fransworth, Drejtore e Programit, Udhёheqёse e Hulumtimit në RrGK, të cilën e njohu pas luftës.

Po ashtu në këtë periudhë, ajo bashkë me zonjën Naxhije Buçinca, aktiviste shumëvjeçare e Forumit të Grave të LDK-së, zonjën Xheraldina Vula, aktiviste dhe bashkëthemeluese e TV 21, zonjën Sevidje Ahmeti, zonjën Safete Rugova e gra të tjera themeluan “Shoqatën e Grave Krijuese të Kosovës”.

Ajo vlerëson se roli i RrGK-së ka qenë të ndërtojë një hapësirë të sigurt ndërveprimi me komunikim të dyanshëm e dëgjim aktiv.

“RrGK kishte një platformë të atillë ku gratë e vajzat mund të flisnin zëshëm për nevoja e interesat e tyre për barazi e gjithëpërfshirje gjinore. Ku gratë dhe vajzat do të mund të pajiseshin me dije e shkathtësi për të artikuluar më mirë nevojat e tyre, për të qenë pjesëmarrëse në proceset vendimmarrëse dhe në paraqitjet publike.”

Sipas Gashit, roli i RrGK-së ka qenë dhe është i shumëfishtë. Më poshtë, ajo numëron disa nga kontributet e RrGK-së.

“Hartimi i ligjeve, strategjive dhe Planeve të Veprimit për Barazi Gjinore dhe gjithpërfshirje në mbështetje të kornizave ligjore vendore e ndërkombëtare. Ngritja e shkathtësive profesionale të grave në hap me veprimet e grave lidere të shquara në botë për barazi. Pajisja me shkathtësi biznesore të grave dhe vajzave për t’u bërë e barabartë në tregun konkurrues e cilësor, përmes ndarjes së granteve dhe ofrimit të trajnimeve për organizatat anëtare, por edhe ato të shoqërisë civile ne përgjithësi.”

Ajo kujton se ka pasur përparim por ndonjëherë edhe rënie, kjo edhe për shkak të zhvillimeve politike, duke qenë Kosova edhe nën menaxhimin e OKB-së dhe agjencive të saja, sipas saj, jo gjithmonë me qasje konstruktive për shkak të statusit paragjykues të Kosovës në Rezolutën 1244. 

“Megjithkëtë RrGK, duke vepruar e angazhuar rreth vetes gra të zonjat e herë – herë edhe burra, ja doli që përkundër vështirësive të përkrah fuqizimin e grave në fusha të ndryshme. RrGK shquhet edhe për rolin avokues “nën hije” për Kosovën dhe ndërkombëtarizimin e saj, do të thotë rolin e përkrahjes së Lëvizjeve paqësore për barazi njerëzore e gjinore”, thotë ajo.

Kur kujton historikun e lëvizjes së grave, Gashi vlerëson se ndryshimet e mëdha nuk do të mund të medohen e as të shkruhen pa pjesëmarrjen dhe përkrahjen e fuqishme të RrGK-së në periudha të ndryshme.

“E sidomos ato të pas vitit 2004. Protestat e popullit e grave kundër katër-pikëshit,  e gjashtë pikëshit të Misionit të OKB-së, si dhe Lëvizjeve për ndryshim. Përkrahjen dhe ndërkombëtarizimin e dhunës shtetërore të regjimit serb ndaj grave gjatë luftës dhe më vonë nga patriarkalizmi. Pajisjen e Kosovës me Kornizë Ligjore Kundër Diskriminimit.”

Pesha e çmimit “Sevijde Ahmeti”

Së fundi, gjatë Kuvendit të 19 Vjetor të Anëtareve të RrGK-së, Gashi ka marrë çmimin “Sevdije Ahmeti”, të cilin ajo e vlerëson jashtëzakonisht lart.

“Faleminderit shumë Kuvendit dhe RrGK-së, që më nderoi me një çmim kaq të veçantë. Sevdije Ahmeti bëri epokë në fushën e barazisë dhe të drejtave gjinore në Kosovë dhe përtej në arenën ndërkombëtare. Ajo nuk rreshti kurrë që për dekada të tëra, gjithë jetën të jetë luftëtare e denjë dhe e zëshme për të drejta kombëtare dhe barazi gjinore, sepse e dinte se asnjëra nga këto të drejta universale të njeriut, nuk mund të bënin dhe as preknin ndryshimin përmbajtësor si të ndara.”

Për të, ky çmim është një obligim shtesë që kurrë mos ta harrojë që është grua dhe që misioni i saj i parë është përkrahja e grave fuqishëm, jo vetëm në nivel nacional por edhe në atë ndërkombëtar, saherë që të jetë nevoja, dhe jo vetëm me fjalë por edhe me angazhim konkret.

Kur flasim për çmimet që vlerësuan punën e Gashit, kujtojmë se në vitin 2006 ajo ka marrë çmim për anagzhimin për të drejta dhe barazi gjinore nga Instituti për Paqe dhe Drejtësi Joan B.Kroc– Universiteti “San Diego”, duke u zgjedhë në mesin e katër grave të botës të përzgjedhura për çmimin “Gruaja Krijuese e Paqes 2006”. Shih KËTU për më shumë.

“Krejt në fund, faleminderit Rrjetit dhe Kuvendit, Bordit e gjithë atyre grave që punojnë në Rrjet dhe anëtareve e donatorëve për bujarinë e tyre për ta përkrahur RrGK-në dhe Lidershipin e RrGK-së për t’i shtyer ërpara kauzat e grave për barazi dhe gjithpërfshirje gjinore”, thotë ajo.

Gashi këtë intervistë e përmbyll me urim të përzemërt për vitin 2022.