Analiza e re e RrGK-së monitoron zbatimin e Buxhetimit të Përgjegjshëm Gjinor, sipas SDG-ve

Rrjeti i Grave të Kosovës, si pjesë e Rrjetit të Mbikëqyrësve të Buxheteve Gjinore, publikoi përmbledhjen e politikave më të fundit mbi “Monitorimin e zbatimit të indikatorit 5.c.1 të SDG-së në Kosovë” për 2019. Indikatori 5.c.1 i SDG-ve (Qëllimet për Zhvillim të Qëndrueshëm) mbi buxhetimin e përgjegjshëm gjinor përfshin: “përqindjen e shteteve me sisteme për të gjurmuar dhe krijuar alokime publike për barazinë gjinore dhe fuqizimin e grave”. Kjo përmbledhje e politikave përdor metodologjinë e UN Ëomen që vlerëson tri kritere kryesore: i) synimin e qeverisë për të adresuar barazinë gjinore duke identifikuar nëse politikat, programet dhe burimet/buxhetet e tilla janë në fuqi; ii) nëse Sistemi i Menaxhimit të Financave Publike promovon qëllime që lidhen me gjininë ose me përgjegjësi gjinore; dhe, iii) nëse mekanizmat për ndarjen e burimeve publike ekzistojnë për të rritur llogaridhënien publike.

Në lidhje me kriterin e parë, të gjeturat përfshijnë që Kosova ka programe ose politika të qeverisë që janë të dizajnuara për të adresuar qëllimet e identifikuara mirë të barazisë gjinore si dhe ekzistojnë procedura për të siguruar që këto burime të zbatohen sipas buxhetit. Megjithatë, programet ose politikat nuk kanë burime të mjaftueshme të ndara brenda buxhetit për të përmbushur objektivat e tyre të përgjithshme dhe qëllimet e tyre për barazi gjinore.

Në lidhje me kriterin e dytë, të gjeturat përfshijnë që Ministra e Financave e bën lëshimin e qarkoreve ose direktivave që japin udhëzime specifike për ndarjet e buxhetit të përgjegjshëm gjinor, si dhe programet dhe politikat kryesore, të propozuara për përfshirje në buxhet, i nënshtrohen një vlerësimi ex-ante të ndikimit gjinor. Megjithatë, qeveria, nuk parasheh, në kontekstin e buxhetit, një deklaratë të qartë të qëllimeve të lidhura me barazinë gjinore, të njohura shpesh si deklarata të buxhetit gjinor. Për më tepër, statistika dhe të dhëna të ndara sipas gjinisë nuk përdoren në mënyrë sistematike në programet dhe politikat kryesore që të informojnë vendimet e politikave të lidhura me buxhetin. Po ashtu, nuk ka parakushte për të zbatuar një perspektivë gjinore në kontekstin e përcaktimit të objektivave të përformancës në lidhje me buxhetin. Në Kosovë, programet dhe politikat kyçe nuk i nënshtrohen vlerësimit ex-post të ndikimit gjinor dhe buxheti si i tërë nuk i nënshtrohet një auditimi të pavarur për të vlerësuar shkallën në të cilën promovohen politika të përgjegjshme gjinore.

Në lidhje me kriterin e tretë, të gjeturat përfshijnë që informacioni mbi ndarjet e barazisë gjinore nuk është publikuar në një mënyrë të qasshme, në kohën e duhur dhe në format lehtësisht të kuptueshëm në faqen e Ministrisë së Financave dhe/ose buletinet zyrtare përkatëse ose njoftimet publike.

Rekomadimet specifike për të siguruar progresin në zbatimin e këtij indikatori, përfshijnë:

  • një ndryshim në sistem të buxhetit të tanishëm në Kosovë të linjave buxhetore dhe kategorive ekonomike tek një një sistem i buxhetimit programatik, i cili do ta lehtësonte përdorimin sistematik të BPGj dhe buxhetimin e performancës;
  • qeveria duhet të përdorë buxhetimin me tregues të performancës në lidhje me barazinë gjinore për sektorë dhe kode të ndryshme buxhetore, për të demonstruar progresin më qartësisht; statistikat dhe të dhënat e ndara sipas gjinisë duhet të krijohen, mirëmbahen dhe përdoren në mënyrë sistematike që të informojnë vendimet e politikave, nga të gjitha organizatat buxhetore në nivel qendror dhe lokal;
  • të gjitha programet dhe politikat kyçe duhet t’i nënshtrohen vlerësimeve ex-ante dhe ex-post të ndikimit gjinor; Komisioni Parlamentar për Buxhet dhe Transfere, dhe Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione duhet të bashkëpunojnë për të organizuar dëgjime publike për të informuar finalizmin e tij;
  • Ministria e Financave në bashkëpunim të ngushtë me Agjencinë për Barazi Gjinore duhet të draftojë dhe të sigurojë Deklaratën e Buxhetit Gjinor për çdo Ligj të Buxhetit të propozuar dhe adaptuar çdo vit;
  • Zyra Kombëtare e Auditimit duhet të publikojë analiza të buxhetit prej një perspektive gjinore të paktën një herë në pesë vjet, por idealisht çdo vit; komunat duhet të ofrojnë informata me kohë mbi ndarjet buxhetore dhe shpenzimet për barazi gjinore; dhe,
  • informacioni buxhetor mbi alokimet dhe shpenzimet per barazi gjinore duhet të jetë publik dhe i qasshëm në faqen e Ministrisë së Financave, në kohë dhe në një mënyrë lehtësisht të kuptueshme.

Për më shumë detaje, ju lutem lexojeni shkrimin e plotë KËTU.

Ky publikim është në kuadër të Rrjetit të Mbikëqyrësve të Buxheteve Gjinore, me organizatat partnere nga Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi, Bosnia dhe Hercegovina, Moldavia, dhe Serbia, që kanë ndërmarre këtë nismë si një iniciativë të përbashkët mbi buxhetimin e përgjegjshëm gjinor, mbështetur nga Agjencia Austriake për Zhvillim (ADA) me bashkë-financim nga Sida.