Anëtaret e RrGGK mësojnë më shumë për monitorimin dhe vlerësimin

Me 15 tetor RrGGK organizoi punëtorinë me temën “Monitorimi dhe Vlerësimi” ku morrën pjesë rreth 30 anëtare.
   “Në ditët e sotme koncepti i monitorimit dhe vlerësimit ka një vlerë qenësore në zhvillimin e organizatës. Si mjet shumë i fortë që dëshmon punën e një organizate, krijon edhe besueshmëri tek donatorët si dhe mundësi të reja për bashkëpunime,” tha Nicole Farnsworth, Menaxhere e Programeve në RrGGK e cila udhëheqi punëtorinë. Ajo u shpjegoi anëtareve mënyrën e krijimit të një plani i cili shërben për monitorimin dhe vlerësimin e ecurisë së punës nga fillimi deri në përfundim të implementimit të një projekti.
   ”Një punëtori e tillë ishte shumë e domosdoshme. Vërtetë kemi nevojë për këso njohurish,” tha njëra nga anëtaret pjesëmarrëse.
Anëtaret u ndanë në grupe punuese për të dizajnuar një plan të monitorimit dhe vlerësimit duke përdorur projektet e tyre ekzistuese. Më pas ato prezantuan punën e tyre para grupeve tjera ku patën mundësinë të marrin sugjerime nga trajnerja dhe të pranishmet.