Anëtaret e RrGK-së diskutojnë për përmbajtjen e Direktivës së BE-së për Balancin e Punës dhe Jetës dhe Vendet e Punës Miqësore për Familjen

Sot, më 5 gusht, Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) organizoi një punëtori me anëtarët e RrGK-së të cilat aplikuan në Fondin e Grave të Kosovës për të punuar drejt prezantimit dhe zbatimit të Direktivës së BE-së për Balancin e Punës dhe Jetës në Kosovë.

Pjesëmarrëset diskutuan përmbajtjen e Direktivës së BE-së për Balancin e Punës dhe Jetës dhe strategjitë për të punuar me punëdhënësit në mënyrë që të hartojnë politika miqësore ndaj familjes që do t’u mundësonin punonjësve të balancojnë më mirë jetën dhe punën, siç parashikohet në këtë Direktivë të BE-së.

Në të vërtetë, dëshmitë sugjerojnë se krijimi i politikave miqësore ndaj familjes në vendin e punës mund të kontribuojë në rritjen e punësimit të grave, burrat të kenë më shumë kohë për të kaluar me fëmijët e tyre dhe drejtpërdrejt në zhvillimin ekonomik të një vendi përmes punësimit të shtuar të grave dhe kompanive më të suksesshme.

Aktivistet planifikojnë t’i përdorin këto aftësi të grumbulluara përmes kësaj punëtorie për të mbështetur punëdhënësit në Kosovë për të përmirësuar politikat dhe praktikat e tyre të brendshme në mënyrë që punonjësit të balancojnë më mirë jetën dhe punën.

Kaltrina Veliqi përfaqësuese e OJQ Drugëza, tha se bashkëpunimet lokale janë shumë të rëndësishme që të arrihet balancimi në mes jetës dhe punës dhe të krijohen vendet e punës miqësore për familjen.

“Ne duhet të shfrytëzojmë drejtoritë në komunat tona dhe asambleistët që të japin mbështetje në shtytjen para të këtyre strategjive në mënyrë që të arrijmë që punëdhënësit të angazhohen në mënyrë që të zbatojnë Direktivën e BE-së për balancimin në mes jetës dhe punës”, tha ajo.

Pjesëmarrëset diskutuan pushimin e atësisë, punën nga shtëpia, fleksibilitetin për nënat gjidhënëse, stimujt e punëdhënësve për baballarët dhe hapësirat e kujdesit për fëmijët në punë, ndër politikat e tjera të mundshme që punëdhënësit mund të prezantojnë.

Ato gjithashtu diskutuan disa shembuj pozitiv të kompanive që kanë krijuar tashmë disa politika të tilla.

“Kjo punëtori më ndihmoi të mësoj më shumë se çfarë mund të quajmë vende të punës miqësore për familjen dhe se këto praktika duhet t’i përfshijmë sa më shpejt që të jetë e mundur edhe në vendin tonë”, tha njëra nga përfaqësueset e organizatave.

Kjo punëtori mbështetet nga UNFPA si pjesë e nismës regjionale financuar nga Agjencia Austriake e Zhvillimit.