Sot, më 7 qershor është mbajtur mbledhja e përbashkët e anëtareve të Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK), Lobit për Barazi Gjinore në Kosovë (Lobi) si dhe Koalicionit për Barazi.
Rreth 70 pjesëmarrëse diskutuan së bashku për pjesëmarrjen e grave në zgjedhjet lokale që pritet të mbahen në tetor të këtij viti, si dhe për mundësitë e avokimit dhe përkrahjes për gratë që duan t’i hynë kësaj gare zgjedhore.
Drejtorja Ekzekutive e RrGK-së, Igballe Rogova në fillim të takimit ka përmendur punën e Lobit, Koalicionit për Barazi dhe të gjitha organizatave anëtare të RrGK-së drejt rritjes së pjesëmarrjes së grave në politikë, në nivel qendror dhe atë lokal.
“Tashmë për shumë vite, ne të bashkuara kemi avokuar për rritjen dhe fuqizimin e pjesëmarrjes së grave në politikë dhe procese vendimmarrëse. Kësaj radhe, do t’i përkrahim gratë që do t’i hynë garës për zgjedhjet lokale. Do të kërkojmë që Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme të jetë në përputhje me Ligjin për Barazi Gjinore.”, ka thënë Rogova.
Ajo gjithashtu ka njoftuar të pranishmet se Raundi i 15-të i Fondit të Grave të Kosovës (FGK) është i hapur deri me 8 qershor.
LEXO EDHE: Lobi për Barazi Gjinore diskuton për gratë dhe zgjedhjet lokale
Tutje, aktivistja Shqipe Malushi, e cila njëherit është edhe pjesë e Bordit Këshillëdhënës të RrGK-së ka përgëzuar aktivistet për të drejtat e grave për punën e pandalur edhe gjatë periudhës së vështirë me pandeminë COVID-19.
“Jam shumë e lumtur që jam këtu me aktiviste për të drejtat e grave, do të jem bashkë me ju në çdo aktivitet. Vetë fakti që nuk jeni ndalë as gjatë pandemisë, është ndryshim. Tani, zgjedhjet lokale janë shumë të rëndësishme për ne, kjo sepse gratë janë shumica edhe është koha që ne të fuqizohemi edhe ta marrim fuqinë në dorën tonë”, u shpreh Malushi.
Ndërsa, Antigona Baxhaku – Idrizi, Drejtore e SHE Solutions, në fjalën e saj ka treguar se SHE Solutioins ka synim fuqizimin e vajzave dhe grave në të gjitha fushat, e me theks në vendimmarrje, duke ofruar, ndër të tjerash, planifikim dhe këshillim strategjik, hartim të strategjive për fushata politike dhe lobuese, si dhe analizim të mediave.
“Që prej shumë vitesh e deri më sot unë kam bashkëpunuar me grupe të ndryshme për të drejtat e grave. Kësaj radhe, bashkë me RrGK-në do të përpiqemi që së bashku t’i përkrahim dhe fuqizojmë gratë në zgjedhje lokale. Sot, më shumë se asnjëherë gratë në politikë po përkrahim njëra-tjetrën dhe ne do ta shfrytëzojmë këtë moment”, tha ajo.
Në pjesën e dytë të takimit pjesëmarrëset u ndanë në grupe punuese ku diskutuan më gjerësisht rreth fushatave dhe avokimeve të nevojshme për të rritur pjesëmarrjen e grave në zgjedhjet lokale.
Ndër sygjerimet kryesore që u nxorën nga diskutimet në grup janë si vijon:
- Të ketë bashkëpunim të shtuar ndërmjet asambleisteve dhe organizatave në aktivitete të ndryshme për barazi gjinore,
- Të bëhet fushatë për përkrahje të grave kandidate,
- Të krijohen fonde për fushata të grave brenda partive politike.
- Të gjitha të pranishmet u dakorduan që edhe në këto zgjedhje të vazhdojë fushata derë me derë për të bërë thirrje për të votuar më shumë gra në zgjedhje lokale.
LEXO EDHE: RrGK bën thirrje: Votoni për më shumë gra në parlament
Ky takim u mbështet nga Zyra e Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë, në kuadër të nismës katër-vjeçare “Fuqizimi i Pjesëmarrjes së Grave në Politikë”, për të cilën mund të lexoni më shumë KËTU.