Avokimi shtyn Qeverinë që të krijojë Linjën Buxhetore për Strehimoret 

Qeveria e Kosovës është angazhuar për të ndarë 900,000 euro nga buxheti i vitit 2020, për të mbështetur strehimoret dhe qendrat ditore në Kosovë. Kjo falë përpjekjeve të vazhdueshme avokuese të Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGKpër një linjë të përhershme buxhetore për strehimore dhe qendra ditore që u shërbejnë personave që kanë pësuar dhunë në familje, trafikim të qenieve njerëzore dhe fëmijë pa kujdes prindëror. 

Strehimoret në Kosovë vazhdimisht janë përballur me vështirësi financiare. Madje në vitin 2017 disa strehimore u mbyllën për shkak të financimit të pamjaftueshëm. Gratë dhe fëmijët u kthyen në rrugë, dhe disa ishin të detyruara që të jetojnë me kryerësit e veprave të dhunës në familje, duke i vendosur përballë rrezikut të mundshëm për përsëritje të veprës.  

Që nga viti 2012, RrGK ka avokuar për buxhet të mjaftueshëpër të mbuluar të gjitha shpenzimet e nevojshme për strehimore për të mbrojtur gratë dhe fëmijët që kanë pësuar dhunë. Më 7 dhjetor 2018, RrGK së bashku me përfaqësuesit e strehimoreve dhe qendrave ditore dërguan një letër pëdeputetët e Kuvendit të Kosovës, në mesin e diskutimeve për projektbuxhetin për vitin 2019. Përmes kësaj letre u bënë thirrje deputetëve që të ndajnë buxhet për strehimoret dhe për qendrat ditore. Parlamenti ndau mjete për strehimoret për vitin 2019.  

Megjithatë, strehimoret vazhduan të përballen me probleme me pranimin e këtyre mjeteve financiare. Përkundër avokimit të RrGK-së, financimi për strehimoret u vonua shumë dhe ishte një shumë më e vogël se që pritej. Mungesa e financimit të mjaftueshëm, e shoqëruar me vonesa në pranimin e këtyre mjeteve financiare, i rrezikoi gratë dhe fëmijët.  

Për të adresuar këtë si dhe për të gjetur një zgjidhje më të qëndrueshme, në shkurt të vitit 2020, RrGK zhvilloi takime të ndara me kryeministrin në detyrë Albin Kurti, Ministren në largim të Drejtësisë, Albulena Haxhiu si dhe Kryetaren në largim të Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani. Gjatë këtyre takimeve, RrGK avokoi për një linjë të përhershme buxhetore kushtuar strehimoreve dhe qendrave ditore. 

 

 “Institucionet e sapo formuara të Kosovës do të rrisin kujdesin dhe vëmendjen e ndaj kategorive të ndryshme sociale, veçanërisht për viktimat e dhunës në familje”, tha Osmani. 

Më 15 mars, Parlamenti i Kosovës miratoi buxhetin 2020, në të cilin përfshihen 900,000 euro për strehimore dhe qendrat ditore në Kosovë.  

Mbështetja e tillë për strehimoret është jetike. Sipas raportit të RrGK-së “Nga Fjalët në Vepra”, të publikuar më 2017 me mbështetje nga ADA, dhuna në familje ende mbetet mjaft e përhapur, me 62% të kosovarëve që kanë përjetuar dhunë në familje përgjatë jetës së tyre (68% gra, 56% burra). Kurse, vetëm në vitin 2014, 31% kishin përjetuar dhunë në familje  (41% gra, 20% e burra). 

Sado që strehimoret nuk janë asnjëherë zgjidhja ideale, megjithatë është shumë e rëndësishme që shërbime të tilla të sigurohen për rastet më të këqija, kur gratë dhe fëmijët nuk kanë askund ku të kthehen. Strehimoret ofrojnë një vend të përkohshëm, të sigurt për të jetuar për personat në rrezik nga dhuna.  

Kosova ka Strategjinë Kombëtare për Mbrojtje nga Dhuna në Familje si dhe Planin e Veprimit 2016-2020, i cili përcakton qartë detyrimin ligjor dhe institucional të Republikës së Kosovës për të mbështetur financiarisht punën e këtyre institucioneve.  

Pavarësisht përparimit, strehimoret në Kosovë ende përballen me vështirësi. Zgjidhjet afatgjata të jetesës dhe programet e riintegrimit për gratë dhe fëmijët që kalojnë nga strehimoret në shoqëri mbesin shumë pak të financuara, ose nuk ekzistojnë fare. Sidoqoftë, kalimi i këtij buxheti paraqet hap pozitiv në drejtimin e duhur. 

Adresimi i dhunës me bazë gjinore mbetet ndër fushat problematike në të cilat është e përqendruar Strategjia e RrGK-së 2019-2022.  Një pjesë e madhe e punës së RrGK-së në këtë drejtim mbështetet nga ADA, mbështetja e cila ka mundësuar këtë ndryshim, si dhe ndryshime të tjera të rëndësishme për mbrojtjen e personave që vuajnë nga kjo dhunë.