CECD Friends avokon për ofrimin e shërbimeve shëndetësore për gratë me kancer në Mitrovicë

Të prekurat me kancer në Mitrovicë për një shërbim bazik te onkologu, dhe për marrjen e terapive duhet të udhëtojnë deri në Prishtinë, pasi që këto shërbime nuk ofrohen në institucionet shëndetësore publike në qytetin e tyre.

Andaj, organizata anëtare e Rrjetit të Grave të Kosovës( RrGK), Qendra për Edukim dhe Zhvillim Komunitar – CECD Friends, po avokon te zyrtarët komunalë që të ofrohen këto shërbime bazike edhe në komunën e tyre në kuadër të nismës “Të mbijetuarat e kancerit avokojnë për përmirësimin e shërbimeve shëndetësore/onkologjike në Komunën e Mitrovicës”.

Drejtorja e CECD Friends, Valbone Sadiku thotë se fillimisht duhet ngritur vetëdija e grave për të drejtat e tyre në kujdes shëndetësor. Për këtë qëllim organizata që ajo drejton ka mbajtur një punëtori me gra dhe vajza të prekura nga kanceri, në kuadër të nismës “Të mbijetuarat e kancerit avokojnë për përmirësimin e shërbimeve shëndetësore/onkologjike në Komunën e Mitrovicës”.

“Kjo është punëtoria e parë për ngritjen e vetëdijes për të drejtat e grave në qasje shëndetësore në kuadër të këtij projekti. Në këtë takim po marrin pjesë 15 pjesëmarrëse të cilat po vetëdijesohen për shërbime shëndetësore e të cilat mungojnë në institucione publike shëndetësore”, tha Sadiku. 

Ajo shtoi se në komunën e Mitrovicës ka mungesë onkologësh, ndërsa mungon edhe shërbimi i dhënies së infuzioneve në Qendrat e Mjekësisë Familjare (QMF) dhe Spitalin Rajonal të Mitrovicësi. Ky shërbim duhet të merret në Prishtinë dhe të gjitha gratë e prekura me kancer, udhëtojnë ose duhet të marrin terapi në institucione private, dhe kostoja për këtë është e lartë. 

“Qëllimi i këtij takimi është avokimi dhe draftimi i ankesave e më pas përcjellja në institucione gjegjëse në mënyrë që kjo komunë të ketë shërbime bazike”, tha Sadiku. 

Ndërkaq trajnerja Egzona Rexha Shala, tha se rëndësia e trajnimeve është qenësore për ngritjen e vetëdijes së komunitetit për realizimin e të drejtave të grave të prekura me kancer në kujdes shëndetësor.

Sipas saj, shumica nga këto gra nuk kanë njohuri mbi të drejtat e tyre që iu takojnë me ligj dhe si rezultat mungon avokimi, ngritja e zërit të tyre mbi sfidat që ato përballen gjatë trajtimit shëndetësor.

“Në komunën e Mitrovicës fatkeqësisht kjo kategori nuk ka qasje as në shërbimet më elementare bazike shëndetësore, përfshirë marrjen e infuzioneve apo terapive që nuk kanë kosto të larta”, tha ajo.

Mahije Ibrahimi pjesëmarrëse në këtë takim, njëherit e prekur me kancer, ka shprehur shqetësimin e saj që qyteti i Mitrovicës me gjithë rrethinë nuk kanë asnjë shërbim shëndetësor onkologjik.

“Ne si të prekura me kancer, kërkojmë nga institucionet shtetërore, si Ministria e Shëndetësisë, që këtë ankesë me aprovu që të paktën dy herë në muaj të kemi një onkolog dhe një radiolog që të kryejnë kontrolle për gratë në Mitrovicë. Tash për tash duhet të shkojmë në Prishtinë të presim me orë për të marrë një shërbim ose për të bërë një kontrollë”, tha ajo.

CECD Friend e realizoi këtë aktivitet si përfituese e raundit ë 18-të të Fondit të Grave të Kosovës, përmes nismës së RrGK-së “Avancimi i iniciativës për të drejtat e grave II”, financuar nga Agjencia Austriake për Zhvillim (ADA) dhe bashkëfinancuar nga Agjencia Suedeze për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ndërkombëtar (Sida).