Delegacioni i ekspertëve nga Paqja dhe Siguria e Grave nga Kosova vizituan Brukselin në Nëntor të vitit 2012. Delegacioni përfshiu Suzana Novobërdaliu, anëtare e Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe Kryetare e Komisionit Parlamentar për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione; Edona Hajrullahu, Kryeshefe Ekzekutive e Agjencisë për Barazi Gjinore në Zyrën e Kryeministritministrit; Elmina Mahmuti, komandante rajonale e Policisë së Kosovës në Gjilan, dhe Igballe Rogova, Drejtoreshë Ekzekutive e RrGGK-së.
Vizita e avokimit u organizua nga UN Women, Entitet i Kombeve të Bashkuara për Barazinë Gjinore dhe Fuqizimin e Grave. Vizita përfshiu takime me institucione të ndryshme Evropiane.
Gjatë një takimi me një delegacion nga Drejtoria e Përgjithshme për Zgjerimin në Komisionin Evropian, gratë kosovare ngritën këto çështje: përfshirjen e një pjesë të veçantë të përqëndruar mbi barazinë gjinore në kuadër të raportit të progresit vjetor të Kosovës; përfshirjen e brengave të grave lidhur me drejtësinë tranzicionale në dialogun politik Prishtinë – Beograd; liberalizimi i vizave; qasje më të madhe në fonde për grupe të grave, përmes skemave të mikro-granteve; dhe ngritja e kapaciteteve për shoqërinë civile dhe zyrtarët e qeverisë, në mënyrë që ato të mund të aplikojnë në fondet IPA.
Në takim me një anëtare të Parlamentit Evropian Marije Cornelissen, ekspertet kosovare diskutuan raportin e saj, duke përfshirë rolin e EOU në lidhje me barazinë gjinore; rolin e shoqërisë civile si dhe bashkëpunimin me qeverinë; si dhe sfidat në zbatimin e ligjeve ekzistuese të Kosovës. Ato paraqitën edhe sfidat kryesore që gratë ballafaqohen, të tilla si: pronësia; pjesëmarrja e ulët në vendim-marrje; si dhe statusi i pazgjidhur i të mbijetuarëve të konfliktit, duke përfshirë ato nga dhuna seksuale.
Ekspertet kosovare u takuan gjithashtu me Shërbimin e Punëve të Jashtme Evropiane (EEAS), ku ato theksuan nevojën për ti përfshirë gratë dhe shqetësimet e grave në dialogun politik mes Prishtinës dhe Beogradit dhe për të trajtuar çështjen e personave të zhdukur gjatë dialogut.
Delegacioni i Kosovës bëri thirrje gjithashtu për krijimin e një instrumenti që e detyron Përfaqësuesin Special të Bashkimit Evropian (EUSR) në Kosovë që rregullisht të konsultohet me advokatët gjinorë. Gjatë këtij takimi janë bërë sugjerime për Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), duke përfshirë që EULEX-i të ketë një qasje më të kuptueshme dhe transparente dhe të merret më shumë me rastet penale që lidhen me të mbijetuarat e dhunës seksuale.
Ekspertet kosovare pastaj u takuan me përfaqësuesit nga Organizata e Traktatit të Atlantikut Verior (NATO), duke përfshirë Mari Skåre, Përfaqësuesen Speciale të Sekretarit të Përgjithshëm për Gratë, Paqen dhe Sigurinë. Përveç dëgjimit të përvojave me integrimin gjinor brenda NATO-s, ekspertet kosovare adresuan shqetësimet e tyre në lidhje me sigurinë në veri të Mitrovicës, ku KFOR-i ka një mandat ende relativisht të gjërë. Ato kërkuan mbështetje të vazhdueshme në luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore, pasi që KFOR-i ka një mandat përtej kufijve.
Së fundi, gjatë një takimi me Zyrën Ndërlidhëse Evropiane për Ndërtim të Paqes (EPLO), ekspertet kosovare diskutuan Planin e Veprimit për Rezolutën e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (RKSKB) 1325 që është duke u hartuar në Kosovë; mundësia e zgjerimit të EPLO-së si dhe përfshirja e më shumë organizatave të Kosovës; shkëmbimit të përvojave me organizatat anëtare të EPLO-së; si dhe mundësinë e organizimit të një dreke pune në EPLO lidhur me dialogun politik mes Prishtinës dhe Beogradit dhe/apo udhëheqësinë e grave në Kosovë.