Drita Bakija Gunga – gruaja që sfidoi normat gjinore 

Drita Bakija Gunga, gruaja e parë doktor shkence e historisë, shquhej si pionere dhe studiuese e barazisë gjinore. Ajo u bë yll iluminizmi fillimisht për vajzat e familjes, për tu shndërruar në një nga 100 yjet siç rrëfehet në librin e shkruar për të, nga Alketa Xhafa Mripa të titulluar “Vepra e Saj”  

“Të gjithë ata që e kanë njohur Dritën, ajo çdo pengesë në jetë e ka kthyer në mundësi, në arritje dhe për çdo situatë ka pasur gjithmonë një mësim nga përvoja”, ka thënë familjari i saj Lorik Bakija. 

Pos veprimtarisë shkencore, historiania Bakija Gunga, çmohet edhe për performancat e saj në Teatrin e Gjakovës, si ndër të parat aktore gra që shkelën mbi skenën teatrore. 

Drita ishte vajzë që e donte edhe vallëzimin. Duke dashur që gjithmonë të sfidojë normat gjinore, e etur për tu shkolluar ajo u sfidua në shumë fusha, pasi siç ka thënë ajo “gruaja shqiptare ka qenë e shtypur për kohë të gjatë”. Për të liria e gruas vinte përmes emancipimit, kontributit dhe vetëdijesimit për rëndësinë dhe fuqinë e zërit të saj.  

Mevlyde Mezini Saraqi, shoqe e Dritës e përshkruan atë si grua të urtë e të fortë, dhe një shembull i grave shqiptare duke iu dalë në krahë grave e vajzave të asaj kohe në shkollimin e emancipimin e tyre.  

“Ishte njëra nga themelueset e shoqatës së gruas në kuadër të LDK-së dhe u zgjodh anëtarja e kryesisë së parë të forumit të gruas së LDK-së. Gruaja model e cila jetoi dhe veproi vertikalisht e që la gjurmë të shkruara shkencore e historike”, tha ajo. 

Në vitin 1950 përfundoi shkollën fillore në qytetin e saj të lindjes në Gjakovë. Në periudhën 1963-1975 punoi si mësimdhënëse në Gjimnazin “Hajdar Dushi”, në Gjakovë dhe në Shkollën Fillore, “Elena Gjika”, në Prishtinë. 

Më 1973, ajo kishte mbaruar studimet në Fakultetin Filozofik, dega e Historisë, në Prishtinë. Ndërkaq, katër vite më pas magjistroi me temën: “Lëvizja e grave në Kosovë në mes dy luftërave botërore”, në Prishtinë.  

Ajo nuk u ndalë këtu, dhe në vitin 1982 mbaroi studimet e Doktoratës me temën “Gratë e Kosovës në periudhën e ndërtimit socialist 1945-1978”, duke u bërë kështu gruaja e parë nga Kosova me titullin “doktor shkence e historisë”. 

Gratë e Kosovës ishin fokusi i hulumtimeve e studimeve të saj profesionale, duke dhënë kontribut veçanërisht për hedhje në dritë të rolit dhe aktiviteteve të grave të Kosovës para, gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore. Drita Bakija Gunga ishte e angazhuar në politikë-bërjen e shqiptarëve të Kosovës në vitet 90-të. Ndër angazhimet e të ndjerës numërohet edhe zgjedhja e saj në kryesinë e parë të Shoqatës së Gruas në mars 1990, e cila më pas u transformua në Forumin e Gruas së LDK-së.  

Drita ka botuar rreth 20 hulumtime shkencore përgjatë viteve të karrierës së saj.  

Drita Bakija Gunga ka lindur në vitin 1943 dhe ka ndërruar jetë në vitin 2020.