DSK me rekomandime për përfshirjen e personave me aftësi të kufizuar në vendimmarrje politike  

Organizata anëtare e Rrjetit të Grave të Kosovës, Down Syndrome Kosova (DSK) ka përmbyllur me sukses nismën “Përfshirja e personave me aftësi të kufizuara në vendimmarrje politike”.

DSK ka identifikuar nevojat dhe prioritetet e 16 personave me aftësi të kufizuar dhe ka marrë rekomandimet nga 19 prindër të fëmijëve me aftësi të kufizuar. Gjithsej 49 persona kanë përfituar nga ky projekt.

Përgjatë tetë muajve DSK dega në Ferizaj ka organizuar tri sesione informuese me personat me aftësi të kufizuar, tri të tjera me prindër dhe tri me organizatat e shoqërisë civile.

Në këto takime personat me aftësi të kufizuar kanë dhënë rekomandimet e tyre se si mund të përfshihen më shumë në proceset vendimmarrëse në nivel lokal dhe çka duhet të ketë parasysh komuna e Ferizajt për përmirësimin e jetesës së tyre.

Në muajin shkurt 2022 këto rekomandime i janë prezantuar Drejtorisë komunale të Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale.

Në periudhën shkurt-prill 2022, DSK i ka përmbledhur rekomandimet në një dokument/ letër politike, me katër objektiva kryesore:

  1. Sigurimi i arsimit gjithëpërfshirës dhe fuqizimi i mekanizmave mbështetës për të ofruar shërbime cilësore për personat me aftësi të kufizuara;
  2. Zgjerimi dhe përmirësimi i shërbimeve mjekësore, rehabilituese dhe sociale për personat me aftësi të kufizuara;
  3. Krijimi i kushteve dhe mundësive të barabarta, për punësimin e personave me aftësi të kufizuara;
  4. Avancimi dhe përmirësimi i qasjes në infrastrukturë, transport, informim, kulturë, sport dhe shërbime të tjera për të gjithë personat me aftësi të kufizuara.

Të dhënat janë ndarë me drejtoritë komunale me synimin që në periudhën 2022 – 2023 të përmirësojnë cilësinë e jetës dhe avancimin e të drejtave të personave me aftësi të kufizuar në Ferizaj.

Dokumenti është shpërndarë edhe në Qendrën për Punë Sociale si dhe në gjitha organizatat Handikos, Hendifer si dhe Pema.

Nisma “Përfshirja e personave me aftësi të kufizuara në vendimmarrje politike,” është  mbështetur nga rundi i 15-të i Fondit të Grave të Kosovës, financuar nga Zyra e Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë.