EcoKosWomen promovon kujdesin shëndetësor te komunitetet në Fushë Kosovë

Organizata anëtare e Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK), EcoKosWomen përmbylli me sukses nismën “Promovimi i kujdesit shëndetësor, pjesë e domosdoshme e jetës”, falë grantit të Fondit të Grave të Kosovës (FGK).

Kjo organizatë, përgjatë një periudhe pesëmujore ka arritur që të rrisë vetëdijen e grave të komunitetit rom, ashkali dhe egjiptas për të drejtat e tyre në kujdes shëndetësor cilësor, shëndetin riprodhues, dhe menaxhimin e higjienës menstruale, shkeljet e kësaj të drejte dhe raportimin e tyre.

Gratë e komunës së Fushë Kosovës që kanë marrë pjesë në aktivitetet e EcoKosWomen janë pajisur me njohuri dhe kartën e të drejtave të pacientit.

Me anë të hulumtimit projekti ka vënë në pah sfidat dhe mundësitë e lehtësimit të qasjes në kujdes shëndetësor të grave të këtyre komuniteteve si dhe paraqitja e të gjeturave në tryezën e rrumbullakët e mbajtur me pjesëmarrës nga fusha të ndryshme dhe persona me ndikim, vendimmarrës,  ka ndikuar në ngritjen e problemeve dhe sfidave që këto gra i hasin gjatë qasjes në kujdes shëndetësor cilësor.

Po ashtu, organizata ka diskutuar dhe avokuar për çështjet relevante me gjashtë përfaqësues të Komunës së Fushë Kosovës,rëndësinë e përmirësimit dhe lehtësimit të qasjes në kujdes shëndetësor cilësor, si dhe duke promovuar krijimin e një linje buxhetore të veçantë për vitet në vijim për të furnizuar shkollat e mesme të ulëta me peceta sanitare, ku përfitues janë edhe qytetarët e Komunës së Fushë Kosovës, jo vetëm qytetarët rom, ashkali dhe egjiptas.

Sipas organizatës nga aktivitetet e tyre kanë përfituar direkt 293 vajza, prej tyre 179 shqiptare, 96 ashkalie, 11 egjiptiane, 3 turke dhe 1 rome nga shkolla fillore “Selman Riza” ku përmes ligjëratave të mbajtura kanë ngritur vetëdijen lidhur me të drejtën e tyre në shërbime shëndetësore cilësore, shëndetin e organeve riprodhuese, respektivisht menaxhimin e higjienës menstruale. Gjithashtu 38 gra rome, ashkalie dhe egjiptase janë përfituese direkte meqë kanë marrë pjesë në aktivitetet e EcoKosWomen.

Organizata “EcoKosWomen” e realizoi këtë aktivitet si përfituese e raundit ë 18-të të Fondit të Grave të Kosovës, përmes nismës së RrGK-së “Avancimi i iniciativës për të drejtat e grave”, financuar nga Agjencia Austriake për Zhvillim (ADA) dhe bashkëfinancuar nga Agjencia Suedeze për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ndërkombëtar (Sida).