Edi Shukriu, një figurë emblematike, që trasoi rrugën e dijes dhe arsimimit për vajzat dhe gratë në Kosovë

“Mendja nuk varet nga identiteti gjinor dhe këtë e kanë dëshmuar gratë me veprat tyre. Nuk ka forcë që mund të ndalojë aspiratat e shenjta të një kombi drejt vetëvendosjes, emancipimit gjithëpërfshirës dhe barazisë.”

Këto fjalë të Edi Shukriut, gruas model, e cila dha shumë për kombin duke u angazhuar në jetën publike dhe jetësimin e barazisë gjinore, tregojnë shumë për përkushtimin e saj në trasimin e rrugës së dijes e emancipimit për vajzat e reja.

Me punën e saj të jashtëzakonshme Edi Shukriu la gjurmë në fushën e arkeologjisë, historisë, letërsisë, në angazhimet politike, institucionale dhe kulturore në mbarë hapësirën shqiptare. Arkeologia e parë grua në Kosovë, Edi Shukriu, u shqua për zbulimin e hyjneshës në fron që sot është simbol i kryeqytetit.

“Arkeologet ëndërrojnë gjithmonë, ashtu siç kam bërë edhe unë. Në Vitin 1968 kur isha studente në vitin e parë, kam lexuar një artikull në një revistë rumune për dy monumente kushtuar hyjneshës dardane  që janë zbuluar në Rumani. Nga atëherë jam munduar ta gjej, kurrë nuk jam ndalur. Thosha  si është e mundur të  mos gjendet dhe të mos kemi një monument të hyjneshës dardane ne në Kosovë. Me vite të tëra kam kërkuar, dhe në vitin 1988 e zbulova në Smirë të Vitisë. Ishte një mrekulli! Ajo që më ka mbetur si ëndërr e parealizuar është se në Kosovë ka edhe tempull kushtuar hyjneshës dardane. E di me siguri se ka pasur edhe në territorin e Kosovës, është para hundës sonë, dhe ku është nuk e di. Shpresoj që gjeneratat e reja ta zbulojnë,” ka thënë Edi Shukriu.

Edi Shukriu kjo grua e çeliktë që jetën e saj e ndau mes arkeologjisë, shkencës,  letërsisë, aktivizmit e veçoi atë nga shumë bashkëmoshatare të saj. Veprimtarinë shkencore dhe profesionale e përqendroi në hulumtimet arkeologjike dhe të historisë antike, në mbrojtjen e integruar të trashëgimisë kulturore dhe prezantimit të trashëgimisë kulturore në vend dhe jashtë, të menaxhimit dhe të shfrytëzimit të saj për zhvillime shoqërore dhe ekonomike.

Por, veçmas punës akademike, Edi Shukriu luajti një rol të madh si aktiviste për shtetndërtimin e Kosovës dhe zhvillimin e proceseve demokratike, si dhe për pjesëmarrjen e gruas në nivele vendimmarrëse në jetën publike dhe përjetësimin e barazisë gjinore.

Ajo ideoi dhe organizoi aksionin e Forumit të Gruas së LDK-së në vitin 1990 dhe ishte kryetare për pesë vjet me radhë.

Një nga ideatorët e marshit “Me bukë në dorë”, Edi së bashku me shumë gra tjera aktiviste u nis nga Prishtina në Drenicë për të mbështetur gratë që po përjetonin luftën në vitin 1998.

Edi Shukriu la gjurmë edhe në themelimin e shumë prej institucioneve akademike e kulturore në Kosovë. Ajo inicoi themelimin e Institutit Arkeologjik të Kosovës, Operas dhe Baletit të Kosovës, krijoi bërthamën e Filharmonisë së Kosovës dhe mbështeti fuqimisht vazhdimin e punës së Baletit të Kosovës.

Edi Shukriu ka mbaruar studimet për arkeo­logji në Universitetin e Beogradit dhe gjithashtu ka magjistruar  në Universitetin e Beogradit, ndërkaq doktoroi në Univer­sitetin e Prishtinës. Më pas mori titullin si  Kryetare e Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore përgjatë viteve 2009-2012. Ishte edhe nënkryetare e PEN Qendrës së Kosovës  dhe anëtare e Shoqatës së Shkrim­tarëve të Kosovës.

Ajo themeloi grupin e Arkeologëve të Rinj “Shtjefën Gjeçovi” të Univer­sitetit të Prishtinës (1986-1990), derisa organizoi ekspedita ar­keologjike dhe eks­pozita tematike në Koleksionin Arkeologjik të Fakultetit Filozofik.

Nga viti 2014 ishte anëtare e Akademisë Evropiane të Shkencave dhe të Arteve në Salzburg. Për veprën jetësore në fushën e trashëgimisë kulturore u dekorua me çmimin “Dea Dardanciae” të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Edi Shukriu lindi në Prizren në vitin 1950. Ajo jetoi në Prishtinë deri në kohën kur ndërroi jetë më 17 janar 2023.